Saturday, 10 November 2007

Angli, 12 vjet burg dy grabitësve shqiptarë

Azilantët Artan dhe Fran Doda 12 vite burg. Në fund të dënimit dëbim në Shqipëri

Angli, 12 vjet burg dy grabitësve shqiptarë

Në tre muaj 27 grabitje. Përfituan 20 mijë paund.

Nga Londra
Muhamed Veliu

Grabitja e 27 vilave në tre muaj nga ku përfituan 20 mijë sterlina, i ka kushtuar 12 vite burg në total dy azilantëve shqiptarë. Artan Doda, 23 vjeç, bashkë me Fran Dodën, gjatë natës grabisnin vilat, duke hapur dritaret me kaçavidë e duke terrorizuar banorët e tyre. Grabitjet u kryen në zonën Surrey afër autostradës A3, në periudhën kohore janar-mars 2006. Nga procesi gjyqësor u mësua se Frani ishte përdorues i rregullt i drogës. Atij, çdo ditë i duheshin 500 sterlina për të përmbushur nevojat me heroinë. Ndërsa Artani, që merrte asistencë sociale si i papunë, me paratë e përfituara nga grabitja mundohej të lante kredinë e një makine të blerë nga e dashura. Ai pranoi se kishte përdorur karta krediti të vjedhura, por mohoi përfshirjen në grabitjen e vilave. Sipas tij, ai paguhej nga Frani për të qëndruar në makinë. "Kur Frani kthehej, ai vinte me një çantë të mbushur me sende të ndryshme", ka pohuar në gjykatë Artan Doda. Grabitja e makinave që përdoreshin për t‘u larguar pas vjedhjes së vilave, ishte një tjetër krim që ata e kishin kryer shpesh. Gjykata e Krimeve "Guildford Crown Court" i ka deklaruar ata fajtorë. Një tjetër shqiptar, pjesë e grupit të tyre i quajtur Besnik Kastrati, që besohet të jetë në Londër, është zhdukur pasi u la i lirë me kusht nga gjykata. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në grabitjen e vilave së bashku me Artan dhe Fran Dodën. Ky i fundit mbërriti në Angli si azilant kur ishte 15 vjeç dhe ishte dënuar edhe më parë me 18 muaj burg për dy grabitje vilash. Ndërsa Artan Doda mbërriti në Angli në vitin 2001. Ai nuk kishte precedentë të mëparshëm kriminalë. Dje, gjykata vendosi shtatë vjet burg për Fran Dodën dhe pesë vite burg për Artan Dodën. Gjykatësi rekomandoi dëbimin e tyre nga Anglia në fund të dënimit. “Grabitjet që ndërrmorrët ishin të paramenduara, planifikuara mirë dhe të sofistikuara” tha gjykatësi Jeremy Carter-Manning QC gjatë leximit të masës së dënimit.Krimi grabitjes së shtëpive në Britaninë e Madhe është një krim shumë i përhapur që kryhet sidomos nga përdoruesit e drogës.Vitet e fundit janë me dhjetra rastet kur drejtësia britanike për këtë lloj krimi ka dënuar të rinj shqiptarë.

PS. Kete shkrim keni shume gjasa ta lexoni te botuar pa leje ne numrin e ardhshem te gazetes ALBANIAN MAIL.Ne numrin e fundit te saj 6 lajme jane vjedhur nga ky blog. Keshtu te nderuar miq keto lajme qe ju i lexoni ketu falas, apo i keni pare ne Top-Channel, paturpeshisht ju shiten me para pas dy javesh ne nje gazete e cila supozohet te ofroje lajme te reja.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats