Monday, 22 October 2007

Shqiptarët në Angli, hiletë për të shmangur ekstradimin

Shqiptarët në Angli, hiletë për të shmangur ekstradimin

Avokatët britanikë zbulojnë skemën e re: Shqipëria nuk i rigjykon të dënuarit në mungesë

Nga Londra Muhamed Veliu

Avokatët britanikë zbulojnë një justifikim të ri për bllokimin e ekstradimeve të shtetasve shqiptarë, të arrestuar në Angli për llogari të drejtësisë shqiptare. Bëhet fjalë për ngritjen e argumentit se nëse shqiptarët "wanted" të ekstraduar nga Anglia nuk do të rigjykohen, pasi ata janë dënuar në mungesë. Rigjykimi, në shtetet që kërkojnë ekstradimin e një personi nga Anglia, është një nga kushtet e lëshimit të certifikatës së ekstradimit, e cila parashikohet nga akti britanik i ekstradimeve, i miratuar në vitin 2003. Ky argument është përdorur dje në procesin e ekstradimit të Armand Bogdanit, i dënuar në mungesë me 13 vite burg për veprën penale të trafikut të drogës. Bogdani, i veshur me një kostum blu të errët, këmishë blu të hapët, vetëm sa i ka konfirmuar gjykatës emrin dhe datën e lindjes. Më pas, me shumë vëmendje, ai ka dëgjuar debatet mes avokatit mbrojtës dhe gjykatësit, të cilat i janë përkthyer në shqip nga një përkthyese në sallën numër tre të gjykatës Westminster Magistrate Court në Londër. Ai po i zhvillon procedurat në gjendje lirie me kusht.
Megjithëse vetë ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmaili, i ka dërguar një letër gjykatës ku garanton rigjykimin e Bogdanit pas ekstradimit, kjo garanci nuk ka mjaftuar për avokatin e tij mbrojtës. Kjo letër në emër të drejtësisë shqiptare i është dorëzuar gjykatësit nga prokurorja britanike Clea Dobin, e cila përfaqëson shtetin shqiptar në këtë ekstradim. Avokati mbrojtës i Bogdanit i tha gjykatës se së bashku me një kompani avokatore shqiptare po përgatisin argumentet e duhura për rezervat që ata kanë me proceset gjyqësore në Shqipëri. Po ashtu pala mbrojtëse e shqiptarit ka shprehur rezerva për mënyrën se si prokuroria shqiptare ka ndërtuar akuzën për klientin e tyre. Nga dokumentacioni i ekstradimit i dërguar nga Tirana mësohet se dënimi me 13 vjet burg për trafik droge në ngarkim të 27-vjeçarit Bogdani ka ardhur si pasojë e dëshmisë së një tjetër trafikanti droge. Ka qenë Blerim Riza, ai që i ka thënë policisë shqiptare se makina në të cilën u gjet droga është marrë me qira nga një person që ka paraqitur në pasaportë emrin Armand Bogdanit. Avokati londinez ka ngritur hipotezën se pasaporta mund të jetë vjedhur dhe se klienti i tij nuk është implikuar në këtë krim për të cilin e kërkon drejtësia shqiptare.
Fati i ekstradimit të Armand Bogdanit do të mësohet në javët në vazhdim. Fillimisht më 16 nëntor, kur është seanca e radhës, ku avokatët do të dorëzojnë në gjykatë të gjitha argumentet se përse ata kërkojnë që Bogdani të mos ekstradohet. Më pas gjykata e ekstradimeve do të vendosë një datë për seancën përfundimtare, ku do të merret vendimi për çështjen "Bogdani". Procedura e ekstradimit e Armand Bogdanit do të jetë një test britanik për drejtësinë shqiptare dhe vetë ministrin e Drejtësisë, zotin Ilir Rusmaili. Nga ky proces do të mësohet se kush gëzon më shumë kredibilitet në organet e drejtësisë britanike, argumentet e avokatëve apo premtimi për një rigjykim të Bogdanit dërguar me shkrim nga ministri Rusmaili.

Akuza

Armand Bogdani, me origjinë nga Librazhdi, kërko het nga drejtësia shqiptare pasi më 4 korrik të vitit 2002 tentoi të trafikonte në Greqi 1,720 kilogramë kanabis. Prokuroja Clair Dobbin i tha gjykatës nëse kjo sasi droge do të shitej në tregun britanik do të kishte një vlerë prej 1,3 milionë paund ose 7,8 milionë paund nëse ishte e një cilësie të mirë. Bogdani është arrestuar më 5 gusht të 2007-ës në qytetin e Nottinghamit. Momentin e arrestimit ai deklaroi në polici se nuk kishte asnjë dijeni që ishte i dënuar në mungesë nga autoritetet shqiptare. Mësohet se ai kishte fituar leje qëndrimi përgjithmonë në Angli, garantuar nga autoritet britanike të emigracionit, madje kishte mundur të merrte edhe nënshtetësinë britanike, megjithëse ishte person në kërkim nga drejtësia shqiptare. Janë me dhjetëra rastet si ky i Armand Bogdanit, kur shqiptarë të kërkuar, të paraqitur me të dhëna të rreme, kanë mundur të fitojnë leje qëndrimi në Britaninë e Madhe, pasi në momentin kur ata kanë kërkuar azil nuk i janë nënshtruar një "skanimi" rigoroz për të mësuar identitetin e tyre të vërtetë dhe faktin se janë të kërkuar në Shqipëri.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats