Monday, 12 November 2007

Shqiptari "dru" bashkeshortes angleze

Gjykata angleze, tre vjet burg Ylber Kolës. Vendoset edhe dëbimi i tij pas përfundimit të dënimit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një shqiptar, i cili nuk ka kursyer të përdorë dhunën fizike ndaj bashkëshortes së tij britanike, që i mundësoi ardhjen përsëri në Angli pasi e dëbuan, është dënuar me tre vite burg. Ylber Kola e ka rrahur bashkëshorten deri në atë pikë sa i ka thyer këmbën në disa pjesë. Britmat e saj nga dhimbja e tmerrshme që shkaktonte këmba e thyer, nuk ia kanë prishur terezinë Kolës të telefonojë ambulancën. Britanikja po i nënshtrohet fizioterapisë, por mjekët thonë se ajo nuk do të mund të ecë si më parë. Shqiptari i dhunshëm është rikthyer në Britaninë e Madhe me një vizë martese lëshuar nga Ambasada Britanike në Tiranë. Më parë ai ishte dëbuar si emigrant ilegal. Po të njëjtin fat do ta ketë, pasi të ketë kryer tre vite burg dhënë nga gjykata "Northampton Crown Court". Xhelozia e 31-vjeçarit Kola ka shpërthyer vetëm disa javë pas martesës në Shqipëri, duke e çuar bashkëshorten në spital. Gjykata dëgjoi se si gjithçka kishte nisur kur Kola së bashku me bashkëshorten 24-vjeçare kishin dalë në një bar në zonën Northampton. "Ylber Kola filloi të bëhej xheloz nga prezenca e një barmeni mashkull. Ai filloi t‘i ulërasë bashkëshortes me fjalët: "Pse nuk më ke thënë që ai punon këtu", përpara se ti kërkonte asaj ta puthte në mënyrë që ta shikonte barmeni se ajo ishte me të", ka thënë prokurori Michael Waterfield, gjatë procesit. Kur janë kthyer në shtëpi Kola ka humbur toruan, duke e goditur bashkëshorten me grushte. Prokurori Waterfield i tha gjykatësit Richard Bray se pas goditjes dhe thyerjes së këmbës, Kola shkoi në punë sikur të mos të kishte ndodhur asgjë, pa telefonuar ambulancën. Ai ka pranuar akuzat për dëmtime trupore me dashje, duke u dënuar me tre vjet burg. Gjykatësi Bray, duke lexuar dënimin tha: "Zoti Kola, prezenca juaj në këtë vend nuk i shërben së mirës së publikut, prandaj në fund të dënimit urdhëroj dëbimin tuaj nga Anglia. Ky nuk është rasti i parë që emigrantët shqiptarë dhunojnë bashkëshortet. Rasti i parë ka ndodhur në Irlandë, kur një emigrant vrau të dashurën e tij, pasi ajo i refuzoi dashurinë. Ndërsa një rast tjetër është shënuar në Londër, ku për xhelozi një person ka vrarë bashkëshorten.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats