Monday, 3 September 2007

Londër, fushatë për shqiptarin e burgosur

Një aktiviste e të drejtave të njeriut nis fushatën e sensibilizimit: Emigranti u dënua pa fakte

Që në momentin kur Kujtim Spahiut iu komunikua dënimi me 33 vjet burg nga një gjykatë londineze, Sarah O‘Neill ka harrur gjithçka. Tani, për këtë grua angleze, aktiviste e të drejtave të njeriut, gjetja e së vërtetës, që do të mund të shpëtojë shqiptarin nga ky dënim ekstrem është një sfidë më vete. Ka marrë përsipër një mision të pamundur në emër të drejtësisë, e cila në këtë rast, për të, është nëpërkëmbur. "Kujtimi është viktimë e sistemit të drejtësisë britanike, që e dënoi atë pa u mbështetur në fakte. Të jesh shqiptar në Angli, në sytë e bashkëkombësve të mi do të thotë të jesh kriminel". Me këto fjalë, Sarah fillon të tregojë për "Shqip", arsyet që e detyruan atë të fillojë një fushatë sensibilizimi për Kujtim Spahiun, shqiptarin më me shumë vite burg mbi shpatulla në Britani. Ai u shpall fajtor më 18 qershor 2007 për vrasjen e Prel Markut dhe tentativën e vrasjes së tre personave të tjerë, në një lokal që frekuentohej më së shumti nga shqiptarët. E mbushur me mllef nga padrejtësia që, sipas saj, ndodhi gjatë procesit të gjykimit, Sarah premton të mos lërë gur pa lëvizur, vetëm e vetëm që miku i saj të fitojë lirinë. Ulur në kafenenë "Nero", në jug të Londrës, gjëja e parë që ajo bën është nxjerrja nga çanta e një dosjeje, mbi kapakun e së cilës është fotoja e Kujtim Spahiut. "Ky është Kujtimi, dalë dy vjet më parë. Ai më ndihmonte në një projekt bamirësie", nis të tregojë londinezja Sarah, e cila e ka filluar miqësinë me emigrantin shqiptar 6 vjet më parë. Zonja O‘Neill, një drejtore menaxhimi e 150 dyqaneve këpucësh në të gjithë Anglinë, e ka vizituar disa herë Kujtimin në burgun e sigurisë së lartë "HMP Whitemoor". Sarah thotë se është e bindur që shanset për të arritur qëllimin, pra të tregojë pafajësinë e emigrantit shqiptar janë të pakta. Megjithatë, ajo është e vendosur. Por cilat janë argumentet e saj se Spahiu, natën e ngjarjes, nuk e shkrepi pistoletën kundër bashkëkombësve të tij?

Gabimet në gjykim

Pavarësisht se ajo nuk është ndeshur kurrë më parë me sistemin e drejtësisë britanike, Sarah ka hartuar një listë të gjatë, ku mund të bazohet mbrojtja në një apel të mundshëm. "Dëshmia e Kujtimit ishte e njëjtë me atë të të gjithë dëshmitarëve që thanë se, në momentin kur Herland Bilali hapi zjarr kundër Petrit Brahës, ai uli kokën duke u fshehur pas derës. Madje, ka shkëmbyer replika me Bilalin. Por Lulzim Bici, njëri prej tre të akuzuarve, i cili nuk ishte në vendngjarje (po priste në makinë së bashku me Muhamed Mehmetin), dëshmoi që Kujtim Spahiu ishte i armatosur. Megjithatë, ai pohoi se nuk kishte dijeni apo të kishte parë shkrepjen e pistoletës prej tij". Kështu fillon O‘Neill së argumentuari gabimet që çuan në dënimin e padrejtë të shqiptari. Gjatë seancave, ekspertët nuk ishin 100% të sigurt nëse ishin përdorur dy armë në atë krim. Pohimet e Bicit ishin "dëshmia e artë" për prokurorinë britanike. Bici kishte mbi shpatulla po të njëjtat akuza si Spahiu, pavarësisht se prova e vetme e policisë lidhej me faktin se ai kishte transportuar me makinë për në veri të Anglisë, Bilalin me Spahiun, pas ngjarjes. Sarah tregon se sipas një logjike të thjeshtë, dëshmia e Bicit, duke inkriminuar Spahiun në vrasje rëndonte pozitën e tij. Çfarë mund të ketë ndodhur? A ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë mes Bicit dhe policisë? "Gjithçka është e mundur", pohon Sarah O'neils, të cilës nuk i pëlqejnë idetë konspirative. Ajo pohon se faktet hedhin hije dyshimi për një skenar të mundshëm. "Procesi gjyqësor filloi një javë me vonesë, pasi avokatët mbrojtës të Lulzim Bicit u tërhoqën nga mbrojtja e tij. Arsyeja: Ai ndërroi dëshminë", tregon Madden, duke shtuar se avokatët e kuptuan që klienti i tyre po gënjente.Një tjetër fakt tejet i vështirë për t‘u vërtetuar, gjithnjë sipas saj, lidhet me vizitën që njëri nga detektivët britanikë i bëri Bicit në qeli, teksa po zhvillohej procesi. "Përse? Çfarë kanë biseduar ata?", janë pyetjet e O'neils, e cila hedh hije të forta dyshimi për një skenar të menduar mirë, me qëllimin e vetëm dënimin e Kujtim Spahiut. Më tej, ajo flet edhe për qëndrimin e gjykatësit të çështjes, i cili që nga fillimi i procesit krijoi bindjen se Spahiu ishte një kriminel. Juria e procesitPjesa më interesante e rrëfimit të saj është për jurinë prej gjashtë burrash e grash (juria e procesit), të cilët shpallën fajtor Spahiun, ndërsa për dy të tjerë, Bicin e Mehmetin, dhanë pafajësi. "Anëtarët e jurisë e kanë marrë vendimin brenda një ore. Në një rast, ata i dërguan letër gjykatësit, ku i kërkuan disa orë pushim, pasi ishte ditë me diell që ata kërkonin ta shijonin. Ndërsa në qelitë e gjykatës priste një njeri, i cili nga ata priste drejtësi", thotë Madden, pa e fshehur nervozizmin. Si për të mos mjaftuar kjo, zonja O‘Neill gjatë ditëve të procesit gjyqësor ka vënë re se njërin nga anëtarët e jurisë e zinte gjumi teksa dëgjonte paraqitjen e provave nga palët. Dënimin e shqiptarit 33-vjeçar, baba i dy fëmijëve, ajo e konsideron të njëjtë me atë të një terroristi. "Kujtimi nuk ishte terrorist. Një javë para se të dënohej ai, një gjykatë londineze e dënoi vetëm me 17 vjet burg babanë që vrau të bijën. Përse shqiptari duhet të merrte dënim të rëndë? Apo se nuk ishte britanik?", konstaton Sarah. Por mund të gjenden rrugë të tjera për të rrëzuar vendimin

Apelimi? Ka skaduar afati

47-vjeçarja britanike, një mbrojtëse e flaktë e të drejtave të njeriut, thotë se dënimi i rëndë i emigrantit shqiptar mund të ketë ardhur si pasojë e imazhit të keq që gëzojnë emigrantët shqiptarë në Britani. Tashmë që miku i saj, Kujtim Spahiu ka mbi shpatulla plot 33 vjet burg, kur njeriu kyç në këtë krim është i lirë, kur dëshmitarët në vendngjarje dhanë dëshmi kontradiktore në polici dhe nuk u paraqitën në gjykatë, ajo ka vetëm një apel: "Bashkëkombës të Kujtim Spahiut. Mendoni për një moment nëse ju apo një i afërm i juaji do të ishte në pozitën që ai ndodhet tani. Si do të ndiheshit? Patjetër që do t‘ju dhembte shpirti. E pra, duhet të gjeni forca për të më ndihmuar. Së bashku duhet të zbardhim të vërtetën. Kujtim Spahiu është vëllai juaj i një gjaku, që kurrë nuk ka vrarë njeri, por ai është dënuar bazuar mbi opinione dhe jo fakte. Kjo nuk është drejtësi, por padrejtësi me një kosto prej 33 vjetësh burg. Më ndihmoni të zbulojmë të vërtetën". O‘Neill e di se për të kthyer vendimin e një gjykate të shkallës së parë, duhet apeluar brenda 28 ditëve nga dhënia e dënimit. Por ky afat, në rastin e Spahiut ka skaduar tashmë. Pavarësisht nga kjo, londinezja që mbron të drejtat e njeriut thotë se do të punojë deri në fund për të gjetur drejtësi. Mund të gjenden rrugë të tjera për këtë.

RASTI "Megaman" ose drejtësia me standard të dyfishtë

Incidenti midis dy grupeve rivale shqiptare, më 16 tetor 2006, është i ngjashëm me atë të një muzikanti me ngjyrë, drejtues i grupit "So Solid Crew", në vitin 2004. Por vendimi gjyqësor është krejt i kundërt. Dwayne Vincent, i njohur me emrin e artit "Megaman", bashkë me një mikun e tij, nisen për të sqaruar një problem me Colin Scarlet. Carl Morgan, mik i Vincent, merr një pistoletë me të cilën godet për vdekje Scarlet. Sipas prokurorisë britanike, ishte Vincent ai që inkurajoi Morgan të qëllonte 4 herë mbi viktimën. Ngjarja është thuajse e njëjtë me atë të shqiptarit, i cili niset me Herland Bilalin për të sqaruar një sherr me Petrit Brahën. Më pas, ishte Bilali ai që hapi zjarr me armë kundër Brahës, i cili shpëtoi për mrekulli, megjithëse u plagos me 4 plumba. Për këtë ngjarje Spahiu u dënua me 33 vjet burg, ndërsa muzikanti me ngjyrë "Megaman", më 26 shtator 2006 u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për vrasje. Vetëm Morgan u gjet fajtor.

DENIMI Spahiu, në burg me VIP-a të krimit anglez

Që prej muajit korrik të këtij viti, emigranti shqiptar, Kujtim Spahiu, po e vuan dënimin në burgun "Whitemoor", i njohur ndryshe si një prej tetë burgjeve më të tmerrshme në Britani me nivel maksimal sigurie. Atje vuajnë dënimet 530 të burgosur, mes tyre VIP-a të krimit anglez, si Dennis Nielsen, një vrasës serial, Barry George, vrasësi i gazetares së BBC-së, Jill Dando, por edhe vrasësi tjetër po kaq i njohur, Kenneth Noye, i cili goditi me thikë për vdekje një shofer në autostradën M25. Kujtim Spahiut i lejohen vetëm dy vizita në muaj prej dy orësh secila. Burgu "Whitemoor" u kthye në një skenë arratie të gjashtë terroristëve në IRA-s në vitin 1994. Ata arritën të siguronin armë brenda burgut, prenë telat e mureve rrethuese të tij, duke u arratisur, por jo për gjithmonë. Ata u kapën përsëri. Që nga ajo kohë, në kategorinë A të burgjeve angleze nuk ka ndodhur asnjë arratisje. Spahiu është i vetmi shqiptar në këtë burg

About Me

Veliupress


View My Stats