Sunday, 11 November 2007

"Piratët e bankave", dy shqiptarë kapen në Angli

Përmes identiteteve të rreme zhvatën më shumë se 100 mijë paund

Nga Londra
Muhamed Veliu

Arrestohen dy emigrantë shqiptarë, të cilët kishin zgjedhur si mënyrë pasurimi mashtrimin e bankave angleze. Policia e zonës Northampton në veriperëndim të Anglisë, ka zbuluar mekanizmin e mashtrimit të emigrantëve Altin Husha dhe Vojsava Stena, të cilët tashmë janë prangosur. Të dy shqiptarët, në mënyrë ilegale kanë përfituar 100 mijë paund (140 mijë euro) përmes disa llogarive bankare. Paratë e përfituara nga mashtrimi ata ia qarkullonin njëri-tjetrit. Gjithashtu, është zbuluar se disa shuma parash janë transferuar jashtë Anglisë. Sipas policisë së zonës Northampton, mësohet se me paratë e përfituara nga mashtrimi, shqiptarët kishin blerë dy makina luksoze. Tani ata do të përballen me drejtësinë angleze për posedim të mjeteve që të inkriminojnë në një vepër penale. Husha dhe Stena kanë dalë përpara gjykatës "Northampton County Court" ku u janë komunikuar nëntë akuza të përbashkëta për pastrim parash dhe mashtrim fiskal. Gjykata vendosi që ata të gjykohen në gjendje të lirë. Nuk dihet ende se cili është statusi i tyre në Britaninë e Madhe.

Skema e mashtrimit

Policia thotë se "mashtrimi i bankave angleze nuk është një krim i ri me autorësi 100% shqiptare". Fillimisht ishin grupe kriminale nga Nigeria, që e kanë praktikuar dhe vazhdojnë këtë krim, duke përfituar shuma të mëdha. Për këtë lloj krimi, ata përdorin hapjen e disa llogarive bankare përmes dokumenteve të falsifikuara. Dhjetë vjet më parë, në Britaninë e Madhe lehtësisht cilido mund të hapte një llogari bankare, duke përdorur si mjet identifikimi vetëm dhe kartën e studentit. Pasi hapej llogaria bankare, në të kryheshin veprime të shumta bankare. Në këtë mënyrë, banka rriste gjithnjë e më shumë besimin ndaj klientit, duke i ofruar më pas edhe kredi të ndryshme. Ekspertët e antikrimit financiar shpjegojnë se, pasi pranohej kredia e parë, mashtruesit kërkonin rishikimin e kredisë. Duke paraqitur plan-biznesi të rremë kërkonin rritjen e shumës së kredisë, kërkesë që nuk kundërshtohej nga bankat, pasi edhe fitimet e tyre në raste të tilla ishin disa herë më të larta. Por më pas, kreditori zhdukej, ndërsa bankat e kuptonin se identitetet e tij ishin të rreme.

Rasti "shqiptar"

E njëjta metodë është përdorur nga shumë shqiptarë. Sipas statistikave të policisë, në vitin 1998 kur nisi emigrimi shqiptar drejt Anglisë, ata hapën llogari bankare si shtetas grekë apo italianë. Pas disa vitesh, kur kontot e llogarisë ishin aktive dhe kishin qarkulluar para, morën kredi të majme mbi 100 mijë sterlina, që nuk i kthyen më. Për bankat britanike, hetimi i këtyre rasteve është i pamundur për vetë koston e hetimit, pasi përfshihen detektivë privatë, të cilëve kostoja e hetimit mund të shkojë disa herë më e madhe sesa ajo e shumës që i është marrë bankës nga individi.

Ps. Ndalohet ripublikimi ketij artikulli ne Albanian Mail e cila vjedh lajme ne menyre sistematike nga ky blog.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats