Tuesday, 9 October 2007

"Në kërkim të kopshtit të gjyshes"

"Në kërkim të kopshtit të gjyshes"

Tirana në "Tate Britain", përmes video-artit


Nga Londra

Muhamed Veliu

Për herë të parë në galerinë prestigjioze "Tate Britain" është ekspozuar puna e dy artistëve shqiptarë. Denis Hyka dhe Violana Murataj, përmes video-artit të pamjeve filmike kanë sjellë në këtë galeri me famë botërore, Tiranën. Vepra e dy artistëve shqiptarë, njëri jeton në Londër e tjetra në Tiranë, quhet "Në kërkim të kopshtit të gjyshes". Hyka ka dhjetë vjet që nuk e viziton vendlindjen e tij, Tiranën. Përmes vizatimeve ai ka hedhur në letër të gjitha kujtimet që i kanë mbetur nga vendlindja. Bashkëpunimi me artisten Violana Murataj nisi dy vjet më parë, kur ata u ftuan të merrnin pjesë në projektin "Imagine art after", një bashkëpunim mes artistëve që kanë emigruar në Angli dhe atyre që kanë qëndruar në vendet e origjinës. Në 2005 Hyka i dërgoi vizatimet Muratajt, si ai e mbante mend Tiranën e para dhjetë vjetëve, ndërsa ajo këto vizatime do t‘i kthente në foto. Ndërkohë që këtë vit ata menduan të bënin diçka ndryshe. Denis Hyka hodhi në letër të gjitha kujtimet për shtëpinë e gjyshes, ndërsa Violana me një kamera në dorë shëtiti në çdo cep të Tiranës për ta gjetur atë. Ky është thelbi i kësaj video-arti, e cila u mirëprit nga publiku britanik, madje shkaktoi lot te shqiptarët e pranishëm që mes veti kujtonin kohën kur ata luanin në ato rrugë tiranase që projektoheshin në një ekran të madh në një nga sallat e "Tate Britain". E ndërsa në një prej dy ekraneve projektohej Tirana me rrugicat e ngushta e shtëpitë karakteristike me qerpiç, përballë këtij ekrani ishte vendosur një tjetër ekran ku ishte fiksuar artisti Hyka. Momenti më kulminant i këtij video-arti është kur Violana e gjen shtëpinë e gjyshes. Në ekranin tjetër projektohet Denis Hyka duke qarë. Lot të cilët krahas mallit për vendlindjen kanë të bëjnë me faktin se ai nuk mundi t‘i hedhë mbi varr dy grushte dhé gjyshes së dashur, e cila ndërroi jetë disa kohë më parë. Ky bashkëpunim i artistëve Hyka dhe Murataj është përmbledhur në formën e një ditari në një libër ku ata përmes fotove me tekst shoqërues tregojnë hap pas hapi realizimin e video-artit "Në kërkim të kopshtit të gjyshes". "Jam shumë e lumtur që puna jonë u ekspozua në këtë galeri. Natyrisht që për çdo artist është një event i rëndësishëm të jetë pjesë e ‘Tate Britain‘, aq më tepër për mua si një artiste e re në fushën e artit vizual", është shprehur Murataj.Ndërsa Denis Hyka do të thoshte se në fillim ai e nisi këtë projekt me një farë pasigurie dhe nuk e priste një sukses të tillë."Duke bashkëpunuar ngushtë me Violanën gjatë gjithë kësaj kohe, duke parë emocionet që shkaktoi ky projekt deri sa u gjet ajo që duhej gjetur, shtëpia e gjyshes, arrita të kuptoj se ishte një punë me rëndësi. Prezantimi në ‘Tate Britain‘ është një diçka e veçantë". Për Denis Hykën gjetja e kopshtit të gjyshes nga Viola ishte një surprizë, e cila do të përjetohej me lot nga ai, sidomos momenti kur ajo shkon edhe te varri i gjyshes, duke e filmuar atë. Artisti Hyka, që ka dhjetë vjet pa ardhur në Shqipëri, thotë: "Më ka mbetur pishman që nuk isha në varrimin e saj. Kur pashë videon m‘u duk vetja sikur kisha qenë atje". Filmimet e bëra me kujdes nga artistja e re Murataj, e cila punon për studion grafike "VGA", pjesë e "Top Medias", ka ngjallur emocion tek ata shqiptarë që patën mundësi të ndjekin natën e parë të inaugurimit të veprës së dy bashkëkombësve të tyre. "Për mua ishte shumë prekëse të shikoja mikun tim që merrte pjesë në një eveniment kaq të rëndësishëm dhe të shikoja Tiranën, pavarësisht që kam pak kohë që kam qenë. U ndjeva shumë e emocionuar kur pashë rrugët e Tiranës, sidomos pjesa më prekëse ishin imazhet e varrezave", u shpreh Julinda Sharra. Vepra e artistëve shqiptarë ka ngjallur kureshtje te vizitorët joshqiptarë. Njëra prej tyre, Sara James, ndihmësja e atasheut kulturor të ambasadës amerikane në Londër, thotë se për të ishte një vepër interesante, pasi për të dytën herë në pak kohë ajo shikonte pamje nga Tirana. "Di shumë pak për Tiranën. Por duke parë këtë film të shkurtër, m‘u duk vetja sikur po udhëtoja me makinë në rrugët e këtij qyteti. Ato rrugë të bëjnë për vete. Të fusin në një botë tjetër, ku të duket vetja se ti je duke observuar gjithçka. Padyshim një punim interesant". Kjo vepër e dyshes Hykaj-Murataj ngjalli interes te disa pronarë galerish në Francë, Itali, Amerikë, të cilët u bënë ftesa artistëve shqiptarë për ta çuar këtë video-art në galeritë e tyre.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats