Saturday, 6 October 2007

Sienna Miller, dy herë mat

Aktorja britanike, e fotografuar nudo në park. Jani Jançe, paparaci shqiptar i Londrës, autori i fotove sensacionale

Nga Londra Muhamed Veliu

Aktorja britanike, Sienna Miller, është shtangur kur ka parë fotot e saj nudo gjatë xhirimit të një filmi një ditë më pas në të gjitha gazetat britanike. Mbase ajo do të shtangej më shumë nëse do të mësonte identitetin e njeriut që me syrin e mprehtë fiksoi momentet kur ajo në një park londinez pozon nudo përpara kamerave gjatë xhirimit të një skene në filmin "Hippie Hippie Shake". Bukuroshja bionde në këtë skenë është tërësisht nudo, me një tufë me lule në kokë.Ishte po i njëjti paparac, i cili tre vjet më parë do ta fotografonte me zinxhirin e pantallonave hapur brenda në avionin e linjës New York-Londër.Dhe ai është shqiptari Jani Jançe, njohur si paparaci shqiptar i Londrës.Edhe kësaj here fati ka qenë në anën e tij. Një "tip-off" (dhënie informacioni), siç njihet në zhargonin e paparacëve, e ka çuar fierakun Jançe drejt fotove sensacionale, cilësuar si fotot e muajit në Britaninë e Madhe. Por si mundi Jançe të sigurojë skupin e radhës?Duke folur ekskluzivisht për "Shqip", ai për herë të parë bën publike detajet e fotografimit të aktores seksi, Sienna Miller. "Kam lidhjet e mia brenda industrisë së filmit, ku kam punuar edhe vetë në mbarim të shkollës për kinematografi. Kështu edhe kësaj here më ndihmoi një kontakt, i cili më dha të dhëna të sakta se ku do të xhirohej filmi në të cilën luan Miller", rrëfen Jançe. Ai pohon se nuk e priste të fiksonte aktoren tërësisht të zhveshur, aq më shumë kur në atë shesh xhirimi ishin edhe mbi 15 paparacë të tjerë, tre prej tyre nga agjencia "BigPicture", ku Jançe nisi karrierën si paparac katër vjet më parë. "Besoja se do të kisha foto njësoj si të gjithë të tjerët. Por në punën tonë, pavarësisht nga talenti, mbi të gjitha duhet të kesh fat. Avantazhi im ishte se munda të hyj në një shtëpi përballë sheshit të xhirimit, ku nuk më shikonte njeri. Pagova të zotin e shtëpisë 500 sterlina për të pasur akses. Ky ishte avantazhi im, pasi ato momente kur Sienna filloi të hiqte rrobat, të gjithë paparacët e tjerë ishin larg dhe nuk kishin rreze shikimi", thotë paparaci shqiptar i Londrës, kthyer në tmerrin e personave VIP, të cilëve nëse ai u vihet nga pas, zor se mund t‘i shpëtojnë aparatit të tij "Canon" me objektiv filmimi 600 metra në distancë. Jançe nuk u ka besuar syve kur ka parë aktoren nudo dhe fillimin e xhirimit pas komandës "Action". E ndërsa kamerat kanë përfunduar xhirimet e sekuencës nudo, po të njëjtën gjë ka bërë edhe shqiptari. Plot 30 shkrepje të shoqëruara me një adrenalinë dhe rrahje zemre. "Munda të fotografoj Sienna Miller tërësisht nudo. I kemi ekskluzive", kjo ka qenë fjalia e përcjellë në ato momente përmes telefonit, bosit të agjencisë "Xposure", e cila merret me shitjen e fotove të paparacëve. Numri një i kësaj kompanie ka shtangur, duke mos besuar për një moment atë që dëgjonte, pasi në vendxhirim ai e dinte që kishte edhe paparacë të tjerë. Nuk ka vonuar shumë kur në zyrën e tij kanë mbërritur imazhet e dërguara nga terreni. Tashmë, kur ato foto ishin ekskluzive, atij si mbetej gjë tjetër veçse të hidhej në sulm për të gjetur treg. Të gjithë tabloidët ishin të interesuar, por askush nuk pranonte të blinte 100% ekskluzivitetin e fotove. Por arrihet një marrëveshje. Gjashtë tabloidë blejnë fotot. Totali i shitjeve, 70 mijë paund. "Xposure" fillon negociatat me tabloidët dhe revistat e tjera në botë. Një gazetë gjermane, e cila pas pak minutash shkonte në shtypshkronjë me shpejtësi, ndryshon njërën nga faqet e saj, duke botuar katër foto të yllit të kinematografisë britanike. Amerika ku Miller gëzon goxha famë, ishte një tjetër vend shitjeje për këto foto që mbajnë mbishkrimin Jance/Xposure. Paparaci shqiptar i Londrës, që njeh vetëm sukses, të cilin e kanë zili edhe paparacët e tjerë britanikë, pohon se përpara fotografimit të Sienna Miller ai ishte në Festivalin e Filmit në Venecia, ku mundi të fotografojë aktoren Anxhelina Xholi me bashkëshortin Brad Pit, për të cilat Jançe thotë se i është vënë në dyshim autorësia. "Më vjen keq që një prezantues shqiptar gjatë fundjavës në emisionin që drejton i bën pyetje njërit prej të ftuarve në formë kuisi nëse ato foto janë marrë nga një paparac shqiptar apo ajo".

Tre vjet më parë: "Si e fotografova Sienna Miller në avion"

"Nisemi për në New York, ku kishim informacion të saktë se ku do të ishte aktorja Sienna Miller. E fotografoj për disa ditë me radhë. Duke u kthyer për në Londër, qëllon që ajo ishte po me të njëjtin avion me mua", tregon Jani historinë e fotografimit të Miller. "Nuk mund të nxirrja nga çanta aparatin e madh. Gjithmonë mbaj me vete një të vogël. Gjej një moment dhe i bëj vetëm një shkrepje. Sienna s‘e priste një gjë të tillë. U mërzit, po kujt i bëhej vonë. Kur mbërrij në Londër e kaloj foton në laptop dhe ç‘të shikoje: Sienna e kishte harruar zinxhirin e xhinseve hapur. Kur ia nisa agjencisë, bosit tim iu bë shumë qejfi. Ajo foto është shitur shumë dhe është një ndër fotot më të shtrenjta që kanë në agjencinë "Big-Pictureku", punoja më parë".

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats