Saturday, 22 September 2007

BBC "masakron" imazhin e Shqipërisë, reagon komuniteti shqiptar në Britani

BBC "masakron" imazhin e Shqipërisë, reagon komuniteti shqiptar në Britani

Një tjetër gazetar britanik "nxin" realitetin shqiptar: Bregdeti i mbushur me bunkerë të komunizmit

Pas shkrimit të kritikuar të A.A Gill, në gazetën "Sunday Times" vitin e shkuar, një tjetër gazetar britanik, përmes një dokumentari për vendet e Evropës ish-komuniste, "masakron" imazhin e Shqipërisë. Michael Pailin, një gazetar që realizon dokumentarë gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme të botës, disa ditë më parë i paraqiti audiencës britanike në BBC1 një Shqipëri tjetër. Dhe për këtë ai ka zgjedhur metodën e krahasimit me vendet e tjera. Pailin e filloi programin duke udhëtuar në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi, që "me resurset e tyre turiste verore e dimërore kanë se ç‘të ofrojnë". Por kur vjen puna te fqinji i tyre, Shqipëria, gjithçka serviret tërësisht ndryshe.Sipas gazetarit britanik, atje mund të gjesh një vend me një imazh krejt tjetër: imazhin mesjetar të një vendi mysliman, ku dele të pafajshme theren për kurban në majë të maleve ku jetojnë disa baballarë të sektit bektashian, për t‘ia lënë më pas vendin një komenti, në të cilin Shqipëria përshkruhet si vend prostitutash apo hajdut "Benz"-ash. Me një axhendë të papërcaktuar para mbërritjes në Durrës, Michael Pailin i bën reklamën më të keqe të mundshme turizmit shqiptar. Gjatë programit ai komenton infrastrukturën e keqe që ka Shqipëria për turizmin dhe sipas tij, "bregdeti shqiptar nuk ia vlen për t‘u frekuentuar, pasi është mbushur me bunkerë të trashëguar nga epoka e komunizmit".Fatmirësisht, diçka i kishte pëlqyer gazetarit britanik. Ishte qyteti i Krujës, por që nuk shpëtoi nga etiketimi si një "vend më shumë lindor, se sa vetë Turqia". Ndërsa Tirana me pallate shumëngjyrëshe është cilësuar si një përpjekje e kryebashkiakut Rama, por që barazohet me idiomën britanike "You can not polish a turd". Nuk i kanë shpëtuar kamerës së gazetarit britanik edhe disa punëtorë pranë kryqëzimit të "Zogut të Zi", puna e të cilëve është përbuzur prej tij. Sikurse edhe në rastin e A.A Gill, edhe Pailin shoqërohej nga një gazetar shqiptar, i kthyer në cicëron të problemeve sociale që kalon Shqipëria, të përpunuara e përzgjedhura me kujdes gjatë montazhit në BBC1.
REAGIMET
"Dokumentari, një goditje e rëndë" Dokumentari i transmetuar nga gjiganti televiziv BBC1 ka ngjallur reagime në komunitetin shqiptar në Angli. Ralf Gjoni, drejtues i "Mjaft London Club", e cilëson programin e Michael Pailin në BBC1, si një tjetër goditje e rëndë për imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarët në Britaninë e Madhe. "Shqipëria ngjau me një vend të humbur mysliman, tërë shi, me një rini që ndjente nostalgji për komunizmin, kur në të vërtetë ne jemi popull tërë energji dhe vend tërë diell. U zhgënjeva prej gazetarit, i cili në vend që të tregonte vitalitetin e shqiptarëve dhe bukuritë natyrore të vendit, kaloi pjesën më të madhe të kohës duke filmuar therjen e një qengji, në një teqe të izoluar në malet e Krujës", thotë Gjoni. "Unë e ndoqa me vëmendje dokumentarin dhe të them të vërtetën Shqipëria ishte e gjitha në kontrast me vendet e tjera", thotë Altini, një emigrant shqiptar në Britaninë e Madhe. "Në të vërtetë, ngjyrat në ekran u bënë të zymta sapo reportazhi filloi në Shqipëri. Edhe Bosnja dukej (dhe ishte në të vërtetë) me më shumë ngjyra se Shqipëria. Unë besoj se, edhe pse gazetari i ka anashkaluar shumë të mira, ne kemi akoma shumë për të bërë duke filluar nga vetë Shqipëria", përfundon Altini, duke iu referuar dokumentarit të transmetuar nga BBC1, disa ditë më parë.

About Me

Veliupress


View My Stats