Tuesday, 24 January 2012

Top Channel Video - Exclusive, Pjesa 1 - 22/01/2012

Top Channel Video - Exclusive, Pjesa 1 - 22/01/2012

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.© Veliupress copyright 2007

Monday, 23 January 2012

Balla-Doshi: Lëmë imunitetin - Top Channel

Balla-Doshi: Lëmë imunitetin - Top Channel

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.© Veliupress copyright 2007

“Shqipëria pa kufij shtetërorë” - Top Channel

“Shqipëria pa kufij shtetërorë” - Top Channel

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.© Veliupress copyright 2007

Thursday, 16 June 2011

Ditëlindja e Mbretëreshës, festohet në Tiranë

Muhamed Veliu
Top-Channel

Ditëlindja e monarkes britanike Elisabeta II, është festuar edhe në Shqipëri. Në fakt mbretëresha Elisabeta e II ka lindur më 21 Prill por ditëlindja e saj festohet në një prej javëve të muajit qershor për arsye të motit në mënyrë që britanikët ta festojnë ditëlindjen në kohë me diell.

Ambasada e Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me Këshillin Britanik, ka zgjedhur një ekspozitë me foto të realizuara nga Shqipëria e viteve 1990 nga fotografi Martin Parr.

I shoqëruar nga bashkëshortja kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishin pjesë e ceremonisë, ku në një moment kryeministri është ndalur duke shtrënguar duart edhe me deputetin Kastriot Islami.

Fiona Mcllham tha se "nuk mund të mendonim një mënyrë më të përshtatshme për të festuar Ditëlindjen e Mbretëreshës në Shqipëri. Imazhet e sjella nga Martini nga Shqipëria e vitit 1990 sjellin një kujtim të fortë të transformimit dramatik të këtij vendi”.

Martin Parr është një prej emrave më të njohur të fotografisë britanike i cili fikson nëpërmjet aparatit fototografik aspekte kritike të jetës në të gjithë botën. Parr thotë se gjatë qëndrimit të tanishëm pa një Shqipëri të ndryshuar të cilën dëshiron ta fotografojë përsëri.

Shprehja “një foto vlen sa njëmijë fjalë”, në këtë rast me fotot e Martin Parr marrin një vlerë të shumfishtë, atë të dokumentimit të një pjesë të historisë së vëndit tonë, parë nga teleobjektivi një britaniku.

Monday, 4 April 2011

Avdyl Loshaj: Ju tregoj torturat e SHIK-ut ne Vain te Lezhes

Nga Amsterdami per Top-Channel
Muhamed Veliu

Njëri prej tre shqiptarëve të torturuar nga oficerët e Shërbimit Informativ Kombëtar në vitin 1995, pas 16 vjet heshtje e pleksur me frikën e një eliminimi fizik, ka pranuar të flasë. Avdyl Loshaj, duke folur nga Holanda, në një intervistë të gjatë për emisionin “Exclusive” në “Top Channel”, ka treguar kalvarin e survejimit, si u largua nga ndjekja e SHIK-ut në Sarandë për t’u rrëmbyer më pas në Qytetin Studenti ku fshihej te dhoma e të dashurës. Gjithashtu ai rrëfen torturat nga oficerët e SHIK-ut me qëllimin e vetëm që ai të pranonte se ishte pjesë e grupit që tentuan vrasjen e ish-presidentit maqedonas, Kiro Gligorov.
Loshaj, në këtë dëshmi të parë për mediat, tregon edhe momentin e fundit kur e pa gjallë biznesmenin shqiptar nga Maqedonia Remzi Hoxha, i zhdukur nga SHIK-u, krim për të cilin akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda, oficerët e shërbimit të fshehtë shqiptar, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçaj.

Zoti Loshaj, ju jeni një personazh shumë i diskutuar njëkohësisht enigmatik për vetë ngjarjen në të cilën jeni përfshirë 16 vjet më parë. Kush është Avdyl Loshaj?

Vij nga Deçani, Republika e Kosovës. Kam kryer shkollën fillore në fshatin Carabreg. Një vit gjimnaz e kam kryer në Deçan. Pastaj ka qenë viti 1989 që u desh të largohem nga represioni serb pas vrasjes së shokut tim Ismet Qorraj.

Kur keni hyrë për herë të parë në Shqipëri dhe pse?

Në Shqipëri për herë të parë kam hyrë në fillim të dhjetorit në vitin 1992, sepse më datat 19, 20, 21 dhe 22 nëntor 1992 kam pasur tortura të rënda nga serbët në zonën e Suboticës. Kjo ishte arsyeja ime personale për të ardhur dhe qëndruar në Shqipëri.

Çfarë aktiviteti keni kryer gjatë kohës që keni qëndruar në Shqipëri?

Aktiviteti im personal ka qenë një ideal si i gjithë grupi ynë prej njëzetekatër vetash. Kemi qenë të angazhuar, të betuar për Ballin Kombëtar, me qëllim bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

Nëpërmjet një letërporosie keni deklaruar se merreshit me çështje pothuajse politike në ndihmë të Ballit Kombëtar. Mund të na tregoni se çfarë veprime konkrete keni kryer gjatë kësaj kohe?

Veprimet konkrete do t’i vlerësoj historia vetë. Ato kanë qenë shumë të mëdha, pasi Kosova ka qenë pa nënë, pa babë. Si njeri kryesor kemi pasur Sali Cekun. Ai ishte numri një. Numri dy ishte Remzi Hoxha. Ne kemi qenë ushtarë nën urdhrat e tyre të betuar deri në vdekje.

Kur keni hyrë në Shqipëri dhe a e dinit që ishit në survejimin e shërbimit sekret shqiptar, SHIK-ut siç njihej atë kohë?

Nuk e kam ditur deri në kohën kur mbërrita në spitalin numër dy të Tiranës. Atje kam pasur vëzhgime. E gjithë dosja e spitalit numër dy në Tiranë është zhdukur. Këtë e ka bërë shërbimi sekret shqiptar, SHIK-u.

Në cilin vit ka ndodhur kjo që sapo thatë?

Në vitin 1992-1993.

Kur ka qenë kontakti i parë që shërbimi sekret shqiptar ka pasur me ju?

Këtë nuk e di. Çfarë kemi bërë ka qenë në sekret të plotë. Çdo porosi top-sekret që kemi pasur, unë, Sali Ceku, Remzi Hoxha, Azem Hajdari, edhe ai ka qenë në krahun tonë. I vetmi person që i përket regjimit shqiptar të asaj kohe.

Avdyl Loshaj, kur dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur rrëmbimi juaj në Shqipëri?

Ka ndodhur në vitin 1995. Mund të them dy herë. Njëherë në Sarandë dhe njëherë në Qytetin Studenti.

Çfarë ndodhi në Sarandë?

Në Sarandë ne ishim për një qëllim të caktuar politik. Por ai qëllim nuk na eci dot. Aty na ka ndaluar një vajzë. Nuk ia di emrin as sot e kësaj dite. M’u ndalua të flisja në gjuhën shqipe.

Kush ta ndaloi të flisnit shqip?

Padyshim shërbimi sekret përmes asaj vajze.

Gjatë qëndrimit tuaj në Sarandë jeni prezantuar si një gazetar austriak me emrin Armando Ditermenze. Kush ta dha pasaportën me këtë emër?

Po ajo vajzë. Po ashtu m’u dhanë urdhëresa shumë të ashpra personale që të mos guxoja të flisja shqip. Ky ishte dokumentacioni që mund ta përdorja. Ky dokumentacion erdhi nga shërbimi sekret, SHIK-u.

Si ju prezantuan personat që thanë se ju nuk duhet të flisni shqip dhe duhet të përdornit këtë pasaportë?

Ka qenë shumë enigmatike. Shikimi i tyre ishte sy më sy. Pasaporta është dhënë nën tavolinë, ndërsa një pistoletë u vendos te gjuri im. Atje kuptova që isha nën kontroll.

A u prezantuan këta persona që ishin nga shërbimi sekret shqiptar?

Jo. Ajo vajza ka qenë.

Mund ta përshkruash moshën e saj dhe si ngjasonte?

Rreth moshës 26-30 vjeçe në atë kohë.

Avdyl Loshaj, çfarë ndodhi më pas?

Është angazhuar një makinë e policisë. Komandanti i policisë ka qenë Ardian Nuha. Një shofer i tij çdo ditë ka qenë personalisht në dispozicionin tim. Kemi shkuar në Ksamil për të ngrënë drekë apo darkë. Gjithmonë kam qenë i shoqëruar nga policia. Arsyen akoma nuk e di.

Personat e SHIK-ut që ishin me ju, ku të dërguan më pas?

Dy javë kemi qëndruar në dispozicion. Gjithmonë në Ksamil, hanim dreka e darka dhe pastaj mu kërkua të takoj një prej oficerëve të kundërzbulimit shqiptar në zyrën e tij dhe më ka thënë se do të kemi punë ne të dy. I kërkova të më jepte një orë afat dhe do të kthehem përsëri. Më besoi. E thirra shoferin e Ardian Nuhës, ku i tregova se duhet të largohem sa më shpejt nga Saranda. I hipa “Mercedezit” të tij, veturë private, jo makinë policie. Ai ka qenë me uniformë të policisë dhe ia arrita qëllimit t’u largohem atyre organeve, pasi e dija se çfarë më priste. Ika për në Tiranë. Ky person më ka lënë mbi varrezat e dëshmorëve të kombit. Atje ka qenë vendi i fundit që kam parë shoferin e Ardian Nuhës. Pastaj jam drejtuar rreth Qytetit Studenti.

Pse shkuat pikërisht në Qytetin Studenti?

Aty kam banuar shumë kohë dhe atje kam pasur mjaft takime. Kisha edhe një njeri që e kam dashur. Ajo ka qenë edhe anëtare e Partisë Demokristiane Shqiptare. Kishte mbaruar Fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi përfshi edhe Juridikun. Ka qenë një njeri shumë besimtar.

Çfarë ndodhi pas kthimit në Tiranë kur po qëndronit në Qytetin Studenti?

Pasi u ika nga Saranda organeve të SHIK-ut kam dalë në Qytetin Studenti të pi kafe. Aty ka ardhur një veturë civile, jo shtetërore. Ishte një burrë tullac me gjithë shoferin e tij dhe njofton me radio se e kapëm “ariun”. Që nga ai moment më kanë marrë dhe me kanë çuar në rajonin numër tre të policisë në Tiranë.

Si rrodhën ngjarjet në rajonin numër tre?

Në rajonin numër tre çfarë nuk ka ndodhur. Janë ngjarje që askush nuk mund t’i përshkruajë dot. Personi që më ka kapur mua, dhe që e kam mësuar më vonë emrin e tij nëpërmjet internetit, ishte Ilir Kumbaro. Pas publikimit të fotos së tij në internet unë e njoha Ilir Kumbaron. Ishte ai që më ka kapur edhe në Qytetin Studenti. Fillimisht më ka marrë në bisedë informative ku me pyeste: “synimet tuaja, armatimi juaj, destinacioni i armatimit, stërvitjet ushtarake”. Nuk flisja dot asnjë gjë. Pastaj filloi ajo më e fuqishmja, torturat.

Çfarë torturash ushtronin ndaj jush?

Ai më ka prekur shumë thellë. Më ka prekur për sa i përket çështjes atdhetare, kombëtare shqiptare. Për mua ai personalisht nuk mund të jetë shqiptar se ne dhe shumë njerëz nga Kosova kemi vuajtur shumë për Shqipërinë e për Kosovën. Kemi ardhur deri te ngacmimet tona sy me sy me Ilir Kumbaron. Ka shumë dëshmitarë në zyrën e tij dhe ata duhet të dalin herët a vonë. I kam thënë që ju zotëri nuk mund të jeni më atdhetar sesa unë.

Torturat janë bërë në mënyrë skandaloze. Po në zyrë më ka shku gjaku. Nuk mund ta përshkruaj. Por në zyrë ka dëshmitarë pas kësaj fjale që unë i kam thënë atij. Pastaj më kanë çuar lart. Më kanë lidhur me pranga të kohës së Hitlerit, a Kinës ku ta di unë. Jo pranga moderne si i ka policia sot. Kam qenë i zhveshur, krejt lakuriq. Me çdo lloj mënyre më ka rrahur. Me çdo lloj shkopi, me çdo lloj gjëje që i ka qëlluar unë jam përgjakur në atë krevat ushtrie i lidhur. Jam goditur me shkop gome te këmbët. I shikoja këmbët si po më fryheshin. Erdha deri te momenti që nuk mund ta ndaloja as gjakun dhe as urinën nga dhimbjet. Qëllimi i tij ishte pse ky njeri nuk flet dhe nuk qan.

Gjatë kohës që mbaheshit në rajonin numër tre, si tentuat për t’u arratisur?

Shumë gazeta apo informata që kam mundur të lexoj më vonë, në disa gjëra nuk janë të vërteta.

Atëherë cila është e vërteta?

Siç e thashë. Gjakun dhe urinën nuk kam mundur ta ndaloja. Ilir Kumbaro ka dhënë urdhër: ‘Çojeni këtë qelbësirë në banjë. Nuk mund t’ia duroj erën e urinës dhe ma sillni përsëri’. Më kanë shoqëruar dy persona. Jam futur në banjë ku pashë vetëm një dritare. Një kanotiere kam pas në trup. Gjysma e trupit ka dalë jashtë. Kam parë vetëm te kontejnerët e mbeturinave. Qëllimi im ka qenë të bie me kokë dhe të marrë fund çdo gjë.

Pra tentuat vetëvrasjen?

Patjetër. Pa diskutim. Njëri më ka kapur nga kanotiera, por ishte shumë vonë. Është shqyer kanotiera. E falënderoj këtë person se më ndihmoi të bija me dy këmbët në tokë. Në atë moment kam parë vetëm një grua që ka qenë në zyrë. Ajo ka kapur kokën me duar dhe që nga ai moment unë nuk di gjë.

Sapo thatë që keni rënë në tokë, kush të ndihmoi?

Momentin që ajo gruaja më pa, pra punonjësja... Di që dy veta më kanë kapur nga krahët dhe më kanë çuar në spital. Ça spitali kam qenë, supozohet Spitali Ushtarak. Nuk e di. Kur kam mbërritur në spital kanë filluar dhimbjet më skandaloze që ekzistojnë. Supozohet që në 6 vende, këmbën e djathtë dhe këmbën e majtë në dy vende dhe siç është konstatuar në Holandë 2 milimetra neni i këmbës futur nga brenda, pasi e gjithë pesha ka rënë në këmbë. Ata më kanë dërguar në spital. Kam kërkuar ndihmë nga një mjek që më ka dhënë morfinë, nëse nuk gabohem antidhimbje, për të më futur në gips, por nuk mundën. Kam kërkuar ndihmë që të njoftojnë Dh. S. nga doktorët në mënyrë sekrete.

Kështu, kështu ka ndodhur me mua. Ai person që nuk ia di emrin, duhet të jetë gjallë. Më kanë dërguar në një dhomë në spital ku ka ardhur Dh.S. me një shoqe të vet ku i kam treguar me pika të shkurtra. Vetëm qante. Nuk fliste asnjë gjë. Mirë tha do të vij e të vizitoj. Më tha se çdo foto, çdo kujtim që kemi pasur bashkë janë marrë pas bastisjes së shtëpisë nga organet kompetente në godinën 24, nga organet e SHIK-ut.

Sa ditë qëndruat në spital?

Asnjë ditë.

Pse, çfarë ndodhi?

Pas vizitës të Dh.S. edhe shoqes së saj megjithëse kisha dhimbje, më kanë lidhur me çarçaf të bardhë.

Ku ju çuan?

Ashtu siç isha me dhimbje më kanë futur në veturë. Pastaj filloi morfina të më lëshojë. Në veturë ma kanë hequr çarçafin e bardhë dhe më kanë vendosur një thes të zi në kokë. Që aty në drejtim të Lezhës.

Kur mbërritët në Lezhë, ku ju çuan?

Këtë komunë e kam mësuar nga zyrtarë më vonë siç janë Xhevat Hana (prokurori i çështjes) atë vend ku ishte stacionuar SHIK-u.

Mund ta përshkruash se çfarë kishte brenda ajo ndërtesë ku ju çuan?

Kam qëndruar në dy dhoma. Njërën dhomë po atë ditë kur erdhi Ilir Kumbaro fjalët e tij kanë qenë: more qen, deshe të na shkatërrosh me Maqedoninë. Ti e ke bërë atentatin ndaj Gligorovit. Neve jemi shumë të sigurt. Kolegët e tu kanë dashur t’i bëjnë atentat Zef Brozit dhe Kiro Gligorovit në Maqedoni. Por mua non stop më ka akuzuar për Kiro Gligorovin dhe shkatërrimin e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë. Ishin rrahje skandaloze që më ka bërë Ilir Kumbaro në atë dhomë. Pastaj më kanë dërguar në një dhomë tjetër ku ka qenë një krevat i vjetër që kanë përdorur përpara. Nuk kam pasur pajisje apo mbulesa ose diçka, ashtu më kanë lidhur të gjithë kohën. Një shërbëtore ka qenë që fliste dialekt shkodran. Ajo kishte respekt për mua. Kemi ngrënë bukë njëherë në ditë. Kur vinin dhe më thoshin të nënshkruaja diçka, dokumentacioni fshihej, dhe e nënshkruaja.

Çfarë dokumentesh ke nënshkruar konkretisht?

Nuk e di. Vetëm më thoshin t’i nënshkruaja.

A keni parë persona të tjerë të cilët mbaheshin në këtë bazë sekrete të SHIK-ut?

Një ditë përpara se kam dashur të bëj vetëvrasje nuk kam arritur ta kryej vetëvrasjen nuk kisha tjetër mundësi të jetës sime. Po atë ditë ka qenë një gabim fatal i SHIK-ut. Gabimi i tyre ishte ndryshimi i dhomave. Konfrontimi i Remzi Hoxhës, ishte i deformuar. Ndoshta edhe ai më ka parë mua të masakruar, të deformuar.

Ky ishte i vetmi moment në të cilin keni parë Remzi Hoxhën?
Po, për herë të fundit.

Gjatë kohës që qëndronit në këtë shtëpi a dëgjonit britma njerëzish që rriheshin? Kush ishin ata?

Ushtarët tanë, 100% përfshi këtë viktimën, që nuk ka të bëj fare me organizatën tonë Ziso Kristopulli. Edhe ajo ka mundësi.

Po Zison e keni parë në ato ambiente?

Jo, nuk e kam parë.

Mund të na e përshkruash gjendjen e Remzi Hoxhës në ato pak momente që juve mundët ta shikonit?
Ka qenë i çarë nga buzët. Në anën e kokës ka qenë i gjakosur, i goditur. Fytyra ka qenë shumë e zezë.

Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri a e kishit takuar Remzi Hoxhën?
Po.

Në çfarë rrethanash?

Politike.

Çfarë bisedonit me Remziun?

Asnjëherë s’kemi biseduar për çështje biznesi. Gjithmonë kemi pasur një ideal. Idealin kombëtar.

Cili ishte roli i Remzi Hoxhës në grupin tuaj?

Remziu ka qenë një atdhetar kombëtar shqiptar shumë i qetë, shumë i matur, shumë i besueshëm. Një njeri që kur ta jap betimin nuk ndryshon siç kemi vepruar të gjithë dhe prandaj do të luftoj deri në pikën e fundit të di për fatin e tij. Më mungon shumë ai njeri jo vetëm mua, por tërë Kosovës.

Sipas prokurorisë shqiptare, Remzi Hoxha konsiderohet një person i zhdukur. Si një mik i tij çfarë mendoni se i ka ndodhur?

S’mund ta pranoj që ai njeri ka vdekur.

Nëse ai do të ishte gjallë do të kishte kontaktuar familjen...apo jo?

Ashtu është. Ose mua, ose të tjerët.

Le të kthehemi në momentet e fundit të qëndrimit tuaj në bazën e SHIK-ut. Ju liruan, çfarë të thanë?

Më kanë dërguar deri në Qafë-Thanë.

Kush të dërgoi?

Ilir Kumbaro, vetë i treti. Nuk mund të ecja dot. Ja ashtu me shumë vështirësi. Më ka dhënë një pasaportë të kuqe.

I mbani mend detajet e pasaportës? Çfarë emri kishte?

Fatkeqësisht, s’ma ka dhënë mua në dorë. Ia ka dhënë në dorë dy shqiptarëve të Maqedonisë, me një makinë me targa të Maqedonisë. Kanë diskutuar në makinën e tyre nuk e di se çfarë. Fjala e fundit e Ilir Kumbaros ka qenë: “Tani e tutje ke të bësh me shtetin maqedon. Që të dy ata kanë qenë shqiptarë. Jam futur në veturë dhe s’jemi ndaluar në pikën doganore qoftë shqiptare apo maqedone. Një natë kam fjetur ke ky person, por si kisha besë askujt. Mendoja që gjithmonë janë bashkëpunëtorë të NVRA-s kundër zbuluese të Maqedonisë.

Ku ju çuan këta dy persona?

Te njëri qëndrova një natë. U munduan me të gjitha pikëpamjet të flasin me mua të më ndihmojnë, por nuk u besoja dot.

Nga Maqedonia ku shkuat?

Në Kosovë.

Sa keni qëndruar në Kosovë?

Në Kosovë kam qëndruar gjithë kohën deri në luftë.

Kur keni mbërritur në Holandë?

Në tetor të 1998-s.

Dhe këtu keni kërkuar azil politik?
Po.

Cila është arsyeja?

Ka shumë arsye të cilat s’i them dot. Kryesorja, arsyeja e sigurisë që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shtetin shqiptar.

Abdyl Loshaj për çështjen e rrëmbimit tuaj, të Ziso Kristopulit dhe përfshi zhdukjen e Remzi Hoxhës është hapur një proces gjyqësor në Tiranë. Prokurori në këtë çështje, zoti Xhevat Hana ka tentuar disa herë t’ju kontaktojë që dëshmia juaj të jepet në sallën e gjyqit. Përse keni refuzuar ta jepni dëshminë në Tiranë?
Po të ishte gjallë i ndjeri Azem Hajdari do të vija.

Prokuroria shqiptare ju ka garantuar mbrojtje...

Çfarë mbrojtjeje?

Sipas ligjeve në fuqi....

Çfarë ligjesh. Nuk shikoj fuqi unë. E njëjta qeveri e asaj kohe që na ka shkatërruar e njëjta qeveri është edhe sot.

A i frikësoheni një eliminimi fizik të mundshëm?

Po, drejtpërsëdrejti.

Meqenëse jemi te procesi gjyqësor që po zhvillohet në Shqipëri ku Arben Sefgjini, Avni Koldashi janë prezentë në sallën e gjyqit ndërsa Ilir Kumbaro po gjykohet në mungesë. A po e ndiqni këtë proces gjyqësor nëpërmjet medias.
Jo.

Nuk keni fare dijeni se çfarë po ndodh me këtë proces ku një ndër akuzat ka të bëjë me rrëmbimin tuaj?

Një gjë është shumë e qartë për mua. S’kam nevojë t’i ndjek këto gjëra çdo gjë do t’ia lë drejtësisë shqiptare.

Pra, ju thoni se në rrëmbimin tuaj kanë qenë edhe persona të tjerë?

Vetë shteti.

Çfarë kërkoni nga drejtësia shqiptare?

Nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi.

A besoni që një ditë kjo drejtësi e vonuar për rastin tuaj do të realizohet?

Jo, me këtë qeveri në Shqipëri.

Friday, 25 February 2011

The Economist "Trafiku organeve kishte mbështetjen e policisë sekrete shqiptare"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Revista prestigjoze britanike “The Economist”, në vazhdën e publikimit të shkrimeve për tregtinë e organeve gjatë luftës në Kosovë, pretendon se disponon fakte të reja që mbështesin pretendimet e Dick Marty.

Gazetari Tim Judah ka publikuar një analizë të gjatë për këtë cështje me titull: “A është balta duke ngjitur?”.

“Gjatë dy ditëve të fundit kanë dalë në dritë dy dokumente të reja të cilat do t’ia shtojnë akoma më shumë ëndrrat e këqija atyre të përfolurve në raportin e Marty. Disa dokumenta që kanë përfunduar në mediat serbe duket se po i forcojnë më tepër pretendimet e shkruara në raport”, thuhet në artikull.

Tim Judah thotë se ai posedon transkriptimin në origjinal të dy intervistave të zhvilluara me dëshmitarë që kanë dijeni për tregtinë e organeve.

Sipas tij, këto dëshmi i janë dhënë nga një burim konfidencial në vitin 2003, të cilat i janë përcjellë edhe administratës së Kombeve të Bashkuara.

Dëshmitë e cituara nga “The Economist” tregojnë se dëshmitarët besojnë se serbë të rrëmbyer janë vrarë për t’iu marrë organet.

Dokumenti i parë mban datën 30 tetor 2003 dhe ka një aneks me dëshmitë e dërguara nga UNMIK tek gjykata për krimet e luftës në Hagë.

Dokumenti i dytë mban datën 12 dhjetor 2003 dhe është dërguar nga drejtuesit e UNMIK departamentit të Drejtësisë.

Nga një përmbledhje e këtyre dëshmive rezulton se gjatë periudhës qershor-tetor 1999, 100 deri 300 njerëz, shumica e të cilëve meshkuj serbë, janë rrëmbyer për t’u dërguar në Shqipëri.

100 prej tyre janë dërguar në një tjetër qendër detencioni, nga ku i janë hequr organet të cilat më pas janë transportuar për në Tiranë drejt Turqisë.

Por në këto dokumenta asnjë prej dëshmitarëve nuk kanë parë me sytë e tyre procedurat mjekësore, por kishin dijeni për këto ngjarje ku në disa raste sipas tyre ishin përfshirë drejtues të lartë të UCK-së.

Duke cituar një prej dëshmive, “The Economist” shkruan: “Të tilla operacione kishin mbështetjen e policisë sekrete shqiptare të qeverisë së zotit Sali Berisha, i cili është përsëri kryeministër i Shqipërisë”.

Në këto dokumente nuk përmendet emri i zotit Thaci, por ato të zotit Ramush Haradinaj dhe të vëllait Dautit.

Pavarësisht rrjedhjes së këtyre dokumentave, “The Economist” parashikon se do të jetë e pamundur për ata që kanë dijeni për trafikun e organeve të dëshmojnë nëse nuk i garantohet një identitet i ri dhe strehim jashtë Kosovës.

Thursday, 24 February 2011

Gjykata e Londrës lejon ekstradimin e Assange

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ka marrë fund pa ndonjë surprizë të madhe pjesa e parë e sagës së ekstradimit të Julian Assange në Suedi. Sic edhe pritej, gjykata e ekstradimeve në Londër ka pranuar kërkesën e drejtësisë suedeze për të ekstraduar nga Anglia themeluesin e Wikileaks.

Howard Riddle, gjykatësi që mori në shqyrtim kërkesën e ekstradimit, tha se deri në këto momente prokuroria suedeze është në fazën e hetimit rreth pretendimeve të dy grave, më pas do të ketë një vendim për ngritjen e akuzave.

Më tej gjatë leximit të vendimit, gjykatësi Riddle u shpreh se kërkesa suedeze bazuar në urdhër-arrestin europian, është e vlefshme por është ende e paqartë përse ishte e pamundur që Assange të merrej në pyetje nga hetuesit e cështjes.

Sipas tij, vërehen elementë se Julian Assange qëllimisht ka evituar përballjen me marrjen në pyetje nga prokurorët, që është edhe thelbi i kërkesës së ekstradimit.

“Si jo të besueshëm dhe të varfër në argumenta”, kështu i ka cilësuar gjykatësi personat që dëshmuan në favor të ish-hacker-it australian.

Pretendimeve të mbrojtjes për gabime në hetimin e kësaj cështjeje gjykatësi Riddle i ka dhënë këtë përgjigje:

“Nëse janë bërë gabime në sistemin hetimor suedez, atëherë vendi më i përshtatshëm për t’i ekzaminuar ato është gjykata suedeze”.

Ndërsa për një kërkesë të mundshme në SHBA për ta ekstraduar atje Assange, gjykatësi tha se përpara se të ndodhë një gjë e tillë sekretarja britanike e Punëve të Brendëshme dëshiron të konsultohet me gjykatën suedeze.

Ndryshe nga seancat e tjera kur Assange ka dëgjuar i qetë zhvillimin e gjyqit, sot tek njeriu që tronditi diplomacinë amerikane me publikimin e kabllogramëve, dallohej qartë nervozizmi, legjitim në të tilla momente.

Ekipi mbrojtës i Julian Assange deklaroi në gjykatë se vendimi i sotëm do të apelohet menjëherë.

Friday, 18 February 2011

Londer-Pitbullët e shqiptarit kafshojnë vrapuesin portugez

Nga Londra
Muhamed Veliu

Neglizhimi në të ushqyerin dhe trajtimi në mënyrë mizore të dy qenve të rracës pitbull, i ka kushtuar pesë muaj burg një emigranti shqiptarë në Londër.

Sipas prokurorisë lonineze Hektor Bushati pronari dy qenve nuk i kishte ushqyer për disa ditë.

Të dy qentë që mbaheshin në orborrin e shtëpisë të 31 vjecarit në zonën Stratford në lindje të Londrës, kanë mundur të kalojnë gardhin duke kafshuar një person që

Portugezi Joao Barbeiro ka provuar në trupin e tij egërsinë e dy qenve pitbull duke i shkaktuar dëmtime trupore nga kafshimet.

Skena e qenve të egërsuar është ndjekur nga njerëzit në park që kanë telefonuar policinë.

Më pas një patrullë policie ka mbërritur në park duke i kërkuar ndihmë kolegëve nga njësia e armatosur, të cilët kanë ekzekutuar dy qentë e dalë jashtë kontrollit.

Pasi është identifikuar pronari i dy pitbullëve ai është prangosur nga policia ndaj të cilit janë ngritur akuzat për lejimin e qenve të sillen në mënyrë të rrezikshme dhe trajtimin në mënyrë mizore.

Hektor Bushati i ka pranuar akuzat në seancën e parë duke u dënuar në gjykatët Inner London Crown Court me pesë muaj burg.

Thursday, 17 February 2011

Londer-Dënohen shqiptarët, fshihnin kokainën në airbag të makinës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Sofistikohet mënyra e fshehjes së lëndëve narkotike gjatë transportit, nga grupet kriminale shqiptare në Angli, duke befasuar oficerët e agjencisë britanike të krimit të organizuar SOCA.

Airbag është pjesë e rëndësishme e një makine, e shpikur në vitin 1980 që shërben për mbrojtjen e shoferit dhe pasagjerit, për mos t’u përplasur me xhamin në rast aksidenti.

Dy emigrantë shqiptarë në Londër i kishin transformuar makinat e tyre, duke përdorur pikërisht pjesën ku qëndron airbag, si vend-fshehje për drogën që transportonin.

Dritan dhe Olger Bullari ishin korrierët e një grupi kriminal, të cilët shpërndanin kokainë të pastër, që më pas përzihej me Lidokainë për t’u shitur në rrugë me gramë.

Kushërinjtë Bullari kanë pranuar akuzat në gjykatë për posedim dhe transportim të lëndëve narkotike, duke u dënuar me nga 6 vjet burg secili.

Në mënyrë shumë të sofistikuar, ata pasi kishin modifikuar airbag-un që hapet si një tullumbace e bardhë, i kishin vendosur kapakut mbi kroskotin e makinës një shul që hapej e mbyllej përmes një telekomande.

Shuli hapej e mbyllej përmes një mekanizmi elektrik, që komandohej nga telekomanda.

Një sy i lirë nuk mund ta dallonte se kësaj pjese të makinës i shin bërë modifikime të kësaj mënyre.

Edhe nëse kushërinjtë Bullari mund të ndaloheshin rastësisht nga ndonjë patrullë policie në rrugë, policëve kurrë nuk do t’i shkonte ndërmend që kokaina ishte fshehur në pjesën e airbag-ut.

Kjo metodë fshehje e drogës është zbuluar vetëm falë survejimit të SOCA-s kur Olger Bullari u filmua, duke hapur mbulesën e airbag-ut teksa kishte parkuar makinën në lagjen Enfield, në veri të Londrës.

Agjencia britanike kundër krimit të organizuar SOCA, që hetoi aktivitetin e tyre, zbuloi disa makina të modifikuara nga shqiptarët, përmes të cilave kryenin transportin e kokainës.

Chris Farrimond, një oficer i SOCA-s tha se “këta individë besonin se kryenin aktivitetin kriminal jashtë radarit të forcave ligj zbatuese, duke u maskuar në mënyrë të kujdesshme.

Heqja e pjesës të airbag-ut, duke e modifikuar në një mini-magazinë droge, tregon përpjekjet e tyre për të shpikur mënyra të reja për fshehjen e kokainës”.

Oficerët e SOCA që hetuan aktivitetin kriminal të Dritan dhe Olger Bullarit thonë që kjo është hera e parë që ata zbulojnë një mekanizëm të tillë për fshehjen e drogës.

Burgosja e kushërinjve Bullari e çon në 44 numrin e shqiptarëve të dënuar në Angli për trafik droge në tre vitet e fundit.

Wednesday, 9 February 2011

Julian Assange, beteja ekstradimit vazhdon

Nga Londra
Muhamed Veliu

Julian Assange themelues i Wikileaks do t’i duhet të presë deri të premten për të mësuar nëse beteja e nisur për ta ekstraduar drejt Suedisë do të përfundojë në favorin apo disfavorin e tij.

Nuk kanë mjaftuar dy ditë intensive në gjykatën e Londrës për të konkluduar këtë çështje e cila ka tërhequr vëmendjen botërore.

Dita e dytë e këtij proçesi ishte një betejë e nxehtë juridike mes avokatëve të Assange dhe përfaqësueses të shtetit suedez që kërkon ekstradimin pasi ai akuzohet për ngacmimin dhe përdhunim e dy grave.

Avokatët mbrojtës të Assange i kanë paraqitur gjykatës një dëshmi e cila mund të ndalojë ekstradimin njëkohësisht të vërtetojë se proçesi ka prapaskena politike me qëllimin final ekstradimin e ish hakerit australian drejt SHBA-ve.

Bjord Hurting avokati i Assange në Suedi i tha gjykatës se në dosjen hetimore të prokurorisë suedeze i janë treguar 100 mesazhe telefonike dërguar dy viktimave ku atyre u premtohet pagesë, nëse ato do të hakmerreshin.

Por, sipas Hurting, këto mesazhe nuk janë lejuar të kopjohen dhe t’i kalohen ekipit mbrojtës në Suedi.

“Një veprim i tillë është thyerje e hapur e proçedurave gjyqësore”, ka thënë avokati Bjord Hurting.

Një ish prokuror suedes që dëshmoi në gjykatën londineze i thirrur nga pala mbrojtëse, shprehu kritikat e tij rreth mënyrës së kërkesës suedeze për ta ekstraduar Assange.

Sven-Erik Alhem tha se Suedia i ka të gjitha mundësitë ta intervistojë Assange në Angli dhe nuk është aspak nevoja për ta ekstraduar.

Shpresohet që gjykatësi Haëard Riddle ta lexojë vendimin të premtem.

Nëse kjo nuk ndodh të premten, atëherë Assange duhet të presë edhe disa javë të tjera plot ankth për të mësuar vendimin e gjykatësit Riddle.

Tuesday, 8 February 2011

“Top-Gear”, ironi me Shqipërinë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Dy ditë pasi kryeministri Berisha propozoi kontraktimin e njërit prej këngëtarëve më të spikatur për ta sjellë në Shqipëri, në programin “Top-Gear” të BBC, edhe njëherë tjetër imazhi Shqipërisë nxihet duke u përshkruar si një vend mafioz.

Në emisionin “Top-Gear” në BBC2 testohen markat më të reja të makinave.

Prezantuesit e “Top-Gear” e nisën programin duke lexuar një letër ardhur në redaksinë e programit nga një mafioz shqiptar që kërkonte t’i sugjerohej një makinë e përshtatëshme për aktivitetin e tij kriminal.

Tre prezantuesit e “Top-Gear”, pasi kanë mbërritur me traget nga Korfuzi testuan makinat “Rolls Royce” dhe “Benz” në rrugën Himarë-Sarandë dhe atë të Butrintit.

Programi vazhdon duke testuar bagazhet e dy makinave se cila prej tyre mund të ishte e përshtatëshme për të fshehur një njeri pasi bosi shqiptar i mafias ta kishte vrarë.

Duke pirë një kafe në Sarandë drejtuesi programit Jeremy Clarkson u shpjegon kolegëve të tij përse në rrugët e Shqipërisë ka kaq shumë makina me targa angleze.

“Shqiptarët vinë në Angli, punojnë dhe kur kthehen sjellin makina me vete. Por makinat e kanë celësin e derës të shqyer”, duke lënë të kuptohet se ato janë makinë të vjedhura.

“Top-Gear” mbyllet me një test mes “Rolls Royce” dhe “Benz”, të ndjekura nga dy makina dhe një motorcikletë e policisë shqiptare, pasi gjoja prezantuesit britanik të emisionit ishin përfshirë në grabitjen e një banke në Himarë.

Për këtë program bashkëpunoi edhe policia shqiptare. Ndërsa produkti final i programit ishte një turpërim tjetër i Shqipërisë dhe Shqiptarëve përballë audiencës britanike.

Për këto ofendime në “Top-Gear” nuk dihet ende nëse ambasada shqiptare në Londër do të reagojë, ndërkohë që disa media britanike kanë komentuar rreth “Top-Gear” dhe gjuhës së papërshtatëshme në të, duke i bërë shqiptarët steriotipa të krimit.

Monday, 7 February 2011

Miranda Vickers: "Ishte protestë, jo grusht shteti"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Miranda Vickers është një studjuese e cështjeve shqiptare në Ballkan, njëkohësisht edhe autore e disa librave më i fundit i të cilëve ai për vitin e mbrapshtë 1997.

Vickers gjithmonë ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës së qeverisjes prej politikanëve shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve të fundit.

Gjatë një interviste ajo shpreh shqetësim rreth situatës akutuale që po kalon Shqipëria, duke theksuar se në Shqipëri po sundon një rregjim i korruptuar dhe autoritar.

TCH: Cili është komenti juaj rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri e vecanarisht pas protestës së 21 janarit ku u vranë katër protesues?

Vickers: Jam shumë e shqetësuar sikurse të gjithë në komunitetin ndërkombëtar. Për mua aspekti më shokues është drejtimi që kanë marrë këto ngjarje nga qeveria dhe kryeministri, duke tentuar t’i mbushin mëndjen njerëzve se ata janë viktimat e vërteta të kësaj situate, duke e përshkruar veten si viktima të një grushti shteti. Në fakt, viktimat e vërteta janë vetë populli shqiptar duke u nënvleftësuar nga qeveria njëkohësisht duke mos u parë si viktimat reale të asaj që ndodhi më 21 Janar.

TCH: Pas këtyre ngjarjeve kryeministri Berisha, përmes televizioneve, iu drejtua popullit shqiptar duke deklalruar se cfarë ndodhi ishte një grusht shteti i drejtuar nga lideri i opozitës, zoti Rama, së bashku me prokuroren e përgjithëshme. Sipas jush, a ka baza një deklaratë e tillë?

Vickers: Unë mendoj se e gjitha kjo është për të qeshur. Të gjithë ne e dimë se c’farë do të thotë një grusht shteti dhe se si ngjason një i tillë. Ne pamë thjesht një protestë popullore të njerëzve që donin një protestë paqësore, sic mund të ndodhë në të gjitha vendet demokratike. Ata ndjejnë se zgjedhjet janë manipuluar pjesërisht dhe kjo ishte një arsye reale që ata të dilnin në protestë sic ne shikojmë në të gjitha vendet e Europës. Në asnjë mënyrë kjo nuk ishte një përpjekje për grusht shteti. E gjithë ajo që ndodhi ishte një protestë e zakonshme ku njerëzit kërkonin zgjedhje të reja.

TCH: Zyra e prokurores së përgjithëshme ka kërkuar që 6 prej pjestarëve të Gardës së Republikës të merren në pyetje, por policia nuk i ekzekutoi fletë-thirrjet. Duket se ky incident është një shembull i pastër që institucionet nuk po funksionojnë. Sa e rrezikëshme është për demokracinë shqiptare?


Vickers: Është me të vërtetë shumë e rrezikëshme. Pas 20 vjetësh rrugëtim drejt demokracisë është e pabesueshme dhe e pafalëshme të jemi në një situatë të tillë. Të gjithë mekanizmat e institucioneve shqiptare janë organizuar sipas udhëzimeve të komunitetit ndërkombëtar. Nuk ka asnjë lloj preteksti për mosfunksionimin e tyre. Janë institucione të dobëta ngaqë nuk ka një vullnet politik që ato jetë të fuqishme. Shumë njerëz në Shqipëri, jo vetëm nga klasa politike por edhe nga biznesi që kanë interesa, mundohen që t’i mbajnë të dobëta institucionet në mënyrë që ato të manipulohen.

TCH: Sipas jush, kush është fajtor për një situatë të tillë në Shqipëri?


Vickers: Është shumë e lehtë nëse themi se kjo situatë ka ardhur si produkt i rritjes dhe sjelljes paranojake të kryeministrit, por ndoshta ky është një fakt që duhet pranuar. Janë edhe të tjerë elementë për t’u fajësuar. Mes tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komuniteti Europian.

TCH: Përse është një gjë e tillë?

Vickers: Gjatë 20 viteve të fundit ata kanë qenë dëshmitarë të rritjes së korrupsionit në nivel zyrtar në Shqipëri. Kjo situatë është lejuar të vazhdojë kështu relativisht pa u kontrolluar. Janë marrë disa nisma kundër korrupsionit në një nivel të ulët, por unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar e ka toleruar këtë thjesht për stabilitetin e Shqipërisë dhe të rajonit. Ky është shqetësimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar. Është mëse e qartë. E gjithë situata është injoruar. Tani populli shqiptar po paguan një cmim të rëndë. Shqipëria u lejua t’i bashkohet NATO-s pa plotësuar tërësisht kërkesat për të vijuar procesin e reformave në drejtimin e duhur. Është e pafalshme për komunitetin ndërkombëtar. Pra, janë disa elementë që duhen fajësuar, marrë në konsideratë për situartën aktuale.

TCH: Të tilla ngjarje e risollën Shqipërinë edhe njëherë në vëmendjen e komunitetit europian. Sa e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve e gjitha kjo situatë, kur aspiratat e tyra synojnë bashkimin me familjen europiane?

Vickers: Kjo situatë e ka rikthyer Shqipërinë mbrapa në radhë për t’iu bashkuar BE-së, vecanarisht kur tani në BE nuk ekziston dëshira për zgjerim me vende të reja. E gjitha kjo është asrye perfekte për ta futur kërkesën e Shqipërisë më një anë, duke vazhduar së thëni me zë të lartë për vazhdimin e reformave. Vecanarisht për zgjedhje të lira dhe demoktatike. Shqipëria nuk mund të ketë progres drejt Europës me një situatë të tillë, pa patur zgjedhje të lira dhe demokratike. Kur njerëzit atje kërkojnë zgjedhje të lira u mbyllet goja duke u qëlluar në rrugë.

TCH: Cila mund të jetë zgjidhja për të dalë nga një situatë kaq e tensionuar kur kemi opozitën që kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa kryeministri në detyrë i ka thënë me kohë jo kësaj kerkese?


Vickers: Shumë njerëz në Shqipëri, përfshirë një politikan të respektuar si Sabri Godo, kanë kërkuar dhe kërkojnë zgjedhje të reja që në verën e shkuar, përfshirë edhe opozitën. Kjo për mendimin tim është e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Që kjo të ndodhë duhet që qeveria aktuale të japë dorëheqjen duke u krijuar një qeveri teknike, e mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar për të ndryshuar ligjin e zgjdhjeve dhe më pas të mbahen zgjedhje të reja. Megjithatë, duke parë situatën aktuale jam shumë pesimiste që kryeministri ta lejojë një gjë të tillë. Kjo tregon se c’farë rregjimi të korruptuar dhe autoritar ka në Shqipëri dhe se në cfarë situate të rrezikëshme vëndi juaj ndodhet dhe i gjithë Ballkani në tërësi si rajon.

Angli, tjetër triumf i gazetarisë investigative

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gazetaria investigative në Britaninë e Madhe ka shënuar suksesin e radhës, ndryshe nga Shqipëria ku gazetarët investigative anatemohen, televizionet ku ata punojnë gjobiten dhe ku drejtori i programit të emisionit “Fiks Fare” etiketohet si çakall nga kryeministri i vendit.

Pas një investigimi të gazetës ‘News of The World’, publikuar vitin e shkuar, tre prej pjesëtarëve të ekipit kombëtar të Pakistanit në kriket janë pezulluar për disa vite të jenë pjesë e këtij sporti pasi u filmuan duke shitur një ndeshje.

Një gjykatë në kryeqytetin Doha të Katarit, bazuar në provat e publikuara nga kjo gazetë, dënoi me 10 vjet për të mos luajtur kriket Salman Butt, kapitetin e skuadrës pakistaneze.

Ndërsa dy lojtarët e tjerë, Mohammad Asif dhe Mohammad Amit, u dënuan për mos të luajtur respektivisht me nga shtatë dhe pesë vjet.

Këshilli Ndërkombëtar i sportit të kriketit, i udhëhequr nga Harron Lorgat që hetoi tre sportistët, lavdëroi investigimin e gazetarit Mazher Mahmood.

“Pa ndihmën e këtij investigimi gazetaresk do të ishte e pamundur të frenonim këtë aktivitet të jashtëligjshëm në sportin e kriketit. Ne jemi shumë mirënjohës ‘News of The World’ për bashkëpunimin” ka deklaruar Harron Lorgat.

Ky investigim zbuloi atë që është cilësuar si skandali më i madh në historinë e sportit ku një bashkëpunëtor i tre lojtarëve pakistanezë u filmua duke marrë 150 mijë stërlina dhe më pas gjatë ndeshjes kundër Anglisë, lojtarët u filmuan duke humbur pikët siç edhe kishin premtuar.

Historia korruptive e tre lojtarëve pakistanezë nuk mbaron këtu. Më 17 mars ata duhet të paraqiten në një gjykatë në Londër ku do t’i komunikohen akuzat pas një hetimi të Scotland Yard bazuar në provat e mbledhura gjatë investigimit nga ‘News Of The World’.

Nëse ata do të shpallen fajtorë rrezikojnë të dënohen me nga 7 vjet burg.

Angli, tjetër triumf i gazetarisë investigative

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gazetaria investigative në Britaninë e Madhe ka shënuar suksesin e radhës, ndryshe nga Shqipëria ku gazetarët investigative anatemohen, televizionet ku ata punojnë gjobiten dhe ku drejtori i programit të emisionit “Fiks Fare” etiketohet si çakall nga kryeministri i vendit.

Pas një investigimi të gazetës ‘News of The World’, publikuar vitin e shkuar, tre prej pjesëtarëve të ekipit kombëtar të Pakistanit në kriket janë pezulluar për disa vite të jenë pjesë e këtij sporti pasi u filmuan duke shitur një ndeshje.

Një gjykatë në kryeqytetin Doha të Katarit, bazuar në provat e publikuara nga kjo gazetë, dënoi me 10 vjet për të mos luajtur kriket Salman Butt, kapitetin e skuadrës pakistaneze.

Ndërsa dy lojtarët e tjerë, Mohammad Asif dhe Mohammad Amit, u dënuan për mos të luajtur respektivisht me nga shtatë dhe pesë vjet.

Këshilli Ndërkombëtar i sportit të kriketit, i udhëhequr nga Harron Lorgat që hetoi tre sportistët, lavdëroi investigimin e gazetarit Mazher Mahmood.

“Pa ndihmën e këtij investigimi gazetaresk do të ishte e pamundur të frenonim këtë aktivitet të jashtëligjshëm në sportin e kriketit. Ne jemi shumë mirënjohës ‘News of The World’ për bashkëpunimin” ka deklaruar Harron Lorgat.

Ky investigim zbuloi atë që është cilësuar si skandali më i madh në historinë e sportit ku një bashkëpunëtor i tre lojtarëve pakistanezë u filmua duke marrë 150 mijë stërlina dhe më pas gjatë ndeshjes kundër Anglisë, lojtarët u filmuan duke humbur pikët siç edhe kishin premtuar.

Historia korruptive e tre lojtarëve pakistanezë nuk mbaron këtu. Më 17 mars ata duhet të paraqiten në një gjykatë në Londër ku do t’i komunikohen akuzat pas një hetimi të Scotland Yard bazuar në provat e mbledhura gjatë investigimit nga ‘News Of The World’.

Nëse ata do të shpallen fajtorë rrezikojnë të dënohen me nga 7 vjet burg.

Friday, 4 February 2011

Amnesty International : "Të mos pengohet prokuroria"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas deklaratës së djeshme në mbrojtje të katër gazetarëve shqiptarë që ishin përfshirë në planet e komisionit hetimor parlamentar për t’i kontrolluar tabulatët, Amnesty International ka publikuar sot një tjetër reagim shqetësues për mos lejimin e prokurorisë në zbatimin e ligjit.

Kjo organizatë ka shprehur shqetësimin për abuzimet verbale të adresuara nga kryeministri Berisha ndaj kryeprokurores së përgjithëshme Ina Rama.

Andrea Huber, zëvendësdrejtore e Amnesty International për Europën, ka shprehur shqetësimin për pengesat që po ndesh prokuroria në marrjen në pyetje të drejtuesve të Gardës së Republikës.

“Amnesty International shpreh shqetësimin për injorimin e kërkesës së zyrës së prokurores së përgjithëshme në zbatimin e urdhër-ndalimit për gjashtë drejtuesit kryesor të Gardës së Republikës, të cilët kërkohen të hetohen për vdekjen e tre personave, të shkaktuar nga përdorimi i armëve të zjarrit gjatë protestave të 21 janarit” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, Amnesty International vëren se Policia e Shtetit ka injoruar kërkesën e prokurorisë duke ndërhyrë në mos zbatimin normal të ligjit.

Zonja Andrea Huber e mbyll deklaratën e saj duke dënuar sjelljen e kryeministrit Berisha ndaj kryeprokurores Ina Rama.

“Amnesty International shpreh shqetësim të thellë për gjuhën abuzuese të kryeministrit Berisha ndaj prokurores së përgjithëshme, gjë e cila nënvleftëson respektin për ligjin në Shqipëri”, është shprehur ajo.

Thursday, 3 February 2011

Hetimi i gazetarëve, reagon Amnesty International

Organizata prestigjoze “Amnesty International” i është bashkuar zërave kritik të organizatave të tjera botërore, duke e cilësuar si të padrejtë kërkesën e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar tabulatet e telefonave të katër prej gazertarëve më të njohur në Shqipëri.

Andrea Huber, zëvëndësdrejtore e Amnesty International për Europën në një prononcim dhënë korrespondentit të Top-Channel në Londër, Muhamed Veliu, e konsideron kërkesën drejtuar kompanive të celularëve, për marrjen e tabulateve telefonike të katër gazetarëve, nga komisioni parlamentar që heton ngjarjet e 21 janarit si thyerje e të drejtës dhe lirive të gazetarëve për t’u informuar bazuar në të drejtën e informimit të publikut.

“Konfidencialiteti në mbrojtje të burimeve të informimit të gazetarëve është esenciale për lirinë dhe pavarësinë e medias sikurse është edhe integriteti i gazetarëve disa prej të cilëve u dhunuan nga policia më 21 janar në momentet kur ata po kryenin detyrën në raportimin e protestës anti-qeveritare në Tiranë”, thuhet në vijim të deklaratës.

“Amnesty International” në mënyrë të vendosur kërkon të tërhiqet kërkesa e marrjes së tabulatëve dhe se gazetarët duhet të vazhdojnë detyrën e informimit të publikut pa asnjë ndërhyrje.

“Të drejtat e njeriut kërkojnë që gazetarët kanë të drejtë të mbrojnë burimet - thuhet në deklaratë - dhe vetëm në ato raste kur ka një vendim gjykate të bazuar në vlefshmërinë e informacionit që ka burimi për të mbrojtur interesin e publikut ose të drejtat private, vetëm atëherë burimet nuk gëzojnë më mbrojtje”.

Amnesty International e përfundon deklaratën duke ngritur shqetësimin rreth ligjshmërisë së komisionit hetimor parlametar duke deklaruar se: “Amnesty International” vëren se për kushtetutshmërinë e këtij komisioni duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese dhe se komisioni parlamentar duhet të jetë objektiv për të vërtetuar se institucionet vepruan për të mbrojtur dhe ndëshkuar ativitetet kriminale që kishin qëllim sulmin ndaj institucioneve dhe thyerjes së

Mashtrimi nigerian mbërrin në Shqipëri

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nisja e procedimit penal nga policia shqiptare, si të akuzuar për mashtrim ndaj një zyrtari të një banke në Londër dhe dy bashkpuntorëve të tij britanik, është maja e aisbergut e një mashtrimi që ka prodhuruar mijëra viktima në të gjithë botën.

Gjatë javëve të fundit me qindra shtetas shqiptarë përdorues të telefonisë mobile kanë marrë mesazhe në të cilat thuhet se ata janë fitues të 600 mijë paund nga llotaria e kompanisë Nokia.

Por që kjo shumë të behej e tyre ata duhet të paguanin 3 mijë stërlina për shpenzimet ligjore dhe më pas tërheqjen e cmimit të fituar.

Në disa raste mesazhet kërkonin të dhënat personale dhe ato bankare ku do ti transferohej shuma prej 600 mijë stëtlinash.

Top-Channel ka mësuar se të tilla mesazhe kanë mbërritur edhe në telefonin celular të një zëvëndës ministri në kabinetin Berisha dhe në celularin e kryeredaktorit të lajmeve në një prej televizioneve të Tiranës.

Mesazhet dërgohen nga një munër me prefiks 353 që i përket Irlandës.

E gjitha kjo është një formë mashtrimi e vënë në veprim që prej vitit 1980 nga shtetas nigerian që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Në zhargonin e përditshëm të agjentëve të luftës kundra krimit ekonomik në Scotland Yard ky lloj mashtrimi njihet si “Nigerian Fraud” mashtrimi Nigerian që organizohet përmes mesazheve sms, postës elektronike apo dërgimit me postë të një njoftimit për fitimin e një llotarie.

Një studim i kryer në vitin 2006 mbërriti në përfundimin se gjatë një viti në Britaninë e Madhe shuma e përfituar nga gruper kriminale nigeriane përmes këtij mashtrimi ishte 150 miljon stërlina.

Sunday, 30 January 2011

Dita ndërkombëtare e kujtesës nderohet ambasadori Zef Mazi

Nga Londra
Muhamed Veliu

Në ditën ndërkombëtare të kujtesës komuniteti hebre në Londër në bashkëpunim me Forumin e Tre feve në Britaninë e Madhe, kanë vlerësuar ndihmën dhënë hebrenjve, nga shqiptarët gjatë luftës së dytë botërore, duke i akorduar amabasadorit Zef Mazi medaljen e arit të këtij forumi.
Motivacioni medaljes është "Ne shenjë mirënjohje për kontributin e shquar në mirëkuptimin ndërfetar".
Forumi Tre Feve ne Britanine e Madhe, është një organizatë mjaft prestigjoze me qendër në Londër dhe aktivitet të gjerë ndërkombetar.
Ndër një numër kandidatësh, pasi analizoi karrierën dhe veprimtaritë, përzgjodhi dhe unanimisht vendosi që cmimin më te lartë të saj - Medaljen e Arit të Forumit - t'ia akordojë Ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe Zef Mazit në rolin e përfaqësuesit të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Kjo medalje iu dorëzua ambasdorit Mazi , në Qendrën Kulturore Cifute në Londër, duke përkujtuar kontributin unikal që shqiptarët kanë dhënë në mbrojtjen dhe shpëtimin e gjithë hebrenjve që jetonin dhe që erdhën në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore, për t'i shpëtuar shfarosjes naziste.
Pas dorëzimit të medaljes ambasadori Mazi tha se "është vlerësim dhe nder mjaft i madh që kjo Medalje e lartë u vendos që të më akordohet mua, me atë motivacion mjaft domethënës, si përfaqësues i vendit dhe popullit tim, dhe pikërisht në ditën përkujtimore të Holokausttit.
“Jam shumë krenar që kjo medalje do të ndihmojë sado pak për të përmirësuar dhe ngritur lart imazhin dhe emrin e vendit tim në arenën ndërkombetare pikërisht në këto momente" deklaroi ambasadori Mazi.
Një medalje e tillë i është akorduar më parë Mbretëreshës Elisabeta II, ish Presidentit të Gjermaniseë Johanes Rau, Princit Oto fon Habsburg, dhe disa udhëheqësve të tjerë të shquar botëror që kanë kontribuar për të promovuar mirëkuptimin dhe marrëdhëniet paqësore ndërmjet feve.
Me rastin e kesaj ceremonie, Ambasada Shqiptare në Londër në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Cifute , organizuan edhe shfaqen e dy filmave dokumentarë mbi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e cifutëve gjatë Luftës II Botërore.

Friday, 28 January 2011

Drejtësia britanike vendim kundër drejtësisë shqiptare

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e Lartë në Londër nëpërmjet një vendimi, është shprehur se “drejtësia shqiptare nuk ka paraqitur argumentat e nevojshme që vërtetojnë se në Shqipëri rigjykimi personave të dënuar në mungezë zbatohet”.
Kjo gjykatë i ka dhënë të drejtë apelit të shtetasit shqiptarë Astrit Bulla i dënuar në mungesë me 10 vite burg për grabitje me armë, ngjarje e ndodhur në vitin 1996 për të cilën ai ka mohuar autorësinë.
Vendimi ka bllokuar ekstradimin e Bullës pasi gjykata mbërriti në përfundimin se drejtësia shqiptare ka lënë pa sqaruar shumë cështje duke mos ofruar garancitë e duhura për rigjykim.
Një raport i hartur nga një avokat shqiptarë me mbiemrin Gorgji tregon se në shumë raste personat e ekstraduar të dënuar në mungesë nuk u lejojet rigjykimi sic e parashikon ligji shqiptarë dhe konventat ndërkobëtare.
Gjykata e ka marrë për bazë raportin duke kokluduar se përgjigjes së shtetit shqiptarë ndaj këtij raporti i mungonin sqarimet e nevojshme.
Gjithashtu Gjykata e Lartë në Londër ka pranuar vështirësitë në interpretimin e cështjeve të ekstradimit por vëren se interpretimi këtyre cështjeve në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë ka humbur kuptimin.
Në faqen tre të vendimit gjykatësi Lord Justice Sullivan thotë se “nga materialet e paraqitura përpara gjykatës është pothuajse e pamundur të sigurohemi se Astit Bullës do ti lejohet e drejta e rigjykimit”.
Edhe në të shkuarën kjo gjykatë gjatë viteve 2005-2008 është shprehur kundër shtetit shqiptarë për cështjen e rigjykimit duke bllokuar ekstradimin e personave të kërkuar.
Ndërsa gjatë viteve 2008-2010 vendimet e dhëna nuk shprehnin shqetësim për rigjykimin e shtetasve shqiptarë të arrestuar në Angli me kërkesë të drejtësisë shqiptare.
Vendimi i fundit nga kjo gjykatë, është një hap prapa për drejtësinë shqiptare, falë gamimeve të atyre që hartojnë dokumentacionet përkatëse, pasi rasti Bulla i kthyer tashmë në precedent juridik për këtë gjykatë, do të shërbejë për bllokimin e ekstradimeve në raste të ngjashme kur do të kërkohet ekstradimi personave të dënuar në mungesë.

Wednesday, 26 January 2011

Kriza financiare mbyll BBC në Shqip

Nga Londra
Muhamed Veliu

“Ju flet Londra po dëgjoni BBC në Shqip”. Këto fjalë që kanë shoqëruar miljona dëgjues që nga rihapja e seksionit të BBC në Shqip nuk do të kenë mundësi ti dëgjojnë përsëri.

Në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve me 16% shërbimi botëror i BBC ka vendosur ndërprerjen e transmentimeve në gjuhën shqipe dhe katër gjuhëve te tjera.

Ndërprerja e transmetimeve është konfirmuar nga një zëdhënëse e BBC.

Arben Manaj njëri prej themeluesve të BBC në Shqip tha se “kjo mbyllje është për të ardhur keq pasi sipas tij BBC në Shqip ende kishte një rrol për të luajtur në informimin në Shqipëri dhe Kosovë.

“ Vendimi për mbylljen e seksionit tonë dhe disa seksioneve të tjera për arsye financiare është e mirëkuptueshme për vetë situatën e krizës ekonomike” ka deklaruar Manaj.

Dy prej drejtuesve të emisioneve kryesor në Top-Channel Sokol Balla dhe Adi Krasta kanë qenë pjesë e BBC në Shqip.

Sokol Balla e ka komentuar mbylljen si një lajm të keq pasi për të BBC ishte shtëpija e tij profesionale për katër vjet.

“Kam kaluar vite të mrekullueshme dhe ngjarje të mëdha si puci i shtetit në vitin 98, clirimi Kosovës në vitin 1999 apo konflikti në Maqedoni. Gjithsesi mendoj se zbehja e rolit dhe influencës në rajon pas viteve 2002-2003 ishte e prekshme edhe falë rritjes profesionale të medias elektronike lokale. Gjithsesi megjithëse dëgjuesit do ta ndjejnë pak mungesën e BBC në Shqip, sigurisht të gjithë do ndjejmë boshllëkun e madh të shqipes në BBC” ka thënë Balla.

Gjatë viteve të fundit Top-Channel ka patur një bashkëpunim të suksesshëm me BBC në Shqip duke organizuar programin Auditorium në të gjitha qytet shqiptare dhe ato kosovare.

Seksioni shqiptarë në BBC për herë të parë ka nisur transmetimet në gjatë luftës së dytë botërore si Radio Londra për ti ndërprerë ato në vitin 1967 pasi ministria e jashtëme britanike mendonte se kjo radio nuk ishte influencuese për rregjimin e Enver Hoxhës.

Përsëri BBC në Shqip do të shpërndante valët në eter mbrëmjen e 28 shkurtit 1993 duke rifulluar transmetimet pasi gazatari Tim Cook do të ndërtonte një redaksi me gazetarë të përzgjedhur nga Tirana dhe Prishtina.

Paanshmëria dhe influenca e BBC në Shqip nuk do të pëlqehej nga presidenti i athershëm Sali Berisha i cili në vitin 1994 një vit pas rihapjes së BBC në Shqip urdhëroi ndërprerjen e transmetimeve në valën e mesme.

E njëjta situatë do të përsëritej në vitin 1997 kur Shqipëria ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe korrespondentët e BBC në Shqip raportonin zhvillimet nga terreni.

Tuesday, 25 January 2011

Vrau në Angli, pranga në Kosovë

Nga Londra
Muhamed Veliu

“Asnjë nga shtetasit shqiptarë që mundohen t’i fshihen drejtësisë britanike nuk do të mund të jenë të suksesshëm”. Kështu është shprehur detektiv inspektori Nick Sumner i cili hetoi vrasjen e një qytetari britanik me autor një shqiptar.
Gerald Mitre, mëngjesin e 2 janarit 2006, goditi me thikë për vdekje britanikun me ngjyre, Aron Stokes pasi besonte se ai kishte nisur një lidhje me motrën e tij.

Menjëherë pas krimit 25 vjeçari nga Durrësi do të largohej nga Anglia duke i shpëtuar drejtësisë britanike për 6 vjet.

Policia e Kosovës disa ditë më parë bëri të mundur arrestimin e Gerald Mitres i cili në Angli përdorte emrin Aldo Aliaj.

Gjatë javëve në vazhdim pritet ekstradimi i tij në Tiranë.

Provat e siguruara për këtë vrasje në jug të Londrës iu paraqitën nga oficerët e Scotland Yard, gjykatës së Tiranës në vitin 2009 nga ku Gerald Mitre më pas është dënuar në mungesë me 14 vite burg.

“U gëzova shumë kur m’u tregua për arrestimin e vrasësit të djalit tim. Kemi kaluar shumë vite të vështira duke pritur drejtësi për vrasjen e pakuptimtë të Aronit. Na ka munduar shumë gjatë gjithë këtyre viteve fakti se jeta e tij u ndërpre tragjikisht dhe se vrasësi ishte i lirë”, është shprehur nëna viktimës Marilyn Stokes.

Gjatë 10 viteve të fundit 13 shtetas shqiptarë janë dënuar nga gjykatat në Angli me dënime të ndryshme për vrasje të shtetasve britanikë.

Vitin e fundit në 8 raste, oficerët e policisë britanike i kanë paraqitur gjykatave shqiptare provat për krime të emigrantëve shqiptarë, duke siguruar dënimin në mungesë ndaj tyre ose dënimin në prezencë në ato raste kur policia shqiptare ka prangosur të kërkuarit e drejtësisë britanike.

Sunday, 23 January 2011

BBC-“Shqipëria lëshon fletëarresti për pjestarët e gardës"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Koorporata britanike e transmetimeve BBC vazhdon së raportuari rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri duke e vënë theksin në artikullin e sotëm në mos ekzekutimin nga policia të gjashtë fletë arresteve lëshuar nga prokuroria për punonjësit e gardës.

“Shqipëria lëshon fletëarresti për pjestarët e gardës”. Ky është titulli i artikullit rreth kërkesës së prokurorisë shqiptare për arrestimin e 6 drejtuesve të gardës.

“Tre persona u qëlluan për vdekje jashtë selisë së kryeministrit Berisha të premten” shkruan BBC. Artikulli vijon duke iu referuar pamjeve të transmetuara në televizionet e Tiranës. BBC duke iu referuar këtyre pamjeve, raporton se imazhet e transmetuara tregojnë se të shtënat vinin nga brenda godinës së kryeministrisë.

Artulli BBC-së sqaron se akuzat e ngritura për drejtuesit e gardës kanë të bëjnë me “tejkalim të kompetencave”.

Gjithashu kjo media britanike thekson se tashmë këto fletë arresti të lëshuara nga prokuroria nuk janë ekzekutuar ende nga policia. Kronologjia e asaj që ndodhi të premten është vijimi artikullit ku citohen deklaratat e zotit Berisha i cili fajësojn opozitën.

“Tensioni në Shqipëri u rrit pasi Ilir Meta njëri prej aleatëve më të të rëndësishëm të kryeministrit Berisha dha dorëheqjen javën e shkuar si i akuzuar për korrupsion” shkruan BBC.

“Shqipëria është njëri prej vendeve më të varfra në Europë” rikujton BBC.

Shpresat e këtij vendi për t’iu bashkuar Bashkimit Europian janë të vështira dhe për momentin kanë mbetur në vendnumëro pasi ende nuk ka provuar se faza e tranzicionit ka mbaruar dhe një demokraci funksionale është në zbatim.

Lajmi për lëshimin e urdhër-arresteve ndaj 6 anëtarëve të Gardës së Republikës është pasqyruar gjërësisht edhe nga CNN që i ka kushtuar një vëmendje të vecantë edhe retorikës politike të ashpër që po shoqëron vendin pas protestës të së premtes

Thursday, 13 January 2011

Britani, penalizim deputetit abuzoi me fondet

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një tjetër deputet britanik pritet të dënohet nga gjykata, pasi në mënyrë të jashtëligjëshme përfitoi 14 mijë stërlina nga fondi i shpenzimeve që kanë deputetët.
Eric Illsley, i cili është deputet, ka pranuar akuzat për shpërdorim të fondeve publike duke deklaruar se përpara seancës së ardhëshme ku do t’i lexohet masa e dënimit ai do të largohet nga Parlamenti, duke e cuar zonën e tij elektorale në zgjedhje të parakohëshme.

Përpara pranimit të akuzave në gjykatë, deputeti Eric Illsley tha se ai i kërkonte falje votuesve të tij, familjes dhe miqve për turpin e shkaktuar nga ky veprim, për të cilin ndjente keqardhje.

“Kam nisur të paketoj materialet e zyrës time në Parlament, pasi kam vendosur ta dorëzoj mandatin e deputetit përpara përaqitjes së ardhëshme në gjykatë”, deklaroi ai.

Illsley që prej vitit 1987 është zgjedhur deputet në disa legjislatura nga partia Laburiste, e cila e përjashtoi nga radhët e saj që në momentin kur prokuroria ngriti akuzat.

Ishte lideri i Laburistëve, Ed Milliband ai i cili kërkoi largimin nga Parlamenti të ish-kolegut të tij.

Javën e shkuar një tjetër deputet britanik u dënua me 18 muaj burg për të njëjtat akuza. David Caytor ka nisur ta vuajë këtë dënim në burgun Wansworth, pasi pranoi akuzat për përfitimin në mënyrë ilegjitime të 13.500 stërlinave.

Tre nga katër deputetët e tjerë të akuzuar për abuzim me fondet që janë nga partia Laburiste kanë dhënë dorëheqjen nga politika.

Dy deputetë të tjerë, Jim Devine dhe Elliot Morley do të gjykohen gjatë muajve në vazhdim pasi prokuroria ka mbyllur hetimet.

Skandali i abuzimeve me shpenzimet nga deputetët britanikë u zbulua vitin e kaluar përmes një sërë investigimesh të publikuara nga gazetarët e së përditëshmes “Daily Telegraph”.

Wednesday, 12 January 2011

Julian Assange rrezikon dënimin me vdekje

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nëse Julian Assange do të ekstradohet në Suedi atëherë një veprim i tillë do t’i hapë rrugë dërgimit në burgun famëkeq të Guantanamo Bay ose dënimit me vdekje.
Ky është njëri prej argumentimeve juridike të formuluara nga avokatët e Assange pjesë e kundërshtimit të ekstradimit që do t’i paraqitet gjykatës në seancën e 7 shkurtit.

Sipas avokatëve menjëherë pas ekstradimit në Suedi, SHBA mund të kërkojnë një ekstradim ose rrëmbim të jashtëligjëshëm duke e dërguar në Guantanamo Bay ose diku tjetër.

Dokumenti hartuar nga avokatët mbrojtës, përbëhet nga 35 faqe. Në të trajtohen më së shumti të drejtat e njeriut që shkelen, nëse ekstradimi lejohet dhe në vecanti analizohet frika e mos dhënies së garancive nga Amerika për mos ta dënuar atë me vdekje.

*Abuzimet me procesin e ekstradimit pasi Assange nuk ka në dispozicion të gjitha provat që posedon Suedia.

*Mos vlefshmëria e mandatit të arrestit.

*Mënyra e hetimit dhe rihapjes së cështjes nga prokurorët suedez.

*Tentativat politike që fshihen pas kërkesës së ekstradimit janë disa prej cështjeve që formojnë argumentat e mbrojtjes kundra ekstradimit.

Gjykatësi Anthony Evans më 7 dhe 8 Shkurt do të dëgjojë palët për të dhënë vendimin disa javë më pas.

Julian Assange pas përfundimit të seancës së djeshme deklaroi se ishte i vendosur të vazhdonte publikimin e kabllogramëve të diplomacisë amerikane.

“Puna jonë me WikiLeaks vazhdon e pandalshme. Ne do ta intensifikojmë publikimin e ‘CableGate’ dhe të tjera materialeve. Ato do të publikohen në bashkëpunim me mediat tona partnere në të gjithë botën gazeta të mëdha dhe të vogla përfshi disa organizata të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Ekstradimi i Assange do të jetë një sagë më vete pasi nëse gjykatësi Evans lejon ekstradimin ish-hakeri australian ka të drejtën e apelit në Gjykatën e Apelit, atë Supreme në Angli përfshi Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut në Strasburg

Tuesday, 11 January 2011

Julian Assange sërish përpara gjykatës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Julian Assange themelues i WikiLeaks ka dalë përsëri përpara një gjykate londineze në të cilën zakonisht paraqiten të akuzuarit për akte terroriste, në një seancë gjyqësore me qëllim përgatitjen e nisjes së proçesit të ekstradmit.

Për seancën e sotme ishte zgjedhur gjykata Belmarsh Magistrate Court e ndërtuar disa vite më parë posaçërisht për gjykimin e të akuzuarve për terrorizëm.

Nën shoqërinë e dy gardianëve, përballë një xhami të blinduar 39 vjeçari me origjinë australiane, ka ndjekur i qetë bashkëbisedimin mes avokatit, përfaqësueses të Suedisë dhe gjykatësit.

Të vetmet fjalë që ai shqiptoi në gjykatë ishte emri, adresa dhe mosha kur u pytet t’i deklaronte ato.

Njeriu që tronditi diplomacinë amerikane me publikimin e kabllogramëve, kërkohet të ekstradohet nga Suedija, për ngacmim seksual dhe përdhunim të dy grave ndodhur vitin e shkuar akuza të cilat ai i ka mohuar.

Nën drejtimin e gjykatësit Nicolas Evans seanca e sotme ka zgjatur vetëm 10 minuta ku është vendosur se kur do të zhvillohet seanca e ardhshme, ku do të shqyrtohet kërkesa e ekstradimit.

Gjykatësi Evans vendosi datat 7 dhe 8 shkurt për shqyrtuar kërkesën suedeze duke e lënë Assange të lirë me kusht duke u paraqitur, në polici dhe nën një monitorim elektronik.

Seanca e sotme është ndjekur nga më shumë se 200 gazetarë të mediave botërore duke transmetuar live nëpërmjet rrjetit social Twitter, zhvillimet në gjykatën londineze.

Falë këtij interesimi avokati mbrojtës Geofrey Roberson i kërkoi leje gjykatës që t’i shpërndajë medias argumentat kundra ekstradimit.

Gjykatësi Nicolas Evans e ka pranuar kërkesën duke lejuar shpërndarjen e këtij dokumenti në fillim të seancës së ardhshme.

Avokatët e Julian Assange që kundërshtojnë ekstradimin e kanë cilësuar atë si të motivuar politikisht me qëllimin final ekstradimin e tij në Amerikë

Angli-Rreh fëmijën, dënohet emigranti shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrant shqiptar është përballur me ligjin anglez për rrahjen e fëmijës 2 vjeç, duke i shpëtuar një dënimi me burg pasi pranoi akuzat për goditjen e të miturit.

Gjykatës së krimeve Snaresbrook Crown Court iu tregua me detaje se si Artan Galica rrahu të miturin si ndëshkim për sjellje të keqe.

Galica, 25 vjeç, me profesion kamarier në një restorant ishte duke lyer me bojë dhomën e fëmijëve kur është mërzitur nga sjellja e 2 vjeçarit të cilin ka nisur ta godasë me forcë duke i shkarkuar dëmtime trupore.

Prokurori i çështjes tha se ishte nëna e të miturit ajo e cila dalloi dëmtimet kur po e lante 2 vjeçarin.

Emiganti Artan Galica pranoi në gjykatë akuzën për dëmtime trupore të fëmijës duke i shpëtuar një burgimi që për këtë vepër penale, ndëshkohet deri me 5 vite burg nëse nuk pranonte fajin.

Pranimi fajësisë është vlerësuar nga gjykatësi i cili shprehu habi për dhunën e panevojshme, ndaj të miturit duke e dënuar Galicën me 100 orë punë vullnetare.

Rrahjet e të miturve merren shumë seriozisht në Britaninë e Madhe veçanërisht pas disa çështjeve kriminale me profil të lartë dy vitet e fundit, kur nga rrahjet e prindërve apo kujdestarëve të miturit kanë gjetur vdekjen.

Monday, 10 January 2011

Angli-"Herkuli” shqiptar mohon akuzat për trafik droge

Nga Londra
Muhamed Veliu

Xhimi Marku, tre herë fitues i konkursit “Burri më i Fortë në Angli” i ka mohuar akuzat si i përfshirë në trafik droge.

Paraditen e së hënës ai ka dalë përpara Gjykatës së Krimeve në Harrow për t’u shprehur rreth akuzave të ngritura.

Marku së bashku me dy persona të tjerë është arrestuar më 19 nëntor 2010 me 10 kg kanabis sativa në zonën Willesden Green në veri të Londrës.

Menjëherë pas arrestimit zyra e shtypit e Scotland Yard tha se arrestimi ishte zhvilluar pas një informacioni të siguruar për shit-blerje të një sasie droge.

36 vjecari Marku në mënyrë kategorike ka mohuar përfshirjen në këtë aktivitet kriminal. Dy të bashkëakuzuarit me Markun, shqiptari Adriatik Dosti 27 vjec dhe irlandezi i Hugh McCourt 40 vjec, pranuan akuzat për posedim të lëndës narkotike me qëllim shpërndarje.

Dostit dhe Mccourt do t’i lexohet masa e dënimit në javët në vazhdim ndërsa Xhimi Marku do të gjykohet për posedim dhe shpërndarje droge më 21 Mars.

Mbetet ende e paqartë përfshirja e Markut në këtë histori por me sa duket ai është ndodhur në vëndim e gabuar në momentin e gabuar kur ka ndodhur arrestimi.

Në komunitetin shqiptar në Angli ai është parë gjithmonë si një shqiptar i suksesshëm dhe model për t’u ndjekur nga të rinjtë shqiptar. Gjatë të gjitha pjesmarrjeve në konkursin “Burri më Fortë” megjithëse Marku ka përfaqësur Anglinë ai gjithmonë me krenari ka pohur origjinën shqiptare.

Lajmi për arrestimin e tij ka ardhur shumë papritur dhe si një tronditje për komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe që krenonet me një sportist të llojit të vecantë sic është Xhimi Marku.

Londër, gjykata lejon ekstradimin e Riza Vatocit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e ekstradimeve në Londër i ka hapur dritën jeshile ekstradimit për në Shqipëri të një shtetasi shqiptar i arratisur nga Burgu i Lezhës në vitin 1997.

Riza Vatoci kërkohet të ekstradohet, pasi është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Krujës për tentativën e vrasjes në vitin 1996 të Përparim Gjonajt duke e goditur atë 6 herë me armë zjarri.

Për 39-vjeçarin me origjinë nga Tropoja ky ishte procesi i dytë i ekstradimit në ngarkim të tij nga ku ai ka mohuar të jetë personi që kërkon drejtësia shqiptare.

Në vitin 2009 Vatoci që udhëtonte me një pasaportë britanike është arrestuar në Bolonja.

Disa muaj më pas për mungesë provash gjykata e këtij qyteti e ka lënë të lirë për t’u rikthyer në Angli ku është arrestuar përsëri në tetor 2010.

Zyra Interpol Tiranes ka siguruar disa foto të vjetra të Riza Vatocit të cilat ishin pika e kthesës për të vërtetuar se personi arrestuar është ai i cili tentoi vrasjen e Përparim Gjonajt.

Gjykatësi David Colman që lejoi ekstradimin e Vatocit, tha se të gjitha provat përpara tij janë të mjaftueshme të vërtetojnë se personi përpara kësaj gjykate është ai që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Riza Vatoci kishte mbërritur në Angli si azilant politik në vitin 1999 duke përdorur po këtë emër, por duke ndryshuar datën dhe vendin e lindjes.

Megjithëse ai ishte në listat e personave të kërkuar të Interpolit, kishte mundur që në vitin 2005 të përfitonte një pasaportë britanike, pasi kishte fituar nënshtetësinë.

Sunday, 9 January 2011

Pranga londineze vrasësit Marash Gjoka

Fshihej në Angli që prej vitit 1999. Interpol Tirana 8 muaj hetime për të zbuluar vendfshehjen

Nga Londra
Muhamed Veliu

Policia kriminale londineze Scotland Yard ka prangosur për llogari të drejtësisë shqiptare njërin prej 200 shtetasve shqiptarë më të kërkuar në të gjithë botën nga Interpoli.Marash Gjoka është prangosur mbrëmjen e të mërkurës në zonën Lewisham ne Londer, duke pretenduar se ai ishte një shtetas kosovar me emrin Mark Toma.
48 vjecari Gjoka i skeduar në kartelat e kuqe të Interpolit, është dënuar nga gjykta Lezhës me 20 vite burg për vrasje.
Nga fletë arresti ndërkobëtar mësohet se në muajin Maj 1999 tek vendi i quajtur Ura Lezhë, ai ekzekutoi me armë zjarri Tonin Dashin.
Pas vrasjes Gjokaj me origjinë nga Velipoja është larguar nga Shqipëria për tu fshehur në Angli.
Vëndfshehja e vrasësit Gjoka u zbulua pas 8 muaj hetimesh të Interpol Tiranës dhe oficerit të ndërlidhjes së polisicë shqiptare pranë Ambasadës shqiptare në Londër, të cilët kishin siguruar informacione se ai fshihej në shtetin ishull.
Marash Gjoka ka dalë përpara gjykatës së ekstradimeve, duke u shtirur sikur nuk kuptonte atë c’ka po thoshte gjykatësi gjatë procesin e ekstradimit dhe duke shfaqur shenja të një tronditje psiqike.
Ai refuzoi të ekstradohet vullnetarisht për në Shqipëri duke mbetur në paraburgim deri seancën e radhës më 2 Shkurt.
Zyrtarë të lartë të policisë shqiptare vitin e shkuar i deklaruan medias britanike se 80 vrasës shqiptarë fshihen në Britaninë e Madhe. Të dhënat e tyre i janë dërguar Scotland Yard.
Arrestimet e disa shqiptarëve “wanted” vitin e shkuar janë mundësuar falë një bashkëpunimi të gjerë mes zyrës së Interpol Tiranës dhe homologëve britanik.
Megjithatë numri personave të arrestuar dhe ekstraduar në Shqipëri nga Britania e Madhe është i ulët në krahasim me vendet fqinjë si Italia apo Greqia.
Anglia ka një sistem shumë strikt, procedurash ekstradimi që zgjasin 6 dëri në 12 muaj.
Arrestimi i Marash Gjokës e con në tetë numrin e shqiptarëve të arrestuar në Angli në pritje të perfundimit te procedurave të ekstradimit.

Thursday, 30 December 2010

Rooney zbulon talentin shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Wayne Rooney, njëri prej futbollistëve më të suksesshëm për momentin në futbollin anglez, e ka shpalosur talentin që kur ishte fëmijë, fillimisht duke shkelmuar topin nëpër rrugët e qytetit të Liverpoolit.

Duke mos harruar fëmijërinë e vështirë dhe dëshirën për t’u bërë futbollist, çdo vit në bashkëpunim me stacionin televiziv SKY, ai zhvillon një konkurs për të zbuluar talente futbolli.

Këtë vit në edicionin e tretë të konkursit “Futbollistët e rrugës të Wyane Rooney-it” u paraqitën 3 mijë persona nga të cilët u përzgjodhën 100 dhe më pas 10 ku mes tyre ishte edhe një shqiptar.

Shpresim Vulaj, i cili jeton në Londër, kaloi me sukses të gjitha fazat e konkurrimit duke mbërritur në finale ku morën pjesë tre konkurrues.

19-vjeçari i veshur me një bluze të kuqe dhe shqiponjë të zezë, është duartrokitur nga të pranishmit, mes tyre shume shqiptarë, në finalen e zhvilluar në Manchester dhe të ndjekur nga miliona britanikë përmes SKY.

Shkodrani Vulaj, i cili ka shpalosur një teknikë të lartë në gjuajtjen e topit, është renditur i treti, pasi është përpjekur të japë maksimumin gjatë një ushtrimi të vështirë.

Ai është një djalë i qetë që flet pak, por ama me pasion për këtë eksperiencë të bukur dhe të vlefshme në konkursin e Wane Rooneyit.

I shoqëruar nga babai Xhelal Vulaj, e takojmë Shpresimin në veri të Londrës, jo shumë larg zonës ku ai banon. E pyesim në fillim si i lindi ideja për t’u paraqitur në fazën seleksionuese të këtij konkursi.

“Kisha dy vjet që e ndiqja këtë program nga ku më lindi dëshira për të marrë pjesë, pasi isha i bindur që do t’i kaloja provat për të mbërritur në finale”, thotë Vulaj.

Shpresimi tregon se gjatë të gjithë konkursit Rooney shikonte për ata konkurrentë që kishin cilësi të veçanta mbi të gjitha vlerësonte teknikën. Përpara çdo ushtrimi ai vetë kryente demonstrimin.

“Ishte privilegj, njëkohësisht një eksperiencë e jashtëzakonshme, për mua të merrja instruksione për kryerjen e ushtrimeve nga një futbollist i cilësuar si George Besti i ri. Rooney ishte një djalë i thjeshtë, pa çka se ai tashmë ka statusin e njërit prej yjeve të futbollit anglez”, tregon Shpresimi.

Katër episodet e finales janë regjistruar në Manchester ku nuk ka në munguar edhe surprizat për tre finalistët.

Shpresimi tregon se një natë më parë na u tregua se Rooney i kishte ftuar të ndiqnin një ndeshje të nesërmen të Manchester United në Old Trafford.

Për të marrë tre finalistët, ai dërgoi një limuzinë dhe kishte rezervuar një prej bokseve VIP nga ku tre finalistët e ndoqën ndeshjen.

Gjatë njërës prej ditëve kur po xhirohej programi, Wayne kishte ditëlindjen. Shpresimi do t’i dhuronte një bluzë të kuqe me shqiponjë të cilën e ai e pëlqeu.

Ky moment është filmuar dhe transmetuar në puntatën e tretë ku Rooney thotë “më pëlqen”. “Kjo është në shenjë mirënjohjeje për ndihmën dhe këshillat e tua gjatë këtij konkurrimi .Kur të mbaroj konkurrimin e sotëm, do ta firmos”, i ka thënë i riu shqiptar, duke bërë shaka.

Dita e finales është pritur me tension nga tre konkurrentët të cilët e shprehin atë haptas gjatë intervistave përpara mbërritjes në sallën e përzgjedhur për dy ushtrimet finale.

I pari që nis ushtrimin e finales është Shpresimi. Nga tre tuba plastike lëshohen topa, ku konkurrenti me dy prekje duhet t’i fusë në një kuti që saj vjen dhe largohet nga pozicioni i tij.

Shpresimi arriti të fusë në kuti pesë topa gjatë kohës së lejuar. Shtatë topa futi në kuti konkurrenti i dytë dhe nëntë i treti. Vendimi i Rooneyt ishte i vështirë, siç edhe ai e thotë vetë gjatë programit.

I larguari ishte Shpresim Vulaj, të cilit i uron fat. Fitimi i konkursit pa dyshim do të ishte një arritje madhore për të. Megjithatë, mbërritja në finale i shërben promovimit të tij për të ardhmen.

Ai nuk është aspak i dekurajuar përse zuri vendin e tretë, por premton se do të marrë pjesë përsëri vitin e ardhshëm duke tentuar fitimin e vendit të parë.

I riu shqiptar që bëri realitet këtë dëshirë, ka nisur të luajë futboll që në moshën 9-vjeçare, kur tërhoqi vëmendjen e agjentëve nga qendra e zbulimit të talenteve në ekipin e Tottenhamit.

Më pas ai ka luajtur me disa ekipe të 13-vjeçarëve si ato të Southamptonit, Harringeyt dhe Kentish Town në Londër në ligat semiprofesionale.

Pasi ka kaluar me sukses dy kurse të FIFA-s, Shpresim Vulaj aktualisht punon edhe si trajner pranë ekipit të Arsenalit, për moshat 5 deri 15 vjeç.

Dëshira e tij e madhe është aktivizimi në ligat profesioniste angleze, duke përfshirë veshjen e fanellës së përfaqësueses shqiptare për të rinj.

Tuesday, 21 December 2010

Britani, ministri "rrebel" ne kurthin e gazetareve investigative

Nga Londra
Muhamed Veliu

Zërat për një sërë problemesh në gjirin e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri David Cameron janë vërtetuar përmes një investigimi nga dy gazetarë të së përditshmes “Daily Telegraph”.

Është Vince Cable, ministri që mbulon çështjet e biznesit, nga Partia Liberal Demokrate që ka shprehur një mori pakënaqësish gjatë një bisede me dy gazetarët e paraqitur si votues në zonën e tij elektorale.

Cable gjatë bisedës të regjistruar në mënyrë sekrete tha se ai ka të gjitha mundësitë për të rrëzuar qeverinë nëse ai do të shtyhet për të bërë më shumë se ç’është e mundur nga kolegët e tij konservatorë.

I pyetur nga gazetarët investigativë se çfarë influence ai ka në qeverinë e kryeministrit Cameron, ministry ka dhënë këtë përgjigje:

“Dua të jem shumë i siqertë me ju. Unë kam një mundësi nukleare. Është njësoj si të luftosh një luftë. Ata e dinë që unë kam një armë nukleare, por unë nuk kam ndonjë armë konvencionale. Nëse do të shtyhet për të bërë më shumë se ç’është e mundur, atëherë unë largohem nga kabineti qeveritar duke e rrëzuar qeverinë. Ata e dinë këtë”, ka deklaruar Cable.

Më tej gjatë bisedës zoti Cable ka ilustruar situatën brenda koalicionit me detajet e disa debate mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve siç janë ato për bankat, çështjet e emigracionit apo rritjen e tarifës për të ndjekur universitet.

Si një betejë konstante e ka cilësuar ai atë që po ndodh mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Këto deklarata padyshim do të shkaktojnë një valë tronditjeje në politikën britanike.

Jo vetëm kaq, por edhe do të ngrenë një sërë pikëpytjesh për vijimin e koalicionit pasi deklaratat e Cable një politkan popullor tek Liberal Demokratët, janë të sinqerta gjatë bashkëbisedimit.

Kur Daily Telegraph ka kontaktuar Vince Cable të komentonte deklaratat e regjistruara ai ka shprehur keqardhje duke u ndjerë i turpëruar, për të tilla deklarime dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga qeveria.

Daily Telegraph ka premtuar publikimin e të tjera investigimeve në ditët në vazhdim, përmes të cilave do të tregohen pakënaqësitë e aleatëve Liberal Demokrat në qeverinë Cameron.

The Times ,Thaci "Akuzat e Marty, propagandë fashiste"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Prestigjozja britanike “The Times” ka zhvilluar një intervistë me Hashim Thacin, ku ai ka follur rreth trillmeve të Dick Marty.

Që në fillim të intervistës, ish-lideri i UCK-së i cilëson akuzat e Marty si një propogandë fashiste, e frymëzuar nga lobet anti-kosovare.

Sikurse edhe në deklarimet e mëparshme, Thaci në mënyrë kategorike i ka mohuar akuzat duke i treguar “The Times” se ai asnjëherë nuk është përfshirë në trafikun e drogës, apo të ketë urdhëruar vrasje, apo të ketë vrarë vetë ndonjë person.

“Jam tërësisht i pastër ndaj këtyre pretendimeve. Jam i qetë. Unë jam akuzuar për të tilla gjëra që 15 vjet më parë dhe e di që për Europën dhe Amerikën këto akuza nuk janë gjë tjetër përvec se gënjeshtra”, ka deklaruar lideri Partisë Demokratike të Kosovës.

Edhe njëhërë tjetër, nëpërmjet gazetës britanike, Hashim Thaci ka treguar vendosmërinë e tij për t’i cuar në gjykatë shpfijet e senatorit zviceran.

Në vijim të intervistës, Thaci është shpehur se këto akuza nuk e ndalojnë atë që të vazhdojë me axhendën politike që ai ka. “Tre kanë qënë qëllimet madhore në jetën time”, thotë Thaci për “The Times”, duke i shpjeguar ato.

“Clirimi i Kosovës duke udhëhequr shqiptarët gjatë luftës në vitin 1999, shpallja e pavarsisë në 2008 dhe tani sfida më e madhe, integrimi i Kosovës në NATO dhe BE”, ka deklaruar Thaci.

“Tipa si Dick Marty nuk mundën të më ndalonin mua në realizimin e dy qëllimeve të para. Po ashtu nuk do të munden të më ndalojnë në përmbushjen e qëllimit të tretë”, ka theksuar ai.

I kontaktuar nga “The Times”, Dick Marty nuk ka pranuar të komentojë rreth rasportit dhe kundërshtimeve nga pala kosovare.

Monday, 20 December 2010

Ekpertja e OKB Anna Di Lellio: " Dick Marty nuk ka prova"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Anna Di Lellio është një emër i njohur në qarqet ndërkombetare dhe ato politike në Kosovë. Ajo është një sociologe dhe gazetare e cila ka shërbyer në Kosovë si konsulente e Kombeve të Bashkuara duke kryer një sër detyrash. Që prej vitit 1999 Di Lellio është një observuese dhe njëkohësisht raportuse e ngjarjeve të atjeshme duke i publikuar ato nëpër gazetat më me emër në Europë dhe Amerikë.
Aktualisht ajo është profesoreshë e mardhënieve ndërkombëtare në universitetin e “New School të New Yorkut”. Gjatë një interviste ekskluzive për Top-Channel unë fillimisht e pyeta zonjen Di Lelloi se cila është pikëpamja e saj rreth akuzave tejet të rënda në raportin e publikuar nga Dick Marty.

Nuk mund të komentoj me saktësi rreth këtyre akuzave pasi nuk e kam lexuar raportin. Ato janë thjesht akuza bazuar në thënie të ndryshme të cilat meritojnë një hetim të plotë në mënyrë që cilido më pas të komentojë rreth tyre.

Gjatë kohës që keni punuar në Kosovë a keni dëgjuar rreth të tilla krimeve monstruoze të kenë ndodhur gjatë luftës sic përshkruhen në raport?


Jo. Kurrë nuk kam dëgjuar të tilla gjëra. Unë kam mbërritur në Kosovë në vitin 1999 ekzaktësisht në përfundim të luftës. Përpara se të mbërrija atje isha në kampet e refugjatëve në Shqipëri. Kurrë nuk dëgjuar të tilla gjëra por e para herë që kam dëgjuar ishte në 2004 kur për herë të parë akuza të tilla u bënë publike nga Carla Del Ponte e cila hetoi këto akuza por pa sukses. Është disi e cuditshme që po të njëjtat akuza ringrihen përsëri.


A besoni se raporti në vetvete ka prova të mjaftueshme ku t'i mbështesë akuzat?
Jo. Raporti nuk ka paraqet ndonjë provë është thjesht i bazuar në gojdhëna të ndryshme. Unë mendoj se do të jetë në interes të zotit Thaçi si ish-udhëheqës i UCK-s të kërkojë një hetim të plotë. Unë nuk dua të them që jam 100% e sigurtë por jam shumë e sigurtë se anjë gjë nuk ka për tu vërtetuar apo gjetur në këto akuza të përmendura në raport.

Pas publikimit të këtij raporti, mendoni se komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka arsye të fortë për të nisur një hetim kriminal?

Po, unë besoj se janë arsye të forta për një hetim të tillë nga Këshilli Europës. Është në interes të personave të përmenduar në raport, të nis një hetim që do të provojë pafajsinë e tyre. Nuk e kuptoj pse njerëzit janë të mërzitur nga e gjithë kjo histori. Këto akzua janë të ngjashme me ato të ngritura në “Librin e Bardhë” që flet për terrorizmin shqiptarë të publikuara në anglisht nga Ministria e Jashtëme serbe disa vite mëparë. Ky ishte një libër që tentonte të kriminalizonte UCK-të gjithë luftën e tyre, pa patur asnjë provë.

Padyshim që ky raport ka dëmtuar figurën e zotit Thaci njëkohësisht imazhin e Kosovës. Zoti Thaci i ka mohuar të tilla akuza. Cila do të jetë rruga më e mirë që ai ta pastrojë emrin e tij nga këto akuza?

Mendoj se ai duhet të kërkojë një hetim. Nuk duhet ti frikësohet anjë hetimi. Nëse ai e bën një gjë të tilla atherë përvec se do të pastrojë emrin e tij njëkohësisht kjo do të vlejë për të gjithë. Të tilla akuza u ngritën disa vitë me parë por kurrë nuk u materializuan në prova. Janë shfaqur përsëri . Vetëm një investigim i plotë do ti qëtësojë ata që përmend në të.

Di Lellio në fund të intervistës thotë se për të ky nuk është një lajm i ri duke marrë si shembull një raport të BBC-së për “Shtëpinë e Verdhë” e cila është në qendër të historisë së tregtisë së organeve. Sipas saj do të jetë një zhvillim interesant për këto gazeta dhe televizione serioze të arrinë e të zbulojnë që këto akuza kanë baza.

Sunday, 19 December 2010

John Terry “Makina e bllokuar në Tiranë s’është e imja”

John Terry “Makina e bllokuar në Tiranë s’është e imja”

Nga Londra
Muhamed Veliu


Dy ditë më parë, burime policore të cituara nga disa media shqiptare, me plot vendosshmëri dhe siguri, kishin raportuar, për bllokimin në rrugët e Bllokut në Tiranë, të makisës së vjedhur që i përkiste futbollistit John Terry.


Sipas po të njëjtave burime makina kishte dy vjet, që i ishte vjedhur kapitenit, të ekipit të Celsit dhe skuadra e antitrafiqeve në Tiranë kishte përdorur sistemin GPS për ta lokalizuar.

Top-Channel ka mundur të hedhë dritë mbi këtë ngjarje duke zbuluar të kundërtën e këtyre deklarimeve.

Makina me targa angleze LT55EUO bllokuar nga policia e Tiranës javën e shkuar nuk i përket aspak John Terryt.

Është zoti Phil Hall nga kompania PHA-Media i cili kryen rrolin e zëdhënësit për futbollistin e kombëtares angleze, që mohon në mënyrë kategorike se makina në fjalë i është vjedhur klientit të tij .

“Jo. Ajo makinë nuk i përket John Territ. Ai kurrë nuk ka patur ndonjë makinë që ti vidhet. Nuk kam c’të them më shumë. Ata e kanë dhënë komplet gabim këtë gjë”.

Gjithashtu të kontaktuar përmes telefonit Scotland Yard në Londër dhe policia e zonës Surrey ku jeton John Terry konfirmuan se nuk kanë ndonje denoncim nga ky person apo të afërmit e tij, për makinë të vjedhur.

Nga kontrolli në një faqe të specializuar interneti në Angli, të targës së makinës të bllokuar rezulton se kjo makinë është e vjedhur dhe denoncuar në polici më datë 26 Tetor 2010, dhe jo dy vjet më parë sic deklarojnë burimet policore.

Një zëdhënëse e policisë së Tiranës deklaroi se “Interpoli është duke punuar për këtë cështje por ende nuk ka një denononcim nga personi në fjalë” pra John Terry”.

E gjithë kjo histori i ngjan një propagande të shëmtuar nga ata që e kanë orkestruar lëshimin e lajmit ndoshta me qëllimin final, për ti bërë qejfin shefave të tyre, pse jo edhe vetë ministrit të rendit Lulzim Basha se kishin mundur me sukses të bllokonin, makinën e vjedhur të John Territ.

Friday, 17 December 2010

Shtyhet ekstradimi i Kumbaros per ne Shkurt 2011

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ilir Kumbaro do t’i kalojë festat e fundivit i lirë me kusht për t’u përballur përsëri me drejtësinë britanike në fillim të vitit të ardhshëm kur do të shqyrtohet kërkesa e drejtësisë shqiptare që kërkon ekstradimin.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore 17 Dhjetor 2010, përfaqësuesja e shtetit shqiptarë Rachel Scoot dhe John Jones, avokati Kumbaros, i kanë kërkuar bashkarisht, gjykatësit Haward Riddle shtyrjen e seancës ku palët do të paraqesin argumentat dhe kundra argumentat.

“Jemi në pritjeve të zhvillimit të një seance në kolegjet e bashkuara pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë për të cilën na është thënë se do të zhvillohet gjatë muajt shkurt”, ka thënë prokurorja Scoot.

Ndërsa avokati Jons, krahas mbështetjes së kësaj kërkese, i kërkoi gjykatësit Riddle lehtësimin e kushteve të lirisë me kusht për ish drejtorin e Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, përfshi abuzime me detyrën.

Sipas avokatit Johns, është e tepër paraqitja Ilir Kumbaros tre herë në javë në një stacion policie, ndërkohë që ai monitorohen çdo ditë nga një cip elektronik.

Krahas pranimit të kësaj kërkese që Kumbaro të paraqitet vetëm një herë në javë në stacionin e policisë gjykatësi Haward Riddle paralajmëroi palët se pavarësisht zhvillimeve në Tiranë ai është i prirur të shqyrtojë këtë çështje sipas ligjit britanik të ekstradimeve.

Ilir Kumbaro do të paraqitet përsëri përpara kësaj gjykate me 11 shkurt 2011 ku do të vendoset, data finale e zhvillimit të seancës së ekstradimit.

Thursday, 16 December 2010

Vilionistja Dizdari, sukses i pandalshem në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Violinistja shqiptare Alda Dizdari po korr sukses me interpretimin e saj në koncertin më të fundit në Hollin Mbretëror të qëndrës kultutore në Southbank të Londrës.

Koncerti titullohej “Brahm’s Univers” ku ajo ka interpretuar të gjitha sonatat nga kompozitori Brahm.

Pas deputimit në sallën prestigjoze të koncerteve Wigmore Hall në Londër në muajin korrik, ky koncert ishte suksesi i radhës për Aldën, duke u vlerësuar maksimalisht nga publiku dhe media.

Alda Dizdari, tashmë është një emër i spikatur në qarqet artistike në Londër falë një talenti të vecantë.

Gjithashtu falë interpretimeve të shkëlqyera ajo ka bërë emër si soliste nëpër skenat botërore ku ka dhënë koncerte si pjesë e orkestrave më me emër në botë. Rruga drej një kariere tashmë të konsoliduar për violinisten shqiptare ka nisur në Shqipëri në moshën 5-vjecare, kur ajo u dashurua pas instrumentit të violinës, më pas në Rumani ku ajo ka kryer universitetin, masterin në Amerikë dhe së fundmi vijimin e studimeve të avancuara për solistikë në Londër .

Sean Rafferty drejtues i emisionit prestigjon “In Tune” në BBC Radio 3 e ka ftuar Alda Dizdarin ne disa emisione live ku ajo ka interpretuar.

“Interpretim i jashtëzakonshëm. Një artiste e shkëlqyer. Një fillim i mbarë për një violinist shqiptare” me këto fjalë Sean Rafferty komenton interpretimin e saj në studion e BBC-Radio 3.

Instrumenti, që përdor zonjusha Dizdari, është një violinë e Gian Battista Ceruti, Cremona prodhuar në vitin 1791, e cila i është dhuruar nga një sponsor privat.

Julian Assange fiton apelin, gjykata i jep liri me kusht

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas një seance gjyqësore dramatike, në Gjykatën e Lartë në Londër të ndjekur nga 200 gazetarë të mediave botërore, shefi Wikileaks Julian Assange ka fituar lirinë me kusht.

Gjykatësi Duncan Ouseley ka kundërshtuar pretendimet e përfaqesueses së Suedisë e cila i tha gjykatës, se nëse Assange fitonte lirinë me kusht, ai do të zhdukej duke mos u paraqitur në gjykatë.

39-vjecari australian, që vazhdon së publikuari kabllogramet e diplomacisë amerikane, do të qëndrojë në një shtëpi në zonën Suffolk, pronë e mikut të tij Von Smith duke u paraqitur cdo ditë ne polici.

Avokatët e zotit Assange kanë depozituar një garanci pasurore prej 240 mijë stërlinash.

Assange i cili kërkohet të ekstradohet në Suedi për dy ngacmime seksuale, ndodhur në muajin gusht 2010, fitoi lirinë me kusht dy ditë më parë nga Gjykata e Ekstradimeve, por përfaqësuesja e Suedisë apeloi.

Të gjitha informacionet e dy ditëve më parë linin të besohej se vendimi për të apeluar lirinë me kusht ishte kërkuar nga Suedia.

Në fakt Suedia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë por prokuroria britanike duke hedhur hije dyshimi për një reagim britanik përtej asaj cfarë i është kërkuar nga Suedia.

Më 11 Janar 2011 Julian Assange do të paraqitet përsëri në Gjykatën e Ekstradimeve ku palët do t'i raportojnë gjykatësit progresin e bërë në përgatitjen për seancën finale të ekstradimit.

Tuesday, 14 December 2010

Gjykata londineze liri me kusht Julian Assange, apelon Suedia

Nga salla Nr 1 e gjykates se ekstradimeve ne Londer
Muhamed Veliu

Gjykata londineze e ekstradimeve i ka lejuar Julian Assange lirinë, me kusht pasi miqtë e tij ofruan një garanci pasurore prej 240 mijë stërlinash dhe një adresë ku themeluesi WikiLeaks mund të qëndrojë, por ai nuk e ka fituar menjëherë lirinë pasi përfaqësuesja e Suedisë do ta apelojë dhëninen e lirisë me kusht.

Pas një seance gjyqësore që ka zgjatur 80 minuta gjykatësi Haward Riddle tha se kushtet e reja të paraqitura në aplikimin për liri me kusht, nga avokati Geofrey Robnertson ishin në përputhje me aktin britanik të ekstradimeve.

Krahas garancive pasurore gjykatësi Riddlle tha se Assange duhet të paraqitet çdo ditë në rajonin më të afërt të policisë dhe lëvizjet do t’i monitorohen nëpëmjet një çipi elektronik të vendosur në këmbë.

Von Smith themeluesi “FronTline Club”, në Londër, i tha gjykatës se Assange mund të qëndronte në shtëpinë e tij. Gjithashtu Smith ofroi një garanci pasurore prej 20 mijë stërlinash.

Sara Sander një tjetër mike e Julian Assange vuri në dispozicion të gjykatës shumën prej 150 mijë stërlindash, ndërsa disa persona të tjetër i kanë ofruar gjykatës shumën prej 70 mijë stërlinash.

Julian Assange tek i cili dalloheshin shenja lodhjeje e mirëpriti vendimin duke buzëqeshur, ndërsa nëna e tij prezente në sallën e gjygjit nisi të qajë.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve Assange edhe natën e sotme do ta kalojë në burgun Wandsworth pasi shuma prej 240 mijë stërlinash duhet të depozitohet në gjykatë në formën “cash”.

Jemma Lindsphield përfaqësuese e Suedisë tha se do ta apelojë vendimin e dhënises së lirë me kusht në gjykatët e lartë e cila do ta shqyrtojë apelin pas 48 orëve.

Assange do të paraqitet përsëri në këtë gjykatë me 11 Janar 2011 ku palët do t’i rapotojnë gjykatësit progresin në përgatitjen për gjygjin final të ekstradimit që do të zgjasë dy ditë.

Pak përpara mbërritjes në gjykatë Julian Assange ka patur një bisedë telefonike 10 minutëshe me nënën e tij, zonjën Christine Assange e cila kishte ardhur nga Australia.

Nëpërmjet saj njeriu që turpëroi diplomacinë amerikane, ka drejtuar një mesazh të gjithë mbështetëseve të WikiLeaks.

“Tani të gjithë ne e dimë që kompanitë Visa, Master Cards, Paypal dhe të tjera, janë instrumenta të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I bëjë thirrje të gjithë botës të marrë në mbrojtje punën time, njërëzit e mi nga këto sulme ilegale dhe të pamoralshme”, tha ai.

Assange e mbyll këtë mesazh duke deklaruar se ai i qëndron besnik idealeve tashmë të bëra publike dhe se rrethanat aktuale nuk do t’i lëkundin ato.

“Të gjitha këto sulme nuk kanë bërë gjë tjetër përveç se ka rritur vendosmërinë time”, ka thënë ai.

Monday, 13 December 2010

Daily Express-BE, 8,8 miliard euro ndihme vendeve te Ballkanit

Nga Londra
Muhamed Veliu

E përditshmja britanike “Daily Express” krtitikon ashpër vendet e Bashkimit Europian për ndihmën prej 8,8 miliard eurosh vënë në dispozicion të vëndeve si Shqipëria, që janë ende shumë larg aderimit në familjen Europiane.

Editori politik i kësaj gazete, Macer Hall shkruan se Shqipëria, e zhytur në varfëri, do të përfitojë gjatë pesë viteve të ardhëshme 320 milionë euro, pavarsisht se për momentin nuk po zhvillon negociata për aderim në BE.

“Ti japësh miliona euro vendeve si Serbia dhe Shqipëria për të luftuar korrupsion, ky është një hap shumë i madh nga Bashkimi Europian, që njihet si një organizatë e korruptuar. Është skandaloze t’i jepen këto para Shqipërisë kur me mijëra familje në Britani janë duke vuajtur financiarisht”, ka deklaruar për “Daily Express” eurodeputeti britanik William Dartmouth.

Duke i cilësuar nënpunësit e Brukselit si burokratë, “Daily Express” shkruan se janë miliarada euro të takspagusve që do t’i shkojnë Shqipërisë, Turiqisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Serbisë, të cilat mund t’i bashkohen BE-së në një kohë ende të paparashikuar.

Skepticizmi i kësaj gazete britanike është legjitim, pasi në të shkuarën historia e financimeve europiane në Shqipëri është e errët.

Pjesën më të madhe të luanit nga këto fonde e marrin po vetë ekspertët e BE-së, që për një ditë këshillim të këtyre projekteve paguhen mijëra euro nën të ashtuquajturën asistencë teknike e projektit.

Një zyrtar i Komisionit Europian ka deklaruar se kjo ndihmë për këto vende ndihmon indirekt Bashkimin Europian.

Saturday, 11 December 2010

Interviste ekskluzive me njeriun qe strehoi Julian Assange ne Londer

Nga Londra
Muhamed Veliu

Dalja e fundit në publik e Julian Assange ishte më 4 nëntor gjatë në konference në Zvicër. Pas kësaj date ai ka qëndruar në Angli në dy adresa të ndryshme njëra prej tyre ndërtesa e “Frontline Club” një vend takim i gazetarëve britanikë dhe atyre ndërkombëtarë.
Njeriu i fundit që ka takuar thelemeluesin e Wikileaks përpara se ai të hynte në stacionin e policisë ishte Vaughan Smith, themeluesi “FrontLine Club”. Korrespondenti i Top Channel e ka takuar ate në sallën e konferencave të Front Line Club nga ku Assange më 26 Korrik anoncoi mekanizmin e lëshit të dokumentave sekrete për luftën në Irak dhe Afganistan. Fillimisht Smith u pyet nëse ai u suprizua që zotit Assange nuk ju lejua liria me kusht.

"U suprizova shumë. Unë isha në të njëjtën makinë nga cila e coi në rajonin e policisë. E rikujtoj momentin kur ai vendosi të hyjë në polici, kur më tha se ishte i bindur që do t'i lejohej liria me kusht. Kjo ishte një nga arsyet përse ai u vetëdorëzua. Nuk arrita ta kuptoj përse gjykatësi nuk e lejoi një gjë të tillë pas vetëdorëzimit", thote Smith.

Front Line club është përshkruar në mediat britanike si “selia sekrete e Assange në zemër të Londrës”.

"Julian Assange e ka përdorur Frontline Club si një bazë të tijën në Londër gjatë 4-5 muajve të fundit. Ai nuk ka qëndruar këtu gjatë të gjithë kohës pasi ka udhëtuar për në Suedi apo vende të tjera por ishte Frontline Club ishte një vend qëndrimi i vazhdueshëm për të. Ai pagoi për dhomën ku qëndronte njësoj në Clubet e tjera. Unë isha shumë i interesuar të kisha këtu një njeri interesant shumë të informuar. Edhe gazetarët antarë të club-it tonë e donin një dicka të tillë. Unë i kam pyetur antarët tanë se cfarë mendonin pasi disa e njihnin disa të tjerë jo. Morëm një përgjigje pozitive nga të gjithë ata", shton Smith.

Voughan Smith beson se akuzat për ngacmim seksual nuk qëndrojnë.

"Unë nuk i besoj ato por natyrisht tani kemi të bëjmë me procedura ligjore. Kam biseduar me pesë gazetarë të cilët i kanë investiguar këto akuza. Cdonjëri prej tyre më ka pohuar se ato nuk qëndrojnë sipas pikëpamjes së tyre. Jam shumë rretha dyshues rreth tyre. Fillimisht ai u akuzua dhe më pas ato u rrëzuan nga një prokuror që tha se akuzat nuk qëndronin. Provat ishin të pa mjaftushme. Ai pyeti që mund të largohej nga Suedia pasi qëndroi atje për 40 ditë. Ata kishin kohën e mjaftushme për t'u marrë me këtë cështje. Kur u rikthye në Londër papritur akuzat u ringritën. Unë besoj se një presioni është ushtruar. Këto që them janë bazuar në thëniet e gazetarëve që unë kam biseduar të cilët kanë investiguar këtë cështje", tha Smith.

Sipas Voughan Smith një ish-kameraman në Afganistani ne dhe Kosovë Wikileaks nuk ka shkaktuar dëm ne jetën e njerëzve sic pretendon Amerika.

"Nuk besoj në një gjë të tillë. është e vështirë të thuash se cfarë mund të ketë ndodhur pas këtyre publikimeve. Ne duhet të presim të paktën pesë vjet dhe të shikojmë. Duhet të kuptojmë. Nuk është WikiLeaks që direkt po bën shpërndarjen. WikiLeaks është duke bashkëpunuar me pesë gazetat më të mëdha në botë, të cilat janë duke bërë redaktimet e nevojshme duke fshirë emrat. Eshtë gabim të fokusohemi vetëm tek Wikileaks dhe harruar faktin që dokumentat po kalojnë nëpër kanalet mediatike. Unë jam shumë i qetë me këtë aspekt", shton Smith.

I pyetur nese zoti Smith beson se me 14 dhjetori Assange do t'i lejohet liria me kusht, ai u pergjigj:

"Shpresoj shumë. Për mua do të jetë një tronditje nëse nuk rifiton lirinë me kusht. Një prej shumë gjërave që më shqetëson është ajo që më është thënë nga avokatët e tij të cilët e kanë të vështirë të takojnë dikë që është në burg . Ata kanë vetëm dy orë kohë për ta takuar dhe bashkëbiseduar nga ku mund të ndërtojnë një stategji, një marrëdhënie me klientin që duhet për ta mbrojtur atë sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk është aspak një gjë e mire të jesh në të tilla pozita. Kjo është me të vërtetë për t'u shqetësuar".

Më shumë se një ekstradim i Assange në Amerinë për zotin Smith do të kishte vlerë gjetja e një kontrolli më të mirë të internetit.

"Nuk e di nëse ndonjëherë ata do t'ia arrijnë ta ekstradojnë. Mbase ata do të ndryshojë ndonjë ligj kjo nuk do të jetë e drejtë. Shumë njerëz do të mërziten nga një veprim i tillë. Që tani shumë njerëz në Angli janë të shqetësuar. Nëse ai shkon në burgjet amerikane shumë e shumë njerëz do të mërziten. Kjo nuk do të jetë një dicka këndshme. Më mirë le të punohet se si në këtë botë moderne duhet të sillen me WikiLeaks, me internetin për ta kontolluar me mënyra të reja dhe jo arrestuar një njeri që quhet Julian Assange", tha Smith.

Pavarisht deëshirës prej një miku të Assange që ta shikojë atë të lirë , Von Smith e ka mëse të qartë se beteja SHBA kundra Assange do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

About Me

Veliupress


View My Stats