Sunday, 11 November 2007

Prençi, në Londër për luftën kundër krimit

Policia shqiptare duket se ka marrë vlerësime për luftën kundër krimit të organizuar, nga agjencitë e zbatimit të ligjit në Angli. Me ftesë të Agjencisë Angleze për Luftën Kundër Krimit të Organizuar (SOCA), këto ditë zhvilloi një vizitë pune në Londër (Angli), një delegacion i lartë i Policisë së Shtetit, i kryesuar nga kreu i saj, kryekomisar Ahmet Prençi. Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar u prit nga drejtoresha e Departamentit për Luftën Kundër Drogës dhe Krimit Ndërkombëtar, Lesley Pallet. Në këtë takim u vlerësua Policia e Shtetit Shqiptar, për luftën kundër krimit të organizuar, si dhe u theksua fakti se kjo luftë e Policisë së Shtetit kundër krimit duhet të vazhdojë më tej, nëpërmjet mënyrave dhe metodave të instaluara në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë. Delegacioni shqiptar zhvilloi takime edhe në Ministrinë e Brendshme Angleze (Home Office), ku u prit nga drejtues të departamenteve të luftës kundër drogës dhe krimit financiar, respektivisht Richard Rhodes dhe Caroline Johnson. Gjatë këtij takimi, ashtu si edhe në atë të mëparshmin, u vlerësuan arritjet e policisë shqiptare në luftën kundër krimit dhe u bisedua për ndihmën dhe asistencën që do të japin strukturat përkatëse angleze. Takimet vijuan në zyrat qendrore të SOCA-s, ku delegacioni shqiptar u prit nga zv/drejtori Rob Wainwrigiht. Gjatë takimit, u bë një prezantim i mënyrës së funksionimit të kësaj agjencie, si dhe u vlerësua bashkëpunimi aktual midis saj dhe Policisë së Shtetit. Më pas takimet vazhduan me strukturat operacionale të SOCA-s në terren, ku delegacioni shqiptar u njoh nga afër me metodat e punës dhe teknologjinë që përdor kjo agjenci, me qëllim marrjen e eksperiencave më të mira.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats