Saturday, 25 August 2007

Një polic shqiptar pozon si "Rambo" në internet, mban 5 pistoleta në duar dhe në brez




Një efektiv i forcave policore shqiptare ka publikuar fotot e tij me uniformën policore dhe me pesë pistoleta, dy në duar dhe tre në brez, në faqen e internetit Hi5. Nga gjashtë fotot e publikuara, në katër prej tyre, polici, i cili në këtë faqe përdor pseudonimin "Ildi", ka veshur uniformë policore. Ndërsa në qafë i dallohet e varur një fletë-hyrje. Fotot ndodhen on-line në faqen www.hi5.com. Ato duket se janë realizuar në mjediset e një zyre, ndoshta mbledhjeje, ose në një ambient stërvitor, pasi varur në mur qëndron një tabelë qitjeje.Në foton e parë, si një "Rambo" i vërtetë, polic "Ildi" pozon me dy pistoleta tip TT, që i mban në dorë, të drejtuara me qytën poshtë. Ndërsa në brez ka tre pistoleta të tjera, të të njëjtit tip. Në një tjetër foto, me të dyja duart ai mban pistoletën në pozicion gati për hapje zjarri, duke e kthyer shikimin nga objektivi i aparatit fotografik.Pas dy fotove të para, ku paraqitja është disi agresive, në një të tretë, polici, për të cilin administratorët e faqes së internetit kanë filluar kërkimet për identitetin e tij të vërtetë dhe shtetin nga është ndërhyrë në faqe, është ulur në gjunjë përbri një tavoline. Mbi të ka vendosur një pistoletë dhe një karikator, prej të cilit ka nxjerrë dy fishekë. Kësaj fotoje, në faqen Hi5, ai i ka vendosur diciturën "Gjona të vogla". Ndërsa në foton e fundit, ku ka dalë në pozicionin gjysmë-trup, dallohen dy pistoleta në brez. Ndërkaq, në fotot e tjera polic "Ildi" është nën shoqërinë e tri femrave.Një zyrtar i lartë i policisë shqiptare, i kontaktuar nga "Shqip", i komentoi fotot si "aspak të hijshme". "Efektivave të policisë shqiptare u lejohet të mbajnë vetëm një pistoletë. Të pozuarit me më shumë se një pistoletë do ta konsideroja një akt prej adoleshenti", u shpreh ai. Polici i supozuar shqiptar ka mundur të joshë me fotot e tij jo vetëm femrat, por edhe shumë meshkuj. Atij i numëroheshin 553 miq deri dje në mesditë. Nuk dihet qëllimi përse ky efektiv policie, me shumë pompozitet ka vendosur në faqe interneti fotot e tij "të armatosura".Disa prej fotove të publikuara janë komentuar nga të tjerë anëtarë të faqes Hi5. Sipas njërit prej tyre, i cili mban pseudonimin "Kamal", "Ildi" duket si "një njeri aksioni". Për anëtarin tjetër, me emrin Naim, ai është thjesht R.E.N.A. Ndërsa "Ledio" komenton ndryshe: "Edhe ti na u deshe tani shef edhe mori fund Myslym Shyri".Pavarësisht komenteve të kryera nga anëtarët e shumtë të kësaj faqeje interneti, ajo që shqetëson më shumë administratorët e saj është publikimi i fotove të tilla dhe abuzimi me armët, për më tepër, kur bëhet fjalë për efektiva të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike. Përgjegjësit e Hi5 janë duke krye hulumtime mbi emrin e vërtetë të polic "Ildit" dhe vendin nga ai ka hyrë on-line, për të vënë në dijeni më pas ndoshta edhe autoritetet shqiptare për këtë rast. Megjithatë, ata nuk përjashtojnë edhe mundësinë e abuzimeve. "Mund të jetë dikush tjetër dhe jo ndonjë efektiv i policisë shqiptare, që ka marrë atributet e saj, armët, distinktivin dhe fletë-hyrjen", shpjegojnë administratorët.

Ç‘është faqja Hi5?

Faqja Hi5 ka si qëllim bashkimin e njerëzve nga e gjithë bota. E krijuar disa vite më parë, ajo ka 60 milionë përdorues, mes tyre edhe shumë shqiptarë. Çdo muaj, sipas shifrave, ajo përdoret nga 25 milionë njerëz. Të tilla faqe si Hi5, Myspace apo Facebook kohët e fundit po sjellin jo pak probleme. Vjedhësit e identiteteve hyjnë brenda tyre, duke marrë të dhënat e atyre që regjistrohen dhe duke i përdorur më pas për qëllime të ndryshme. Por ndodh edhe më keq. Pak kohë më parë, një nëpunëse civile në Angli u ndëshkua nga punëmarrësi i saj, pasi në internet u publikuan fotot e saj duke pirë birrë dhe cigare hashashi kur ishte studente.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats