Monday, 5 November 2007

Silvi Tahiri një ambasadore shqiptare në Britani

Silvi Tahiri një ambasadore shqiptare në Britani

Ajo njeh vetëm sukses. Përfundon shkollën me rezultatin maksimal dhe menjëherë punësohet nga një bankë britanike investimesh. Cili është suksesi Silvi Tahirit një tjetër ambasadore e komunitetit shqiptarë në Britani? "The Albanian" sjell portretin e bankieres së re shqiptare.

Nga Muhamed Veliu

Silvi Tahiri është njëra prej atyre vajzave dhe djemve shqiptarë në Britaninë e Madhe që po shkëlqejnë nëpër institucionet britanike ku ata punojnë.Prej pothuajse një viti e gjysmë ajo është punësuar në njërën prej bankave londineze të investimeve e quajtur "FairFax". Silvin një vajzë e qeshur veshur më një kostum kafe, një këmishë të bardhë, flokë bionde të prera, e takojmë afër ambienteve të punës në një prej zonave më të shtrenjta të Londrës e quajtur Mayfair. Ajo flet ngadalë me një aksent të ëmbël shkodran pjesë e krenarisë së saj e cila të kursen ta pyesësh për origjinën. "Ndonjëherë e gjej veten duke folur me një theks letrar dhe kjo ndodh edhe nga shoqëria që kam këtu në Londër, por menjëherë më duket sikur diçka mungon nga vetja ime. " fillon bisedën Silvi në një kafene aty pranë pasi ka rrufitur disa gllënjka kapuçino. Silvi na tregon se nuk ishin aspak të lehta për të vitet e para kur mbërriti në Angli. Por ajo në mendjen e saj kishte projektuar me saktësi të ardhmen. "Me të mbërritur në Angli ju futa studimeve në një kolegj për IT. Mbasi përfundova kolegjin me rezultate shumë të mira, arrita të siguroj një vend në universitetin Westminster ku studiova shkenca kompjuteristike për 3 vjet" tregon ajo rreth fillimit të studimeve. Thekson se gjithnjë ka patur mbështetjen dhe inkurajimin e prindërve për tu shkolluar dhe se pa dashurinë dhe mbështetjen e tyre ajo asnjëherë do nuk te arrinte gjithçka që ajo ka arritur deri më sot apo edhe në të ardhmen. "Gjithçka ia dedikoj prindërve të mi dhe sigurisht punës sime ngulmuese" shprehet ajo. Që në fillim shqiptarja me një look të bukur sikurse shumë bashkëmoshatare të saj shqiptar, do të spikatej si një studente e suksesshme. Pikërisht ky sukses buronte nga fakti se ajo kishte bërë një premtim prindërve dhe vetes se saj që studimet e larta ti përfundonte me rezultate maksimale. Madje na tregon se kishte vënë një bast me veten. E pyes Silvin se cili ishte ai bast. Ajo më jep këtë përgjigje duke qeshur njëkohësisht paralajmëruar. "Mos kujto se ishte ndonjë rast i vënë në lokalet e basteve. Më pëlqen të mbështetem tek aftësitë dhe puna ime më shumë se tek fati i rëndomtë. Basti në këtë rast ishte ta përfundoja universitetin me rezultatet maksimale. Dhe këtë bast e fitova kur u diplomova me rezultatin maksimal First Class Honours" E gëzuar nga ky mision i mbyllur me sukses për Silvinin do të niste një kapitull i ri në jetën e saj si emigrante në Britaninë e Madhe. Punësimi. Konfidente në maksimum,ambicioze përtej kufijve të normales dhe tashmë e bindur për aftësitë e saja, Silvi nuk e merr me aspak frikë prospektin e punësimit pas universitetit aspekt i cili shqetëson së tepërmi të sapo diplomuarit. Kur dihet që Londra është kthyer në qendrën më të madhe ekonomike duke lënë pas New Yorkun, kërkesat për njerëz që punojnë në banka investimesh dhe bursat e ndryshme apo sektorë të tjerë të tjerë ekonomik është i lartë. Si pasojë edhe cilësia e punonjësve merr dimensione të veçanta. Bankierët e rinj duhet të ndeshen përditë për luhatjet e bursës që këtë vit kanë qenë të shpeshta. Prandaj edhe ky sektor kërkon njerëz të stërvitur mirë përballë presionit psikologjik që të shkakton kjo lloj pune . Silvi Tahiri është njëra prej tyre. Prej pothuajse një viti e gjysëm ajo është pjesë e zhvillimeve ekonomike pasi është punësuar si bankiere në bankën e investimeve "FairFax". Mes miqsh ajo njihet si "Silvi bankiere". Në pamje të parë një titull si ky për ata që e takojnë Silvin për herë të parë patjetër që ngjall interes. Por ajo me thjeshtësinë e saj nuk i sikletos njerëzit apo i bën ata të pyesin shumë pyetje rreh asaj që bën. Në fakt njëri prej tyre u bëra edhe unë disa ditë për parë kur intervistova Silvin për këtë shkrim portret në "The Albanian".Bankierja e re shqiptare më tregon se ishte një rastësi fillimi i punës në "Fair Fax". Kot nuk i thonë rastësia është mbreti i botës. Silvi thotë:"Kisha vetëm disa javë që isha diplomuar. Po lexoja gazetën "Financial Times" ku në faqen e reklamave pati një vend pune. Nisa menjëherë CV-në time. Nuk vonoi shumë pas disa ditëve më ftuan për intervistë. Nuk mendoja se do ta merrja atë vend pune kur pashë se nëntë personat e tjerë që kishin ardhur për intervistë ishin që të gjithë meshkuj dhe britanikë". Përballë një situate të tillë, ajo ka hyrë në intervistë si e barabartë, pa patur aspak frikë por pranon se emocionet ishin prezente. Pas një interviste që zgjati gjithë paraditen vjen fundi i saj dhe pjesa më e vështirë. Ishte momenti për të mësuar nëse e kishte fituar atë vend pune.Tre intervistuesit e saj ishin të një mëndje. Silvi Tahiri e meritonte të bëhej pjesë e kompanisë së tyre."Nuk më besohej sinqerisht edhe pse thellë thellë e ndjeja që e meritoja plotësisht këtë mundësi. Në ato momente pothuajse e gjithë jeta me kaloi me një shpejtësi të rrufeshme para syve dhe e kuptova sa shumë kisha punuar për të arritur këtë çast. E mbajta veten dhe pasi i falënderova për dhënien e kësaj mundësie dola nga ambientet e "Fair Fax" me lot në sy, shumë e lumtur dhe mbi te gjitha me shumë ëndrra, emocione e dëshira për të ardhmen " rikujton ajo atë moment. Një telefonatë pothuajse e menjëhershme nënës së saj, ku përmes telefonit përcolli fjalët. "E fitova vendin e punës mami". Gëzimi nuk ishte vetëm i saji por i të gjithëve. Një festë e planifikuar dhe e organizuar shume bukur nga familja e saj dhe rreth 60 të ftuar për të festuar diplomimin e tashmë edhe fillimin e një karriere të re, do të ishte mbyllja e një dite shumë interesante, plot emocione por që kishte mbaruar në favor të saj. Një vit do të kalonte shpejt si pa u ndjerë fare. Projektet e kësaj banke, e cila ka degë në Dubai, New York , Hong Kong dhe Londër sa vinë e shtohen. Bankierja shqiptare është e përfshirë në disa projekte të cilat për arsye konfidencialiteti nuk na i thotë dot. Megjithëse ka hedhur hapa të sigurt deri më tani në atë që ka dëshirë të bëj, "oreksi" për të ngjitur akoma më shumë shkallë suksesi është i dallueshëm për gjatë të gjithë bisedës aspekt për të cilin Silvi thotë: "E ardhmja është e vështirë për tu parashikuar dhe nuk me pëlqen ta bej këtë gjë. Vazhdoj te jem pozitive dhe plot shpresa për të ardhmen ku një ndër synimet e mia është të arrij në pozita menaxhuese pse jo edhe më lart. Më pëlqejnë sfidat dhe marrja e përgjegjësive më të mëdha mbi vete pasi e ndjej që jam e aftë për të përballuar me suksese sfida të tjera në këtë fushë që kam zgjedhur. Sigurisht do të vazhdoj njëkohësisht studimet dhe trajnimit e mëtejshme, ku tashmë këtë vit kam fituar një kualifikim në Investime dhe Shërbime Bankare dhe në qershor të vitit të ardhshëm do testohem për të fituar Diplomën në degën e Analizave dhe Investimesh". Zyra e saj është mbushur me njerëz ku zhurma më e vogël që mund të dëgjosh është ajo e tastierës së kompjuterëve. Një foto e Nënë Terezës ku shkruhet 'paqja fillon me një buzëqeshje', një tjetër e Shkodrës dhe një tjetër e familjes së bashku me një flamur shqiptarë janë të vendosur mbi tavolinën e punës ku punon 25 vjeçarja Tahiri. Por simbolet nuk mbarojnë këtu. Poshtë zyrës menjëherë të bie në sy një makinë Peugeot gri me një flamur shqiptar varur tek pasqyra e brendshme. Ndërsa prapa në hapësirën mes sediljes së pasme dhe xhamit një tjetër flamur kuqezi që mbulon të gjithë hapësirën. Një atdhe dashuri në zemër të Londrës për ta patur zili. Biseda rrjedh natyrshëm. Nuk mund të rri pa pyetur atë se ç'farë mendon për bashkëmoshatarët e saj të cilët kanë mbërritur në të njëjtën kohë me të në Britaninë e Madhe. Marr një përgjigje të cilën më duhej ta kundërshtoja me jo shumë argumente,pasi sipas Silvit vajzat shqiptare në Angli janë shumë hapa përpara me shkollimin apo integrimin në jetën Britanike."Njoh shumë bashkëmoshatarë të mi në komunitetin shqiptarë. Besoj se vajzat shqiptare po ti krahasosh me djemtë kanë ecur më mirë, kanë më shumë ambicie dhe dëshirë për të ecur përpara." më deklaron ajo me një buzëqeshje por pa më dhënë ndonjë argument bindës. Ky opinion i saj marr vesh pak më vonë është ndërtuar mbi bazat e shoqërisë që ajo ka krijuar tashmë në Londër, ku shumica janë femra, prandaj nuk më mbetet gjë tjetër veç se ti përmend asaj disa raste kur djem shqiptarë kanë shkëlqyer në universitete madje punojnë në institucione të rëndësishme, bile dy prej tyre në banka si bankierë. Nuk e di nëse e binda sapo pak por duke qenë se Silvi është një dashamirëse e medias i mori në konsideratë sugjerimet e mija. Gjithsesi ajo theksoi edhe njëherë dëshirën e saj të madhe që të shoh sa më shumë djem edhe vajza shqiptare që përparojnë kudo që ata ndodhen nëpër bote. Ajo gjithashtu shprehet me shumë çiltërsi se shpreson që një ditë ajo vetë të jetë frymëzimi dhe ndoshta këshilluese e atyre te rinjve shqiptarë që aspirojnë ëndrra dhe ambicie për të ardhmen. Minutave të rezervuara për mua nga Silvi po i vinte fundi. Siç janë strikt me shifrat apo paratë për bankierët ç'do minutë është i artë.Ishte koha që ajo t'i rikthehej punës në zyrë. Duke përfituar nga koha me diell e përcjell deri tek hyrja e zyrës, një ndërtesë viktoriane e shekullit të tetëmbëdhjetë në sheshin Berkeley. Papritmas më shkoi në mëndje një pyetje të cilën me shpejtësi nuk hezitoj tja bëj. Si ajo mund ta analizojë emrin Silvi? Mendoja se mund ta zija mat. Gabova. Si mund të zihet mat një bankiere ku inteligjenca kap kofiçente të larta. Sipas Silit, Silvi do të thotë Successful (E suksesshme), Influential (Influencuese), Logical(Llogjikuese),Visionary (Me vizion) dhe Important (E rëndësishme).Nuk do ti hiqja asnjë presje përgjigjes përveçse do ti shtoja se gjatë intervistës me të kisha nderin të kisha përballë për afro 60 minuta një vajzë e rrallë shqiptare në Londër.
Suksese Silvi komunitetit tonë i duhen të tillë ambasadorë. Njëra prej tyre je edhe ti.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats