Sunday, 16 December 2007

Fëmija shqiptar fiton 1 milion paund kompensim

Fëmija shqiptar fiton 1 milion paund kompensim

Nensi Hidrej humbi shikimin nga pakujdesia e mjekëve anglezë
Nga Londra
Muhamed Veliu

Një vajzë shqiptare, shtatë vjeçe, e cila është verbuar nga pakujdesia e mjekëve në një spital anglez, ka fituar si kompensim shumën rekord prej një milion paundësh, gjatë një procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të Anglisë. Nensi Hidrej, vajza e dy emigrantëve shqiptarë, lindi para kohe, kur nëna e saj ishte në javën e 26 të shtatzënisë, në spitalin "Wexham Park Hospital". Nëna e saj, Brikena Hidrej, përmes një kompanie të njohur avokatore në Londër, hodhi në gjyq spitalin ku lindi të bijën për dështimin në ekzaminimin e sëmundjes së të bijës, e cila mund të evitohej. "Wexham Park Hospitals NHS Trust", që në seancën e parë gjyqësore në "Royal Court of Justice" pranoi përgjegjësinë për mosekzaminimin e duhur, duke kërkuar që të negociohej për dëmshpërblimin. Avokatët e të dy palëve në proces arritën në një marrëveshje me vlerë 1 milion paund. Mësohet se nga kjo marrëveshje në tavolinë, Nensi do të përfitojë në mënyrë automatike shumën prej 411 mijë paundësh në llogarinë bankare të prindërve të saj, përfshirë 15 mijë paund në vit për të gjitha ato vite që ajo do të jetojë. Duke pranuar marrëveshjen e dy palëve, gjykatësi Evans e cilësoi veprimin e shërbimit shëndetësor si të drejtë, por shtoi se asnjë lloj shume parash nuk mund t‘i kthejë Nensit shikimin.Emigrantja shqiptare, Brikena Hidrej, gjatë shtatzënisë kishte një sërë komplikimesh, që ishin trajtuar nga mjekët e këtij spitali. Tragjikisht, ata nuk mundën të ekzaminonin një sëmundje e njohur si retinopathy of prematurity (ROP), pra moszhvillim të retinës së syrit. Nëse do të ishte kapur në kohë, kjo sëmundje do të evitonte verbërinë e saj. Avokati mbrojtës i tha gjykatës se Nensi është një vajzë e mrekullueshme, e cila ka një progres për ta admiruar në shkollë. "Ajo flet në mënyrë perfekte anglisht dhe shqip dhe është një vajzë tejet e vendosur. Sëmundja nuk e ka mposhtur atë apo ta veçojë nga fëmijët e tjerë", tha ai para gjykatës. Më tej, ai i tha gjykatës se fëmijët që lindin para kohe janë subjekt i testeve të vazhdueshme për sëmundjen ROP, në bazë të një programi kombëtar. Nensi ishte testuar katër herë, por mjekët dështuan në ekzaminimin e saktë se ajo kishte probleme me retinën e syve. Sipas avokatit, nëse sëmundja do të ishte kapur në kohë, atëherë ajo do të ishte e kurueshme dhe se Nensi sot nuk do të ishte e verbër. Sarah Daneth, përfaqësuese e spitalit në këtë proces, pranoi se ishte një rastësi e keqe moskapja e sëmundjes gjatë testeve të kryera.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats