Saturday, 29 December 2007

Mirela Bogdani - shqiptarja që synon Parlamentin Europian

Mirela Bogdani - shqiptarja që synon Parlamentin Europian

Mbështetet nga Partia Konservatore Britanike e David Cameron

Nga Muhamed Veliu

Mirela Bogdani, shqiptarja që prej 5 vjetësh jeton në Britanine e Madhe ka mundur të përfshihet në procesin e kandidimit për një nga institucionet më të larta politike të Evropës, atë të Parlamentit Europian. Znj.Bogdani prej disa vitesh është anëtare e Partisë Konservatore Britanike dhe është angazhuar aktivisht në jetën politike të konservatorëve të Uellsit ku ajo banon. “Ne vendet si Britania e Madhe me punë, arsimim dhe ambicje mund të arrish gjithçka, sepse këtu vlerësohen aftësite dhe meritokracia, pavaresisht nga nacionaliteti, gjinia apo raca”, thotë zonja Bogdani rreth kandidimit të saj, gjatë një interviste ekskluzivisht për “The Albanian”. Zgjedhjet e ardhëshme europiane do të zhvillohen në maj 2009 por procesi I kandidimimit ka nisur që tre vjet përpara.


Procesi

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve në vendet më demokraci të stabilizuar si Britania e Madhe është i gjatë, shumë kompetitiv dhe kalon një seri fazash. Zonja Bogdani është përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për MEP (Member of European Parliament). Ajo e ka filluar kete process që në fund të vitit të kaluar dhe ka kaluar sukseshem fazën e parë të përzgjedhjes. Tani është në fazën e dytë të procesit të testimit që njihet si “Bordi Parlamentar i Përzgjedhjes”, I cili është një provim pesë orësh para një paneli të përbërë nga deputetë, eurodeputetë dhe aktivistë partie, të cilin duhet ta kaloje çdo kandidat. Zonja Bogdani është në pritje të rezultatit të kësaj faze dhe nëse kjo kalohet suksesshëm atëherë shpallesh kandidate zyrtare dhe përzgjedh zonën elektorale ku dëshiron të kandidosh. Faza e tretë që është pranverën e ardhshme, konsiston në paraqitjen e kandidatit, së bashku me kandidatët e tjerë (gjithmonë nga e njëjta parti), në zonën elektorale para antarëve të partisë së zonës, ku secili bën një prezantim të vetes dhe programit elektoral. Anëtarët e zonës pastaj votojnë për kandidatët e preferuar dhe ata që dalin në fillim të listës shpallen si kandidatë të zones (pasi zgjedhjet europiane jane sipas sistemit proporcional). Mirela Bogdani thotë për këtë eksperiencë “Une jam akoma në mesin e këtij procesi dhe shpresoj të arrij në finish, po edhe nëse jo, prap do jetë një experiencë shumë e vlefshme dhe interesante”. Znj.Bogdani, e cila ka qenë gjithashtu e angazhuar ne politike ne Shqiperi me Partine Republikane (si Kryetare e Forumit te Gruas) duket e impresionuar me menyren si zhvillohet procesi zgjedhor ne UK. Ajo thote “ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, por edhe mjaft demokratik e transparent”. Duke vënë në dukje diferencat e mëdha që ekzistojne në drejtim të përzgjedhjes së kandidatëve, financimit të tyre e fushatave elektorale ndërmjet Shqipërisë dhe një vëndi si Britania e Madhe, ajo shpreh keqardhjen për faktin se sa larg standarteve të kërkuara është politika shqiptare. “Do të mjaftonte ky aspekt vë në dukje ajo - ai i procesit zgjedhor dhe përzgjedhjes së kandidatëve, që ka të bejë me zgjedhjet e lira e të ndershme (nje nga gurët e themelit të demokracisë dhe kriteri i parë i Kopenhagenit) që Shqipëria ta shikonte më tej hyrjen në BE”.

Konservatorja Bogdani

Përfshirja ne politike në Britanine e Madhe për Znj.Bogdani erdhi shumë shpejt pasi ajo u vendos ne UK. Ajo shpjegon arsyen pse u angazhua ne “party politics” dhe pse u anëtarësua me konservatoret: “Duke qënë se në Shqipëri kisha qënë për disa vite e involvuar në jetën politike dhe në Cardiff University po bëja një Master për shkenca politike dhe për më tepër karierën time të re e shikoja në politikë, e pashë të arsyeshme të përfshihesha në politikë në vendin tim te ri. U anëtarësova me Konservatorët, edhe sepse bindjet e mia janë të djathta (jo si ato në politikën shqiptare), por dhe se ‘Partia Konservatore Britanike’ është një nga partitë më të vjetra e prestigjoze të botës dhe do kisha se çfarë të mësoja e përfitoja nga angazhimi me to”, tregon Mirela rreth përfshirjes së saj në politikën angleze të partisë së David Cameron, që shpreson të fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Që nga ky momenet kur ajo ndërmori këtë hap kanë kaluar katër vjet. Fillimisht ajo u angazhua në aktivitetet politike dhe sociale të degës locale, pjesë e strukturave rajonale të quajtura “party associations” e që përbëjnë strukturën më të rëndësishme të aktivitetit të partisë në bazë. Me pas punoi në “Asamblenë e Uellsit” si researcher ne disa projekte me grupin parlamentar konservator. Përpara tre vjetësh ajo do të zgjidhej anëtare e komitetit te degës lokale, më pas koordinatore e politikave, dhe vjet u zgjodh si sekretare e degës. Gjatë gjithë kësaj kohe ajo është angazhuar vazhdimisht në fushatat elektorale për “Ëestminster” (Parlamentin Britanik), zgjedhjet europiane (Parlamentin Europian), zgjedhjet rajonale (Asamblene e Uellsit) dhe zgjedhjet lokale, duke punuar ngushtë e ndihmuar kandidatët, si dhe në aktivitetet e fund-raising. “Këto metoda dhe aktiviteti në baze janë aq në kontrast më politikën në Shqipëri ku baza është e fjetur dhe aktiviteti kryesor në fushatat elektorale janë mitingjet populiste” tregoi ajo gjatë një interviste telefonike për Shqip nga Universiteti I Oxfordit ku po kryen doktoraturën në shkencat politike, me fokusim ne politikat e BE-se. Rasti i Znj.Bogdani është i pari i këtij lloji, një rast i paprecedent, pasi një shqiptare po synon të arrijë BE-në në 2009-tën, shumë përpara vëndit të saj, Shqipërisë, qe nuk është ende vend anëtar i BE-së dhe do ti duhen minimalisht dhe dhjetë vjet për tu bërë pjesë e familjes europiane.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats