Sunday, 2 December 2007

Kërkohej në Fier, kapet në Liverpul

Interpol Tirana dërgon drejt Anglisë 91 fletë-arreste të reja

Nga Londra
Muhamed Veliu


Njëri prej 1867 shqiptarëve, të cilët i fshihen drejtësisë shqiptare në vende të ndryshme të botës, është dënuar për mbajtjen e një pistolete pa leje edhe nga një gjykatë angleze. Hektor Mahmutaj është dënuar me dy vjet e gjysëm burg nga Gjykata e Krimeve në Liverpol, pasi ka pranuar se arma e gjetur në shtëpi ishte e tij. Shqiptari prej disa vitesh jetonte duke u fshehur në qytetin e Liverpulit. Ai është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e një bariu në një fshat të Fierit.

Historia

Prej vitit 2001, Mahmutaj bashkëjetonte me një shtetase britanike, e cila në vitin 2003 lindi një vajzë. Ata u ndanë në në fund të vitit 2006 dhe nuk jetonin më së bashku në shtëpinë e tyre, në rrugën ‘Orrell Park‘, ku ish-gruaja gjeti pistoletën e fshehur në një çantë. Pas kësaj, ajo i ka telefonuar ish-bashkëshortit që të vinte e ta merrte armën, por ai e ka fshehur përsëri atë, kësaj radhe në tavanin e shtëpisë. Si pasojë, ish e dashura Hektor Mahmutajt ka telefonuar policinë. Oficerët e policisë gjetën armën, që rezultoi e prodhimit italian. Arma nuk kishte fishekë brenda saj. Policia, e cila shpalli kërkimin për emigrantin shqiptar, tha se gjeti gjurmët e Mahmutajt në armën e gjetur. Nuk do të vononte gjatë dhe policia e Liverpulit lokalizoi vendodhjen e tij, në Mançester, ku edhe e arrestoi. Gjatë intervistës në polici, Mahmutaj është shprehur se armën e ka gjetur në tavanin e shtëpisë, e kishte prekur me dorë për ta lënë përsëri në po atë vend. Por që në seancën e parë të procesit gjyqësor ndaj tij, ai ka pranuar se arma ishte e tij. Ai pranoi gjithashtu edhe akuzën e armëbajtjes pa leje. Gjykata e dënoi atë vetëm me gjysmën e dënimit, me 5 vjet burg. Nga krahasimi gishtave në kompjuterin e policisë së Liverpulit me të dhënat e dërguara nga Interpol-Tirana, të përfshira në sistemin britanik, rezultoi se Mahmutaj është person në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Bllokimi i ekstradimit

Mahmutaj ka mohuar të jetë përfshirë në vrasje. Po ashtu, ai mohoi të ishte në dijeni të dënimit në mungesë me 25 vjet burg nga gjykatat shqiptare. Paralelisht me vuajtjen e dënimit, ai është përballur në Gjykatën Westminster me procedurat e ekstradimit. Në seancën e parë, gjykatësi i ka kërkuar juristit që përfaqëson qeverinë shqiptare dhe mbrojtes së Mahmutajt të përgatisin argumentet për seancën e ardhshme. Hektor Mahmutaj është i shtati person "Wanted" pas Armand Bogdanit, Frrok Koçekut, Afrim Sinanit, Arsim Muratit dhe Edmond Kallmit që po tenton bllokimin e ekstradimit. Edhe Kallmi po vuan një dënim prej tre vitesh burg për kërcënim dhe dëmtime fizike personi në një burg të Londrës. Ndërsa Bogdani, Koçeku dhe Sinani po i zhvillojnë seancat e ekstradimit në gjendje të lirë, pasi kanë depozituar si garanci pasurore shuma parash që variojnë nga 20 deri në 50 mijë stërlina. Arsim Murati, në pamundësi të dhënies së garancisë pasurore, mbahet i izoluar në burg. Burime nga "Scotland Yard" pohojnë se disa ditë më parë Interpol Tirana ka dërguar 91 fletë-arreste të reja, krahas atyre ekzistuese, për t‘u ekzekutuar në Angli, nga skuadra ekstradimeve. "Kjo listë përmban të dhëna të detajuara për persona, pjesa më e madhe e të cilëve jaën të dënuar në mungesë për vrasje", ka saktësuar burimi.




You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats