Tuesday, 4 September 2007

Shqiptarët e Anglisë, memorial Nënë Terezës në manastirin e Mançesterit

Shqiptarët e Mançesterit kanë bërë realitet një dëshirë të tyren të kahershme për të pasur në këtë qytet një monument të Nënë Terezës. Tashmë ky monument është vendosur në oborrin e manastirit Gorton, në zemër të këtij qyteti verior anglez, ku jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Monumenti 6 metra i gjatë, i quajtur "Shpirti i Dashurisë", është ndërtuar në formën e dy duarve të bashkuara bashkë, duke simbolizuar kështu Nënë Terezën. Në inaugurim e monumentit, realizuar nga skulptori britanik Andrew Scantlebury, morën pjesë drejtues lokalë të Bashkisë së Mançesterit, si dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme. Nga Kosova për këtë ceremoni kishin ardhur famullitari dhe themeluesi i shoqatës bamirëse "Nëna Terezë", Don Lush Gjergji, si dhe zëvendësministrja e Kulturës së Kosovës, zonja Angjelina Krasniqi. Në fjalën e saj përshëndetëse ajo tha se "Nëna Terezë, jeta dhe bëmat e saj janë dëshmi e vërtetë se është nënë jo vetëm e shqiptarëve, por e Nëna e Botës". Ndërsa shteti shqiptar u përfaqësua nga sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, zoti Myzafer Alushi.Ideja për të pasur një monument të tillë ishte e emigrantit nga Kosova, Osman Caka, i cili gjeti përkrahjen jo vetëm të shqiptarëve të Anglisë, por edhe të shoqatës bamirëse "Nëna Terezë" nga Lucerna e Zvicrës dhe kryetari i saj Z.Pjetër Gjonaj, duke kontribuar financiarisht.Iniciativa e Osman Cakës, një emigrant i besimit islam, ka tërhequr vëmendjen e medias lokale. "Nënë Tereza ndërtoi paqen dhe dashurinë e botës. Për tre vjet me radhë arrita të skalis germat shqipe në përjetësi në Manastirin Gorton, nën simbolin ndriçues të Nënës Terezë", është shprehur ai gjatë ceremonisë.Ideja e ngritjes së këtij memoriali ishte transmetuar nga zoti Osman Caka te Manastiri i St. Francis dhe Gorton Trust, duke zgjedhur dhe oborrin e këtij manastiri si vendin më ideal, ku mund të vendosje skulptura .Danjel Rrocaj, përfaqësuesi i shoqatës "Nëna Terezë" në Lucern të Zvicrës, tha se "ky përurim i kësaj skulpture është një ditë e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Mançesterit, por për të gjithë ata anë e mbanë botës".Famullitari Don Lush Gjergji, autor i më se 13 librave, pjesa më e madhe e tyre kushtuar Nënë Terezës, u shpreh se "janë themeluar tashmë ditët përkujtimore për shenjtoren shqiptare. 26 gushti si nata e lindjes dhe 5 shtatori vdekja ose kalimi në amshim i saj. Ambasadorja e mirësisë, siç e cilësoi ai, përfaqëson vlerat dhe virtytet më të mira njerëzore. Vuajtja, shtoi Don Lush Gjergji, ishte shoku më i ngushtë i Nënë Terezës. Nëpërmjet saj ndërtoi dashurinë, durimin, dhuratën dhe flijimin". Ky memorial korrespondonte edhe me 10-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës

About Me

Veliupress


View My Stats