Friday, 20 July 2007

Shqiptarët, luftë te lagjja e Bler

Përplasja e dy grupeve rivale shqiptarësh, që vidhin paratë nga automatet e parkingjeve në lagjen ku banonte ish-kryeministri britanik, Toni Bler, ishte shkaku i përplasjes së mëvonshme me armë mes tyre. Ky fakt është mësuar gjatë procesit gjyqësor, ku Kujtim Spahiu së bashku me Muhamed Mehmetin dhe Lulzim Bicin u akuzuan për vrasjen e Prel Markut dhe tentativë vrasjeje. Mehmeti dhe Bici nuk u gjetën fajtorë ndaj këtyre akuzave. Ndërkohë, dënimi për Kujtim Spahiun, i cilësuar si "gun man" (njeri me armë) ka qenë tejet i rëndë: Burg përjetë me të drejtë apeli vetëm pasi të ketë qëndruar 33 vjet në qeli. Ai ishte i vetmi që u gjet fajtor, por bashkëpunëtorin e tij ende të pakapur, Herland Bilali, duket se e pret i njëjti fat, nëse një ditë do të prangoset nga policia britanike, si bashkautor në vrasjen më 18 tetor 2006, ku shënjestra ishte ndaj kuksianit 31-vjeçar, Petrit Brahaj. Ky i fundit, i konsideruar si dëshmitari kryesor nuk erdhi të dëshmonte në gjykatë. Mësohet se Kujtim Spahiu ushtroi presion mbi dy të arrestuarit e tjerë, duke i kërcënuar. "Po dëshmuat kundër meje, jeni në gjak", u ka thënë ai. Dëshmia e Lulzim Bicit, njërit prej tre të arrestuarve për këtë ngjarje duket se ishte vendimtare. Ai, së bashku me Mehmetin, të akuzuar për vrasje dhe tri tentativa vrasjeje, nuk u konsideruan fajtorë, duke rifituar lirinë në sallën e gjyqit.

Motivi

Shkaku i kësaj ngjarjeje, me nivel të lartë dhune, siç e cilësoi gjykatësi David Romford, erdhi si pasojë e një përplasjeje mes dy grupeve rivale që kontrollonin zonat dhe grabisnin automatët e parkingjeve në qendër të Londrës. Brahaj dhe Bilali, çdo natë kur niseshin për "aksione" të tilla, përplaseshin me njëri-tjetrin në qendër të kryeqytetit britanik, kryesisht në Bashkinë Westminster. Përplasja e fundit ndodhi mesnatën e 13 tetorit të një viti më parë, në lagjen "Connaught Square", ku aktualisht banon ish-kryeministri Toni Bler. Fatmirësisht, grupet ishin të paarmatosura atë natë. Bilali nuk do t‘ia falte Brahajt hyrjen në zonën e tij të kontrollit. Ndaj, këtë ai vendosi ta zgjidhë me gjuhën e armëve, pas kundërshtimit të rivalit të tij. Sipas prokurorisë britanike, Herland Bilalit iu deshën vetëm pak minuta (të kryera pas disa telefonatash) të siguronte dy armë, që iu sollën me korrier, te një lokal në rrugën "Edgware". Kur ora shënonte 02:30 minuta e 18 tetorit 2006, Kujtim Spahiu, së bashku me Herland Bilalin hynë në lokalin shqiptar dhe hapën zjarr kundër rivalit të tyre, Petrit Brahaj, cili i shpëtoi sulmit, edhe pse mori tre plumba. I plagosur mbeti edhe një person tjetër, ndërkohë që ata tentuan edhe vrasjen e Musa Rrahmanit, pronar i lokalit, i cili është kthyer në vendtakim për grupet kriminale, të përfshira në grabitjen e automatëve të parkingjeve. Disa ditë më pas, në këtë lokal, policia gjeti një pistoletë, në të cilën u gjetën gjurmët e gishtave të një personi, të identifikuar më vonë si mik i Rrahmanit.

Gjyqi

Gjatë procesit gjyqësor është mësuar edhe një fakt tjetër tronditës. Të pranishmit, natën e krimit, u larguan me shpejtësi nga lokali, duke lënë Petrit Brahajn të plagosur, së bashku me një person tjetër, ndërkohë që Prel Marku ndërroi jetë menjëherë, pasi ishte goditur në kokë. "Ishte një akt i ulët. Aspak human në ato momente, ku Petrit Brahajt dhe Agron Gjonit u duhej dhënë ndihma e parë. Më pas, ata që ishin dëshmitarë në këtë ngjarje, gënjyen policinë. Disa nuk erdhën të dëshmojnë në gjykatë, duke fshehur shumë gjëra", tha prokurori Kinch. Policia beson se të gjithë të pranishmit në lokal, më shumë se 10 veta, ishin të inkriminuar. Largimi i tyre shpjegohet me faktin se ata shkuan në shtëpi për të zhdukur provat, që i implikonin në krimin e grabitjes së automatëve, me një vlerë prej 1,5 milionë paund në vit.

Spahiu thyen rekordin

Dënimi me burg përjetë për të apeluar vetëm atëherë kur të ketë kryer 33
vjet burg, e rendit Kujtim Spahiun si shqiptarin që ka për të vuajtur më shumë vite burg mes të gjithë atyre bashkëkombësve të tij të burgosur deri tani në Britaninë e Madhe. Deri dje, në top-listën e të dënuarve shqiptarë ishte laçiani Artur Kroni, njohur në Angli si Luan Plakiçi, me 23 vjet burg për trafik prostitucioni, më tej Tasim Axhani, i dënuar 21 vjet burg për kontroll prostitucioni, pasuar nga Shaban Maka, Taulant Merdanaj, Agron Demarku, Flamur Demarku, Emiljan Beqiraj, të gjithë të dënuar me nga 18 vjet burg, po për prostitucion.

About Me

Veliupress


View My Stats