Sunday, 9 December 2007

Libri i simboleve të xhubletës, dhuratë për Toni Blerin

Libri i simboleve të xhubletës, dhuratë për Toni Blerin

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ish-kryeministrit britanik, Toni Blerit, disa ditë më parë i është dhuruar një libër shkruar nga një autore shqiptare me titull "Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike".Gazeta "Shqip" ka mësuar se ky libër ishte zgjedhur si dhuratë nga një grup grash biznesmene shqiptare, të cilat zhvilluan një takim me Blerin në Londër. Burime të cilat ishin në këtë takim pohojnë se kjo dhuratë është mirëpritur nga Toni Bler, i cila ka premtuar se do ta lexojë me shumë interes librin, me autore Luljeta Dano.Gjatë një kërkimi të gjatë përmbledhur në këtë libër, autorja është marrë me studimin e simboleve të ndryshme në veshjet karakteristike shqiptare. Më së tepërmi ajo ndalet në veshjen e xhubletës së zezë, e cila përdoret në Malësinë e Madhe, por, sipas saj, e ka origjinën që në Ilirinë e lashtë. Figurat e qëndisura në të janë të ngjashme me ato të epokës së bronzit.Kjo veshje ndodhet e ekspozuar në dy muzetë më të falshëm në botë në formën e një figurine bronzi, e cila prezanton një grua duke vallëzuar. Atë të "Musée de l‘Homme" në Paris dhe "British Museum" në Londër. Luljeta Dano, në bazë të studimit të materialeve etnografike në këtë fushë, thotë se shenjat e përdorua në to janë ose të mbretërve ose të perëndive. Kërkimet e zonjës Dano janë përqendruar më së shumti në figurën e perëndeshës Athina dhe mitin që e rrethon atë, duke u mbështetur dhe analizuar ornamentet e qepura në dy pjesë të xhubletës. "Xhubleta ka gërshetuar disa kulte të padiferencuara. Studimi nga L. Dano hap një rrugë tejet interesante dhe është argumentuar eilustruar nga një material i pasur simbolesh reale. Kjo veshje eveçantë, pasuri e kulturës popullore shqiptare, është në njëfarëmënyre hartë mendore e trashëgimive të lashta mitike. Botimi i këtij studimi plotëson diçka të rëndësishme, që për shumë arsye është konsideruar një njollë e bardhë. Ja pra si konceptohen kohërat dhe mendësitë mitologjike të ilirëve dhe shqiptarëve te xhubleta, që mund të metaforizohet si Kyçi i Davidit, i cili mbyll dhe hap trashëgimitë e mëdha. Bibla thotë: "Atë që e kyç Kyçi i Davidit, nuk mund ta hapë askush dhe atë që çkyç Kyçi i Davidit nuk mund ta mbyllë askush", është shprehur studiuesi Dr. Moikom Zeqo për librin. Për prof. dr. Mark Tirta thotë se xhubleta është veshja brilante që ka mbijetuar, e dokumentuar tashmë, për rreth katërmijë vjet, duke shtuar: "Janë dëshmuar terrakota të veshjes me xhubletë në Minos të Kretës që në antikitet, Kliçevaç të Bosnjës, si një kostum mesdhetar, ilir e më gjerë. Kjo veshje na ka ardhur në përdorim në këto troje shqiptare: në Malësinë e Madhe, në Dukagjin, në Malësinë e Gjakovës, në Rugovë dhe në vise të tjera shqiptare, deri në ditët e sotme. Ornamentika e kësaj veshjeje na sjell deri në kohën tonë dukuri ende të pashpjeguara të panteonit iliro-arbëror, simbolet grafike nga kulti i diellit, gjarpri kultik, hëna e yjet me tribute mitike, figura të objekteve të ndryshme me përmbajtje kultike, lule e gjethe, ndoshta edhe këto të fundit me atribute hyjnore". "Si një Enciklopedi e Botës Mesdhetare për katërmijë vjet" e ka cilësuar xhubletën e grave të Malësisë së Shqipërisë prof. as. Agim Bido. Por, ai thotë se sot gati po zhduket gradualisht aty ku mbijeton ende, ndër shqiptarë. Atëherë xhubleta duhet të merret urgjentisht në mbrojtje ligjore, jo vetëm nga shteti shqiptar, por edhe nga UNESCO. E meriton.Dhe si e tillë me një studim të hollësishëm përmbledhur në një libër padyshim që ka qenë një zgjedhje e goditur si dhuratë për ish-kryeministrin Toni Bler.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats