Saturday, 1 September 2007

EKSKLUZIVE: Shqiptari renditet burri i katërt më i fortë në Britaninë e Madhe

Njëri prej katër njerëzve më të fortë në Britaninë e Madhe është shqiptar.
Xhimi Marku ka zënë vendin e katërt në finalen e konkursit "Burri më i fortë në Britaninë e Madhe" shfaqur mbrëmë në një prej televizioneve britanik. Një tërheqje e muskujve të këmbës së majtë gjatë konkurrimit final i ka privuar atij fitimin e vendit të parë, për të cilin ishte kandidati kryesor. Që në ditët e para të konkurrimit transmetuar në kanalin televiziv "Channel 5", 32-vjeçari nga Tropoja ka zhvilluar një paraqitje të suksesshme, duke lënë pas katër konkurrentë të fortë, që të gjithë profesionistë. Duke folur ekskluzivisht për "Shqip", pas mbarimit të natës finale, ai tha se kësaj here fati nuk ishte me të. "Vitin e ardhshëm u premtoj të gjithë shqiptarëve se do të dominoj në të gjitha konkurrimet e këtij lloji, për të zënë vendin e parë si njeriu më i fortë në Britaninë e Madhe", deklaroi ai. Për konkursin e sivjetshëm ai pohon se ishte në një grup shumë të fortë, ku njëri prej konkurrentëve është njeriu i katërt më i fortë në botë. Megjithatë, në konkurrimin e parë Marku ka dalë i pari në këtë grup, duke mbërritur në finalen e mbrëmshme. "Në finale isha në formë. Por në ushtrimin e dytë pata dhimbje të forta të këmbës. Më dhanë disa qetësues, të cilët për momentin më qetësuan. Kjo ndikoi në ushtrimet e tjera ku nuk munda t‘i kaloj me sukses", rrëfen Marku. Xhimi Marku ka më pak se dy vjet që është angazhuar në sportin tejet të vështirë të ngritjes së peshave të rënda.

http://www.youtube.com/watch?v=tvEDqJxvNKU

Ai është i vetmi shqiptar në botë i përfshirë në këtë lloj sporti, duke e i dhënë atij statusin e shqiptarit më të fortë në botë. Një prej rekordeve të tij është ngritja e pesë tipave të ndryshëm makinash në 17 sekonda. Karriera e deritanishme e tij shënon vetëm suksese. Marku mban titullin njeriu më i fortë në Angli për vitin 2006, po ashtu është fituesi i gjashtë kompeticioneve të ndryshme brenda dhe jashtë Anglisë. Më 11 shtator ai do të marrë pjesë në kampionatin botëror "TWY" që zhvillohet në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ky lloj sporti është shumë i ndjekur. Në planet e tij të afërta është sjellja e këtij sporti edhe në Shqipëri. "E di që në Shqipëri ka njerëz të fortë, por ky sport nuk njihet. Kam dëshirë të hap një federatë të këtij sporti atje", premton ai, duke shprehur dëshirën e organizimit të një shoë të tillë në të ardhmen në vendlindje. Pas boksierëve Kreshnik Qato e Jorgen Çetaj, Xhimi Marku është shqiptari i tretë që shkëlqen në sportin britanik.

About Me

Veliupress


View My Stats