Thursday, 30 August 2007

Shqiptari Xhimi Marku, njeriu më i fortë në Angli

Xhimi Marku është emri i emigrantit shqiptar në Londër, i cili po tenton të rrëmbejë titullin "Burri më i fortë në Britaninë e Madhe". Ai ka mundur të futet në pesë finalistët e konkursit të quajtur "Britain‘s Strongest Man", që po transmetohet në stacionin televiziv britanik "Channel-5" që prej ditës së djeshme. Që në ditën e parë të konkurrimit ai është vendosur në qendër të vëmendjes si kandidati më potencial për ta fituar këtë konkurs tejet të vështirë.
Xhimi Marku e ka kaluar me sukses provën e parë, duke fituar gjashtë pikët e mundshme. Kjo e ka renditur atë të parin, duke lënë pas katër konkurrues të tjerë. 33-vjeçari shqiptar, i cili peshon 127 kilogramë, në vitin 2006-2007 është shpallur burri më i fortë në Angli. Ndërkohë, në këtë konkurrim ai është vënë përballë rivalëve për titull nga Irlanda, Uellsi dhe Skocia.
Sipas faqes së internetit UK-Albanians, Marku jeton në zonën Harrow në perëndim të Londrës. Ai, falë fizikut të tij të madh, është punësuar si roje sigurie në një lokal nate. Xhimi Marku njihet me nofkën Jimmy Calves (Jimmy Pulpa), për shkak të pulpave të këmbëve të tija jo aq të trasha në krahasim me trupin. Performanca e shqiptarit në ditën e parë të konkurrimit është cilësuar nga komentatorët televizivë të konkursit si e jashtëzakonshme.
Ata kanë nënvizuar faktin se Xhimi Marku i ka të gjitha mundësitë për t‘u shpallur burri më i fortë në Britaninë e Madhe. Nata finale e këtij konkursi do të jetë të premten më 31 gusht në ora 20:00 me orën lokale.
Kalimi me sukses i provës së parë ka tërhequr një numër të madh vizitorësh në faqen YouTube, ku ndodhet videoja në të cilën është filmuar Marku gjatë garës. Me mijëra emigrantë shqiptarë në Britani do të ulen përpara ekraneve të televizorit për të parë Markun. Një fitore e tij do të thoshte shumë për ata, pasi të tilla figura sportive apo në fusha të tjera i mungojnë komunitetit të tyre.
Megjithëse Xhimi Marku në këtë aktivitet përfaqëson Anglinë, ai kurrë nuk e ka mohuar origjinën shqiptare.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats