Friday, 12 October 2007

Pranga angleze dy vrasësve shqiptarë

Pjetër Lekstakaj dhe Frrok Koçeku nisin procedurat kundra ekstradimit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Arrestohen në Angli dy shqiptarë, të cilët janë dënuar në mungesë për vrasje. Ftohtësinë e prangave angleze, për llogari të drejtësisë shqiptare, e kanë provuar Pjetër Lekstakaj, nga Lezha, së bashku me Frrok Koçekun, nga Dibra. Lekstakaj u përfshi në vrasje në mars të 1999-ës, ndërsa Koçeku në 1996-ën.

Lekstakaj vrau Nikoll Kolën

Pjetër Lekstakaj është arrestuar në qytetin e Birmingamit, të cilin e kishte zgjedhur si vend fshehje. Ai është dënuar në mungesë për vrasjen e Nikoll Kolës nga qyteti i Lezhës. Lekstakaj, 59 vjeç, tetë vjet më parë i qëlloi një karikator automatiku bashkëfshatarit të tij për një pjesë toke. Që nga ajo kohë ai u zhduk pa lënë gjurmë. Mësohet se për arrestimin e Pjetër Lekstakaj ka ndihmuar zyra e Interpol Tiranës, e cila disa kohë më parë kanë identifikuar vendndodhjen. Pjetër Lekstakaj ka dalë përballë një gjykate ekstradimesh në Londër, e cila ka filluar procedurat e ekstradimit. Që në këtë seancë, avokatët mbrojtës i kanë thënë gjykatës se ata do ta kundërshtojnë ekstradimin për klientin e tyre, pasi, nëse dërgohet për të vuajtur dënimin në burgjet shqiptare, nuk do të ketë kujdes psikiatrik të nevojshëm. Avokatët e Lekstakaj po luajnë me kartën e të sëmurit mendor.

Koçeku vrau Besim Buçin

Frrok Koçeku do të prangosej në zonën Milton Keyns. Ai fshihej në këtë zonë, pasi 11 vjet më parë ka kryer vrasjen e Besim Buçit. Sipas prokurorit britanik, që përfaqëson kërkesën e qeverisë shqiptare për ekstradim, Koçeku ishte në dijeni të vendimit të Gjykatës Shqiptare të Shkallës së Parë në Dibër, e cila e dënoi atë më 15 vite burg. Prokurori e ka mbështetur këtë fakt në dokumentacionin e ardhur nga Tirana. Në njërin prej shumë dokumenteve është firmosur nga Koçeku kërkesa për ta apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Si edhe në shumë raste të tjera ekstradimesh avokatët e Koçekut e kanë ndërtuar mbrojtjen e klientin që përfaqësojnë mbi hipotezat se në Shqipëri nuk ka gjykim të drejtë. "Në Shqipëri abuzohet me sistemin drejtësisë dhe nuk kryhen procese të padrejta", ka deklaruar në gjykatë avokati Ben Watson. Koçeku do të paraqitet në këtë gjykatë më 23 tetor për të mësuar nëse do të ekstradohet për në Shqipëri apo jo.

Sinani dhe Kallmi: Mos na ekstradoni

Që prej një viti kur u arrestuan në Londër Afrim Sinani dhe Edmond Kallmi kanë marrë pjesë në seancë gjyqësore maratonë ku përmes avokatëve po mundohen t‘i mbushin mendjen gjykatës për mos t‘i ekstraduar. Sipas avokatëve nëse ata ekstradohen nuk do t‘u zhvillohet një proces gjyqësor i ndershëm. Po më të njëjtin justifikim pesë vjet më parë Fatmir Bleta i dënuar për vrasje i shpëtoi ekstradimit. E njëjta histori u përsërit disa muaj më parë me vrasësin e dyfishtë Ymer Hoxha nga fshati Shëmrie i Kukësit. Afrim Sinani 32 vjeç është prangosur nga policia londineze, pas dhjetë vitesh në kërkim, ku fshihej me një emër të rremë. Skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard e arrestoi atë pasi ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasje, nga drejtësia shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, nga Metropolitan Police (Zyra e Ekstradimeve në Londër), në zonën Ilford Essex është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, Afrim Sinani, me origjinë nga fshati Shëmri i Kukësit. Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës, me vendim të datës 29 tetor të vitit 1996, e ka shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes me dashje dhe të armëmbajtjes pa leje, për të cilat është dënuar me 20 vjet heqje lirie. Ndërsa Edmond Kallmi, 30 vjeç, i dyshuar si mik i ngushtë i Dritan Vilës, ka rënë në prangat e policisë angleze, pas urdhrit të arrestit nga policia shqiptare. Krimi për të cilin është arrestuar Edmond Kallmi, mësohet të ketë ndodhur më 12 shtator të vitit 1998. Edmond Kallmi dhe Dritan Vila mësohet se kanë vrarë Adriana Besin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Perondi të Kuçovës, kur në rrethana të paqarta Dritan Vila dhe Edmond Kallmi kishin takuar vajzën dhe më pas e kishin ekzekutuar atë. Pikërisht për këtë ngjarje, sipas policisë së Qarkut të Beratit, Dritan Vila, anëtar i "Bandës së Lushnjës" dhe miku i tij, Edmond Kallmi, janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Beratit me nga 12 vite burg secili.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats