Friday, 28 December 2007

Dënohen tetë shqiptarët që grabisnin parkingjet e Londrës

Dënohen tetë shqiptarët që grabisnin parkingjet e Londrës

Gjykatësi që dënoi të rinjtë tha se "këta janë vetëm ushtarë të bosëve, që nuk kapen nga policia"
Ng Londra
Muamed Veliu

Shtatë prej tetë "ushtarëve" të një grupi kriminal të organizuar shqiptarësh, që grabisnin automatët e parkingjeve, janë dënuar nga një gjykatë londineze. Të gjithë ata që në seancën e parë kanë pranuar akuzat, kanë marrë dënime të lehta. Sipas Prokurorisë britanike, banda i ka shkaktuar një dëm prej 2,5 milionë paund Bashkisë mbretërore Uestmainster Kansëll. Anton Mia, 22 vjeç, Shpëtim Bujaj, 25 dhe Berat Bytyçi, 23 vjeç, janë dënuar me nga 15 muaj burg, ndërsa Visar Shasivari, 22 vjeç, me 1 vit burg. Taulant Shanaj, 26 vjeç, është dënuar me punë vullnetare. Nuk i ka shpëtuar dënimit me burg për një periudhë 18-mujore Sadik Mema, 23 vjeç, me Gjergj Hilën. Mirush Laçi, 28 vjeç, i njohur nga policia londineze si kontingjent krimi, është dënuar me nëntë muaj burg. Atij i ishte dhënë leje qëndrimi e përhershme në Britaninë e Madhe. Në vitin 2004, Laçi është dënuar për grabitje dhe rrahje të një personi. Sipas prokurorit të çështjes, ata ishin vetëm "ushtarë" që punonin për bosët e tyre të krimit, të cilët i jepnin çelësat kopil për të hapur automatët e parkingjeve. Të veshur me uniforma fluoreshente, sikur ishin punonjës të bashkisë, ata nxirrnin paratë nga automatët për çdo natë. Arrestimi u krye pas një operacioni survejimi nga policia metropolitane londineze. Gjatë kontrollit të shtëpisë në Ilford, ku banonin Sadik Mema dhe Gjergj Hila, policia gjeti shumën prej 17 mijë sterlinash. Paratë ishin fshehur nën tapet. Duke dënuar shqiptarët, gjykatësi Kristofer Eluen tha se Bashkia Uestmainster po humb shuma të konsiderueshme nga ky krim. Ai shtoi se ky është një krim i organizuar dhe i sofistikuar. "Tani po vërehen përplasje mes grupeve kriminale të ndryshme për kontroll territoresh. Por ju jeni vetëm ‘ushtarë këmbësorie‘ të bosëve tuaj. Është për të ardhur keq që shpeshherë policia iu kap ju ushtarëve", u shpreh ai. Grabitësit shqiptarë të parkingjeve, të cilësuar nga policia si grabitës të sofistikuar, gjatë viteve të fundit i kanë shkaktuar vetëm Bashkisë Uestmainster Kansëll një dëm prej 2,5 milionë paundësh, mesatarisht 54 mijë paund në javë, pa përfshirë këtu grabitjen në bashkitë e tjera. Sigurimi i çelësave me të cilët ata hapin automatet e parkingjeve prodhohen nga inxhinierë të specializuar. Policia londineze, që ka hetuar këtë krim të përhapur mes shqiptarëve, ka deklaruar se ata presin kokat e parkingjeve dhe ua çojnë inxhinierëve, të cilët prodhojnë më pas çelësat. Një çelës i tillë kushton mbi 3 mijë sterlina.


Dënimet

Sadik Mema 18 muaj burg
Gjergj Hil 18 muaj burg
Anton Mia 15 muaj burg
Shpëtim Bujaj 15 muaj burg
Berat Bytyçi 15 muaj burg
Visar Shasivari 1 vit burg
Mirush Laçi 9 muaj burg
Taulant Shanaj Punë vullnetare


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats