Saturday, 21 July 2007

Angli, hetim emigrantëve për mashtrim të shërbimit social

Një ndalesë e rastësishme nga policia gjatë një kontrolli të zakonshëm të dokumenteve të makinës ka zbuluar fakte të mëtejshme se si një emigrant shqiptar në Angli kishte plot nëntë vjet që merrte padrejtësisht ndihmë sociale. Burime pranë "Scotland Yard" thanë për gazetën "Shqip" se, shqiptarit të arrestuar iu gjetën në momentin e ndalimit në autostradën M25, 1200 sterlina. Sipas ligjit anglez, çdo shumë e gjetur dhe cilitdo person, që i kalon 1000 sterlinat, sekuestrohet dhe çështja i kalon gjykatës.

Kontrolli

Patrulla policore në autostradën M25 fillimisht ka kontrolluar dokumentacionin e makinës së emigrantit shqiptar, me inicialet A.S. (emri i tij nuk bëhet publik, pasi vazhdon të jetë ende nën hetim). Gjithçka ka qenë e rregullt. Por policët kanë dyshuar, ndoshta nga origjina e tij, duke i ushtruar kontroll fizik. Në portofol i janë gjetur 1200 sterlina (afro 2,1 milionë lekë), për të cilat tha se i kishte kursyer nga ndihmat sociale që merrte si i papunë. "Këto para i kam me vete, për të prerë biletat e avionit. Doja të shkoja në pushime me familjen time", mësohet të ketë qenë justifikimi i shqiptarit në momentet e ndalimit. Ishin disa vegla ndërtimi dhe rrobat e tij me llaç, që kanë vërtetuar të kundërtën e deklarimit të tij si person i papunë. Emigranti shqiptar është prangosur për t‘u dërguar më pas në stacionin e policisë së Enfildit, në veri të Londrës. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar të ishte në marrëdhënie pune dhe se veglat e punës të gjetura në makinë ishin të një shoku. Edhe kjo alibi nuk ka funksionuar për shqiptarin, ndaj të cilit është ngritur akuza për mashtrim të autoriteteve britanike të shërbimit social. Policia vendosi më pas hetimin e emigrantit shqiptar në gjendje të lirë.

Rasti

Hetuesit britanikë, në bashkëpunim me shërbimet sociale, kanë ushtruar kontroll në shtëpinë e shqiptarit, baba i tre fëmijëve. Shtëpia ishte mobiluar tërësisht me sende të blera rishtazi: Dy televizorë me ekran të sheshtë (me vlerë 2600 sterlina), një kuzhinë me të gjitha pajisjet e reja, u inventarizuan në procesverbalin e kontrollit. Nga dokumentacioni i shërbimeve sociale rezultoi se emigranti shqiptar kishte nëntë vjet që merrte ndihma sociale. Nuk kishte derdhur asnjë lloj takse qëkur kishte shkelur në Angli. Atij i paguhej qiraja e shtëpisë, merrte ndihma sociale për vete, bashkëshorten dhe tre fëmijët në një vlerë të përgjithshme prej 900 sterlinash në muaj. Sipas përllogaritjeve, në nëntë vjet si emigrant në Britaninë e Madhe me dokumente të rregullta, ai kishte përfituar padrejtësisht 97200 sterlina (174,9 milionë lekë) si i papunë. Ai vazhdon të jenë nën hetim, pasi po verifikohen të gjitha transaksionet bankare gjatë viteve të qëndrimit të tij në Angli, për të zbuluar se në cilat kompani ka qenë i punësuar.

DESHMIA
Përkthyesja: Mashtrojnë si të sëmurë

Një përkthyese shqiptare ka treguar për "Shqip" një metodë shumë të përhapur mes emigrantëve në Angli, atë të shtirjes si të sëmurë mendorë nga traumat e kaluara gjatë luftës në Kosovë. "Kam përkthyer me qindra herë për shqiptarë të ndryshëm në shërbimet sociale. Do të veçoja një rast, kur një grua nga Kosova kërkoi të përktheja për të, në mënyrë që t‘i shpjegonte punonjëses sociale se, krahas shumë ‘sëmundjeve‘ të mëparshme, tashmë ajo vuante nga një sëmundje e re. Shqiptarja në fjalë merrte 450 paund ndihmë sociale (income support), por ajo kishte studiuar me vëmendje rregullat e sistemit", shprehet përkthyesja. Më tej, ajo ka vazhduar së treguari një tjetër metodë mashtrimi, që u bëhet shërbimeve sociale. Sipas saj, për të marrë sa më shumë para nga ndihmat sociale, vihet re një tendencë e lindjes së disa fëmijëve radhazi nga çifte shqiptarësh në Angli. "Ka nga ato çifte që kanë lindur në Angli tre ose katër fëmijë, vetëm e vetëm për të marrë ndihma sociale. Në vitin 1998, kur erdhën në Angli, shumë prej tyre nuk kishin fëmijë, ndërsa tani i gjen me nga tre ose katër fëmijë", shton përkthyesja, e cila ka punuar më parë si punonjëse sociale në lindje të Londrës.

About Me

Veliupress


View My Stats