Thursday, 27 September 2007

Në gjurmët e gjyshes

Në gjurmët e gjyshes

Sot është 70-vjetori i vdekjes së Tefta Tashko Koços. E mbesa Teuta, jep koncert përkujtimor në Korçë

Nga Londra Muhamed Veliu

Sopranoja Teuta Koço ka udhëtuar nga Anglia me mijëra kilometra për t‘iu bashkuar një koncerti aspak të zakonshëm.
Kësaj here ajo nuk do të ngjitet në skenat angleze apo evropiane ku gjithnjë ka shkëlqyer, por në një qytet të Shqipërisë, tejet i veçantë për të.
Është Korça, qyteti që nga gjiri i saj gjithmonë ka prodhuar artistë. Njëra prej tyre, gjyshja e Teutës, e madhja Tefta Tashko Koço. Ky vit përkon me 70-vjetorin e ndarjen nga jeta të kësaj këngëtareje të pazëvendësueshme për vokalin e saj dhe interpretimin e perlave të muzikës korçare.
Duke folur për "Shqip", përpara nisjes për në Shqipëri, Teuta nuk e fsheh gëzimin që edhe ajo do të jetë pjesë e këtij koncerti. "Ishte ideja e babait tim të dashur Eno Koços që edhe unë të merrja një rol sado të vogël në këtë koncert duke kënduar dy ose tri këngë nga repertori i gjyshes time.
Kjo u duk një ide shumë e mirë nga drejtori i shkollës, Tefta Tashko Koço, zoti Pandi Bello. Për mua, natyrisht, do të jetë një koncert ndryshe për vetë faktin se është hera e parë që unë shkoj në Korçë, ku pa dyshim do të takohem edhe me të afërmit e mi. Kam zgjedhur për të interpretuar këngët qytetare lirike, të cilat janë interpretuar me aq dashuri dhe pasion nga gjyshja ime, Tefta", deklaron Teuta.
Mësohet se përgatitjet për këtë koncert kanë kohë që kanë filluar nën kujdesin e vetë kryetarit të bashkisë, zotit Seleshi. Është shkolla që mban emrin e Tefta Tashko Koços, e cila me korin e saj do të risjellin këngët lirike, të cilat interpretoheshin me mjeshtëri nga Tefta.
Koncerti do të zhvillohet në ora 11:30 në ambientet e Pallatit të Kulturës.

Suksesi

Teuta Koço korri një sukses të jashtëzakonshëm në filmin "Flauti Magjik". Ajo pohon se pas mbarimit të këtij filmi shfaqjes në kinematë botërore, ajo është marrë me një tjetër "Flaut Magjik". "Gjatë kësaj kohe jam marrë me një tjetër "Flaut Magjik", por jo film. Ka qenë në formën e operës, e cila është pritur shumë mirë në jug të Anglisë ku është vënë në skenë. Me këtë operë, kam fituar edhe një çmim". Por ndërkohë, krahas aktivitetit muzikor, Koço ka marrë përsipër të bëhet edhe ambasadore e të drejtave të emigrantëve dhe të përçojë mesazhin për një emigracion të ligjshëm. Vetëm pak kohë më parë, ajo u përzgjodh nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit si ambasadore dhe imazhi i fushatës për një emigracion të rregullt. Qëllimi është që bashkë me muzikën ajo të ofrojë edhe një mesazh për bashkëkombësit e saj kudo që ndodhen, pse jo edhe në vendet ku jep koncerte."Në planet e mia të afërta me këtë organizatë është organizimi i një koncerti në Butrint. Ende nuk është vendosur data", pohon ajo.

Kush është Tefta Tashko Koço

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Monpelje-Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t‘i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike "Pathe"-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe, Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri, koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si: Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjitha qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris-Francë dhe Milano-Itali. Ndër to po përmend: "Zare trëndafile", Të dua, moj goc‘ e vogël", Bilbil çapkëni", Qante lulja lulen", "Kenke nur i bukurisë","As aman, moj lule" etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muzikantëve të shquar popullorë të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar, Marie Kraja, në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence Itali më 30 maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si: Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lagush Poradecit si p.sh "Kroi i fshatit tonë", apo "Kur më vjen burri nga stani". Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe (Truja) dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera "Bohemë" e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera "Berberi i Seviljes" e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare.

About Me

Veliupress


View My Stats