Saturday, 8 December 2007

Pronat shqiptare, objekt studimi

Një student shqiptar prezanton studimin në Londër: Pronat e paluajtshme dhe kuadri ligjor shqiptar


"Problem, e drejta legjitime. Ligji 7501, ngërç legjislativ"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Si për koincidencë, prezantimi i studimit rreth çështjeve të pronave në Shqipëri nga një student shqiptar, në një prej universiteteve të Londrës, ndodhi po atë ditë kur Presidenti Bamir Topi u shpreh tepër kritik mbi mënyrën si është operuar deri tani me këtë problem. Arben Gjalpi ka prezantuar disa ditë më parë, në Universitetin Greenwich disertacionin me temë "Kuadri ligjor i reformave të administrimit të pronave të paluajtshme në Shqipëri".

Studimi

Në gjashtë kapituj ai ka analizuar me kujdes të gjithë procesin e legjislacionit të pronave, që nga koha e Perandorisë Otomane e deri në kohët e sotme, duke e cilësuar si një ngërç legjislativ Ligjin 7501. Studenti Gjalpi vëren se në 16 vitet e fundit ka pasur një progres pozitiv në aspektin e pronave, por nënvizon se problemi kryesor mbetet e drejta legjitime e pronësisë mbi tokën, përfshi atë të personave që kanë zënë toka e që nuk janë pronë e tyre. Privatizimi i banesave apo ndërmarrjeve shtetërore cilësohen në studim si hapa përpara që ka bërë Shqipëria. Por, për autorin e studimit, miratimi i disa ligjeve për pronat ka shkaktuar një ngërç të vërtetë në kthimin dhe kompensimin e pronarëve legjitimë. Sipas tij, ky është aspekti më delikat që i stopon investitorët britanikë për të ndërmarrë aktivitete ndërtimi në Shqipëri, njësoj siç janë duke vepruar në Bullgari, Spanjë apo vende të tjera në rajon. Kompleksiteti juridik që ka marrë rikthimi i pronave ilustrohet me disa shembuj, ku qeveria shqiptare ka humbur procese gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. "Vendimet për këto çështje kaq të mprehta merren nga një staf gjyqësor jo kompetent në gjykatat shqiptare. Duhet të mendohet seriozisht për ndërtimin e një bërthame gjykatësish të profilizuar në këtë fushë", shkruan Gjalpi në studimin e tij. Një tjetër aspekt, ku studenti shqiptar është tejet kritik dhe propozon një ligj të veçantë, është mënyra e shitjes së një prone. "Është skandaloze që ende në Shqipëri funksionon sistemi i shitjeve ballë përballë, ndërkohë që në Britaninë e Madhe apo vende të tjera evropiane janë avokatët ata që bëjnë kalimin e një prone nga pronari aktual tek ai tjetri që e blen. Për t‘i dhënë fund kësaj praktike, Parlamenti duhet të nxjerrë një ligj për shitjen e kontrolluar të pronave nga avokatët", sugjeron ai.

Shtytja

Arben Gjalpi tregon se për të ndërmarrë këtë studim iu desh një vit kohë. Ishin pedagogët britanikë, që në të njëjtën kohë janë edhe ekspertë të kësaj fushe, ata të cilët e mirëpritën idenë e një studimi të tillë, për vetë faktin se në Universitetin Greenwich mungonte një kërkim i tillë i mirëfilltë. "Gjatë studimeve të mia trevjeçare në këtë universitet, sa herë që shkoja në bibliotekën e tij gjeja materiale studimore për pronat apo legjislacion rreth kësaj çështje nga pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit. Por, asnjë studim nga Shqipëria. Kjo ishte një tjetër inkurajim për të ndërmarrë këtë studim të gjerë, duke pasur ndihmën e profesorit tim, Mark Daley", rrëfen ai për "Shqip".

Anglezët, ende larg Shqipërisë

Anglezët janë investitorët më të mëdhenj në blerjen e shtëpive në vende të ndryshme në Evropë. Ata i përdorin këto shtëpi kryesisht si shtëpi pushimi. Ardhja e tyre në Shqipëri ka nisur që prej disa vitesh, por me ritme të ngadalta. Nëse investitorët britanikë do të ishin të shumtë në numër, atëherë kjo do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në turizmin shqiptar. Por, çfarë i ndalon britanikët të blejnë prona në Shqipëri? Edhe kësaj pyetjeje, Arben Gjalpi i jep përgjigje në studim. "Anglezët janë skeptikë për të investuar në Shqipëri, pasi zonat e përshtatshme ku ata mund të investojnë janë okupuar nga ndërtimet ilegale, përfshi këtu edhe dhënien e tokave në mënyrë arbitrare", pohon Gjalpi. Transparenca e regjistrimit të pronave është një tjetër e metë e madhe, e cila nuk tërheq investitorët. Një sistem i tillë nuk u jep siguri atyre për të nesërmen e investimit që mund të bëjnë sot. Më tej, studenti shqiptar në Londër sqaron se nëse do të duam më shumë investitorë britanikë në Shqipëri, fillimisht është imediate që shqiptarët ta konsiderojnë tokën si një nga asetet më kryesore për ngritjen e nivelit ekonomik të mbarë vendit, sikurse ndodh në shumë vendet të Perëndimit. "Si rrjedhojë, të gjitha grupet e interesit dhe qeveria shqiptare duhet të bashkëpunojnë për të arritur qëllimin dhe ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, për t‘u bërë anëtare të komunitetit evropian, gjë që do të ishte shumë e vështirë, nëse Shqipëria nuk do të kishte një legjislacion të pronësisë, i cili do të mund të shmangte konfuzitetin në transaksionet e pronave, për vetë shqiptarët dhe investitorët e huaj. Shumë shpejt, Evropa do ta kërkojë me ngulm një legjislacion të ri për këtë çështje, sepse ajo nuk do mund të lejojë të vendosë në rrezik investimet e qytetarëve të saj, qofshin ato kompani të mëdha investimi apo individë të thjeshtë, të cilët do të dëshironin të blinin një shtëpi pushimi në rivierën shqiptare", shkruan Gjalpi në fund të studimit. Këtë studim, ai kërkon ta publikojë në të ardhmen në formën e një libri, ku do të përfshijë edhe materiale të tjera, madje edhe fjalimin kritik të Presidentit Bamir Topi, disa ditë më parë, për çështjen e pronave në Shqipëri.

Lista e vendeve ku investojnë britanikët

Spanja - Vendi favorit ku investojnë prej shumë dekadash
Turqia - Vendi ku gjithnjë e më shumë pëlqehet të investohet
Bullgaria - Vendi optimal ku ende mund të blesh prona të lira
Qipro - Një tjetër vend favorit investimesh për britanikët
Italia - Një vend ku ata investojnë të sigurt dhe me përfitim
Dubai - Vendi me një market të kualitetit të lartë, ku qiratë sjellin përfitime
Franca - Favorit për blerje shtëpish, duke i dhënë me qira
Portugalia - Tejet e vizituar nga britanikët, të cilët prej vitesh blejnë prona
Rumania - Market potencial investimesh me rritje të shpejtë
Republika Çeke - Një market që sa vjen e shtrenjtohet

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats