Wednesday, 30 May 2007

5 britanikë i presin veshin emigrantit shqiptar

Pesë shtetas britanikë janë përfshirë në një krim makabër, duke rrahur e më pas prerë veshin me thikë një emigranti shqiptar. Ngjarja e rëndë, që sipas policisë dyshohet të ketë motive raciste, ka ndodhur në qytezën Bedford. Emigranti shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka renë pre e sulmit, ndërsa ishte duke kërkuar punë së bashku me të dashurën e tij. Pesë persona, ende të paarrestuar nga policia, kanë filluar ta qëllojnë 37- vjeçarin nga Shqipëria në afërsi të rrugës "Queens Drive". Sipas policisë londineze, emigranti shqiptar, i cili jeton në Londër, ka pësuar dëmtime të shumta në trup, ndërsa agresorët i kanë prerë veshin me thikë. "Ai u sulmua sapo ka dalë nga makina e tij", bëri të ditur policia. Fillimisht, emigranti shqiptar është dërguar në spitalin zonal dhe më pas është transferuar në një tjetër spital të specializuar për operacione plastike. Sara Willingson, zëdhënëse e "Bedfordshire Police" tha për "Shqip" se ende nuk është arrestuar ndonjë person në lidhje me këtë incident. Është hera e dytë që në këtë zonë, emigrantët shqiptarë sulmohen për motive raciste. Dy vjet më parë, disa të rinj me origjinë indiane rrahën bashkëmoshatarin e tyre shqiptar, duke i kërkuar me kërcënim "kthimin nga ke ardhur".

About Me

Veliupress


View My Stats