Monday, 24 December 2007

Britania e Madhe, 4 mijë paund emigrantëve për kthim vullnetar

Një shqiptar, i cili kishte emigruar në mënyrë të jashtëligjshme në Britaninë e Madhe ka mundur që të bëhet një biznesmen i suksesshëm pas kthimit të tij me dëshirë në atdhe. Kjo falë parave që qeveria britanike ka sponsorizuar për të.Dhe ky nuk është rasti i vetëm që tregohet nga vetë Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe. Zëdhënësi i "Home Office" në Britani ka pohuar se "falë parave të ofruara nga qeveria e vendit të tij për këtë shqiptar, ai i dha jetë prodhimit të verërave biologjike në afërsi të Tiranës"."T‘u vish në ndihmë kushton shumë më pak sesa t‘i dëbosh". Është kjo motoja më e fundit e autoriteteve britanike për largimin e emigrantëve nga vendi i tyre. Në një program që ka çelur kjo qeveri për emigrantët që duan të largohen me dëshirë nga Anglia bëhet i mundur ofrimi i një bonusi për ta që kap vlerën prej katër mijë paundesh ose rreth 5600 euro.Ky është sistemi i zbatuar nga qeveria e MB për të zhdërvjelltësuar procesin e riatdhesimit të emigrantëve, që nuk plotësojnë kërkesat e domosdoshme për të qëndruar atje, sigurisht edhe për të kursyer jo pak nga paratë publike. Sipas asaj që shkruan "Sunday Telegraph" më shumë se 23 mijë emigrantë në nëntë vitet e fundit kanë pranuar të riatdhesohen me dëshirë në vendet e origjinës, përmes pagesës së shpenzimeve të udhëtimit me avion, marrjen e një mijë paundëve, si para në dorë në aeroport dhe tre mijë paund shtesë të marra nga fondi i posaçëm për t‘i dhënë jetë një aktiviteti pune. Deri më sot, ky program ka kushtuar 36 milionë paund dhe bashkëfinancohet edhe nga Bashkimi Evropian.Vitin e kaluar, sipas një zëdhënësi të "Home Office" mësohet se "janë riatdhesuar më shumë emigrantë sesa në të gjitha vitet e mëparshme. Ne nuk kemi mëdyshje në përdorimin e mënyrave ‘të forta‘, por kur mund të shmangim kosto në ngarkim të taksapaguesve sigurisht që e bëjmë edhe këtë", pohon i njëjti burim zyrtar. Në të vërtetë, përllogaritet se mesatarisht, çdo riatdhesim me detyrim u kushton shtetasve britanikë rreth 11 mijë paund. Kështu, ofrimi i nxitjeve me "bonuse" jo vetëm që i kushton më pak arkës së shtetit, por i shërben edhe qëllimit të përmirësimit të jetesës.Falë këtyre parave të ofruara nga qeveria e MB-së, jepet edhe shembulli i një iraniani, që arriti të ngrejë një ndërmarrje të rritjes së strucëve, si dhe një femër nga Zimbabve, e cila themeloi një rrjet të dyqaneve të bukurisë, që siç raportohet kanë pasur sukses në këto biznese. Por ashtu, si shumica e nismave qeveritare edhe kjo ka kundërshtarët, apo skeptikët e vet. Metju Eliot nga Shoqata e Taksapaguesve Britanikë u shpreh se "t‘u japësh emigrantëve klandestinë një lloj shpërblimi është si të zhdoganosh ilegalitetin dhe me siguri jep një mesazh të gabuar". Në këtë linjë janë edhe konservatorët në opozitë, duke kritikuar ashpër programin e qeverisë laburiste mbi rikthimet me dëshirë. "Duke parë se nuk arrijnë të mbrojnë kufijtë, i korruptojnë emigrantët që të largohen", deklaroi Deivid Devis, ministër i Brendshëm i qeverisë "hije" të konservatorëve.Kritika të shumta bien edhe mbi nismën më të re të qeverisë për të frenuar emigrimin në MB: garancia monetare një mijë paund për çdo shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, me qëndrim të rregullt në MB, nëse ftojnë familjen, apo të afërm për vizita. Synimi i qeverisë është që të reduktohen maksimalisht rastet e personave që me të vënë këmbë në MB, nuk rikthehen më në vendet e tyre të origjinës, duke iu bashkuar radhëve të atyre me qëndrim të parregullt. Po në propozimet e qeverisë bëjnë pjesë, pas studimeve përkatëse tipa të reja vizash, për biznes, turistike dhe për vizita familjare, me kohëzgjatje të ndryshme të vlefshmërisë së tyre, reduktimi i afatit të vlefshmërisë së vizës turistike të përgjithshme nga gjashtë në tre muaj, si dhe detyrimi që kërkuesit të provojnë se sigurojnë jetesën e tyre, gjatë të gjithë periudhës së qëndrimit, kjo sipas modelit përkatës australian.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats