Monday, 17 September 2007

Ambasadori Robo: Lamtumirë Londër!

Ambasadori Robo: Lamtumirë Londër!

Kreu i ambasadës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar ia lë stafetën Zef Mazit

Pa ndonjë protokoll zyrtar, Robo, i cili përfaqësoi Shqipërinë në Mbretërinë e Bashkuar për katër vite, i ka mbledhur të gjithë miqtë, kolegët bashkëpunëtorët dhe shumë shqiptarë, duke u ndarë me ta shumë miqësisht. E përbashkëta e urimeve ishte fat në të ardhme dhe "...do të na mungoni zoti ambasador". Fjalë të sinqerta, shqiptuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe shumë britanikë. Që në fillim të mandatit, Kastriot Robo, një diplomat karriere, shumë shpejt u kthye në një njeri popullor për shqiptarët e Britanisë, me ide të qarta fokusuar kryesisht në tri drejtime. Së pari atë të organizimit të komunitetit të ri shqiptar në Britaninë e Madhe, duke mbështetur shoqatat shqiptare për të konsoliduar punën e tyre në shërbim të komunitetit prej 100 mijë shqiptarësh. Përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në sytë britanike, si dhe thithjen e investitorëve britanikë. Mundësitë për të bërë më shumë në këto dy të fundit kanë qenë të pakta. Si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu dhe në atë financiar për promovuar më mirë Shqipërinë. Mjafton të përmendet se ambasada e Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe ka një personel prej pesë personash. Megjithatë, përpjekjet kanë qenë maksimale. Kastriot Robo do të mbahet mend gjatë si një diplomat aktiv në kërkim të mundësive për të përmbushur misionin diplomatik në mënyrën më të mirë të mundshme, me po ato standarde si kolegët diplomatë të vendeve të mëdha akredituar në Londër, me mundësi financiare dhe njerëzore shumë herë më të shumta se të vendit që ai përfaqësonte.Më mirë se observimet gazetareske për rolin e Robos flasin vetë ata të cilët patën rastin ta njohin e të bashkëpunojnë gjatë këtyre viteve. "Përshtypjet e mia për punën e ambasadorit Robo janë të shkëlqyera, për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, në aftësitë komunikuese dhe në ndihmën e dhënë në organizimin e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, së bashku me bashkëshorten Teutën", shprehet Mirela Bogdani, e cila po kryen doktoraturën për shkenca politike në Universitetin e Oksfordit.Ralf Gjoni, drejtor i klubit londinez të lëvizjes "Mjaft" e shikon punën e ambasadorit Robo të frytshme, madje si një impakt tepër pozitiv mbi ecurinë e diplomacisë shqiptare në Londër.

About Me

Veliupress


View My Stats