Wednesday, 5 December 2007

Londër, drejt dështimit dhe ekstradimi i Koçekut

Një nëpunës shqiptar mbështet pretendimet e të kërkuarit se "gjykimi i tij në Shqipëri do jetë i padrejtë"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas refuzimit nga autoritetet angleze për të ekstraduar në Shqipëri Hektor Mahmutajn, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, një tjetër ekstradim duket se është drejt dështimit. Një nëpunës shqiptar u ka dalë dje në mbështetje pretendimeve të emigrantit Frrok Koçeku, në Gjykatën e Ekstradimeve në Londër. Pas perdes, ai ka dëshmuar se qëndrojnë deklaratat e Koçekut se "nëse do të kthehet në Shqipëri, nuk do t‘i zhvillohet një gjyq i drejtë ndaj tij". Koçeku, nga Fushë-Lura e Dibrës, që fshihej në Angli prej vitit 1998, i registruar me emrin Gëzim Pirgu, është dënuar në mungesë me 15 vjet burg, si i akuzuar për vrasjen e Besim Bucit, 11 vjet më parë, në Shqipëri. Skuadra e Ekstradimeve pranë ‘Scotland Yard‘ e arrestoi atë më 6 shtator 2006, në zonën Millton Kin‘s, pas një kërkese arresti nga Interpol Tirana. Koçeku i ka zhvilluar të gjitha seancat gjyqësore në gjendje të lirë, pasi ka depozituar në gjykatë si garanci pasurore 25 mijë stërlina.

Dëshmitari "A"

Dëshmitari nuk ka pranuar të rrëfejë në gjykatë emrin e tij, pasi, "nëse do ta bënte një gjë të tillë, do të humbte vendin e punës dhe mund të persekutohej nga qeveria shqiptare si shenjë hakmarrje për dhënien e dëshminë në favor të Frrok Koçekut". Askush në gjykatë nuk ka mundur të shikojë fyrën e tij, përveç gjykatësit Quentin Purdy dhe avokatit mbrojtës të Koçekut, Watson. Në gjykatë, ai është prezantuar si "Dëshmitari A". "Shqipëria është një vend i korruptuar, duke filluar nga instancat më të larta shtetërore deri në bazë", ka thënë dëshmitari. Më tej, ai ka deklaruar se edhe sistemi i drejtësisë është i korruptuar. "Njerëzit e drejtësisë në Shqipëri kanë xhepa të thellë", pohoi ai para gjykatës. "Dëshmitari A" ka treguar se që prej tetë vitesh, ai ishte njohës i mirë i familjes Koçeku, të cilët nuk i kishin treguar apelimin për dënimin e Frrokut në mungesë, sikurse pretendon pala shqiptare, e cila kërkon ekstradimin e tij. Sipas dëshmitarit, për herë të parë rreth akuzës ndaj Koçekut kishte dëgjuar në gusht 2006, kur shtëpia e tij u vizitua nga policia, e cila mori nga atje disa foto të Koçekut.

Mbrojtja

Në seancën e fundit të ekstradimit, në "City of Westminster Magistrate Court", avokati mbrojtës i Koçekut, për rreth 4 orë ka prezantuar arsyet pse klienti i tij nuk duhet ekstraduar në Shqipëri. Sipas tij, Frrok Koçekut nuk do t‘i zhvillohet një rigjykim në bazë të ligjit shqiptar dhe se procesi gjyqësor do të jetë i paragjykuar nga pushteti aktual. "Akuza për të cilën kërkohet të ekstradohet klienti im janë të dizenjuara në atë mënyrë që ai të persekutohet. Nuk ka dëshmitarë, pamje filmike, ADN apo prova të tjera që e lidhin atë me vrasjen e Besim Bucit", është shprehur avotati Watson. Ai ka hedhur hije dyshimi në origjinalitetin e dy shkresave për apel, që sipas palës shqiptare, janë nënshkruar nga nëna e Koçekut, zonja Liza Koçeku.Si të marra nën presion, kërcënim apo të formuluara nga dikushtjetër janë cilësuar ato nga avokati mbrojtës. Po ashtu, si pjesë të mbrojtjes ai ka cituar dëshmitë e dhëna me shkrim nga dy avokatët shqitarë, Baftjar Rusi dhe Arben Keta, përfshirë dëshminë e motrës së Koçekut, zonjës Flora Robins. I kërkuari i drejtësisë shqiptare do t‘i duhet të presë me ankth datën 17 Janar 2008, për të marrë vesh vedimin e gjykatësit Purdy, nëse do të lejojë ekstradimin apo jo. "Janë shumë çështje që duhet t‘i analizoj dhe t‘i marrë në konsideratë. Për këtë më duhet kohë", ka deklaruar gjykatësi në fund të seancës së fundit në këtë proces ekstradimi, që ka zgjatur 15 muaj.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats