Monday, 10 December 2007

Shqiptarët: Faleminderit, Britani e Madhe për Kosovën

Nga 10 Downing Street ne Londer
Muhamed Veliu

Emigrantët zhvillojnë manifestim madhështor përpara Kryeministrisë në "10 Downing Street" në Londër për të falënderuar qeverinë angleze për mbështetjen që ka dhënë në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Të mbledhur përpara zyrave qeveritare, në "10 Downing Street", ata përmes brohoritjeve për më shumë se tri orë kanë kërkuar që Londra zyrtare të vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike që pavarësia e Kosovës to mos jetë e largët. Në pankartat që mbanin në duar, shqiptarët Britanisë së Madhe falënderonin edhe ish-kryeministrin Toni Bler, për rrolin e tij në dhënien fund të masakrave serbe në Kosovë.Nuk mungonte edhe një pankartë, në të cilën shprehej mirënjohje për mbretëreshën Elisabeta II. Pjesëmarrësit e të gjitha moshave në një zë kanë brohoritur "Tani koha për pavarësi". Pjesëmarrja ka qenë më e madhe se ajo që parashikonte policia londineze, e cila tha se në këtë manifestim numri i kalonte njëmijë veta. Shqiptarëve që kishin skuqur me flamuj kombëtarë rrugën përpara Kryeministrisë angleze, iu bashkua edhe deputeti britanik Xhon Grogan. Duke përshëndetur, ai tha se nëse sot me ne do të ishte ish-ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, do të thoshte se duhet të jeni krenarë për identitetin tuaj, historinë dhe kush jeni. Kujtoni të shkuarën, por tani shikoni për të ardhmen. Ai do të thoshte se mbështet planin "Ahtisari" dhe tani është koha të ecim përpara me të. Deputeti laburist, Xhon Grogan, në një prononcim për gazetën "Shqip" tha se Kosovën e pret shumë punë për të ndërtuar një shtet dhe prosperitetin e tij. "Britania e Madhe do të jetë nga të parët vende që do të njohë pavarësinë e Kosovës. Unë kam folur me ministrin e Jashtëm, David Miliband, për këtë çështje dhe mendoj se tani Britania së bashku me vendet e tjera evropiane dhe Amerikën, në muajt e ardhshëm, duhet të marrin përsipër një rol udhëheqës që të zgjidhin këtë çështje" deklaroi ai. Disa prej drejtuesve të shoqatave të komitetit shqiptarë, kanë dorëzuar në zyrën e Kryeministrit Gorgon Brown një peticion ku kërkohet vazhdimi i përpjekjeve britanike për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. "Jemi mbledhur edhe herë të tjera duke manifestuar për Kosovën, por kësaj here në këtë tubim, përpara "Downing Street" ishte krejt ndryshe. Shqiptarët dolën më të bashkuar se kurrë për t‘i thënë faleminderit qeverisë dhe popullit britanik për ndihmën e pakursyer në këto vite të vështira për Kosovën dhe shqiptarët", u shpreh Agron Loxha, drejtor i zyrës informative të Kosovës në Londër. Ndërsa studiuesi Bejtullah Destani e cilësoi këtë tubim si të rëndësishëm në kohën e duhur. "Manifestimi i sotëm ishte shumë i qëlluar, duke marrë parasysh se bashkia ndërkombëtare ka ende hezitime për të njohur pavarësinë e Kosovës". Njëri prej organizuesve të këtij tubimi, drejtori i shoqatës "Ardhmëria", Lutfi Vata, deklaroi se "Kishim disa javë që po përgatisnim gjithçka me detaje, së bashku me kolegët e 13-të shoqatave të tjera për ditën sotme. Pjesëmarrja masive në këtë manifestim dëshmoi se shqiptarët e Britanisë së Madhe janë të bashkuar si asnjëherë tjetër kur vjen puna për çështjen kombëtare, përjashto këtu egoizmin e ndonjë shoqate apo individi të veçantë që nuk u bashkua sot me ne", deklaroi Vata.Po në të njëjtin vend, në vitin 1999, shumë prej pjesëmarrësve në manifestimin e djeshëm, mblidheshin për t‘i kërkuar qeverisë së Toni Bler të ndalte spastrimet etnike nga serbët në Kosovë.Dje, ata ishin mbledhur për t‘u dhënë të gjithë qeveritarëve, parlamentarëve, njerëzve të thjeshtë britanikë, një falënderim dhe mirënjohje të thellë për ndihmën e tyre. Shoqatat shqiptare janë duke planifikuar një manifestim festiv madhështor, në sheshin "Trafalgar Square" në ditën kur në Prishtinë do të shpallet pavarësia. Ndërsa Petrit Kuçana, drejtori i gazetës "The Albanian" dhe kryetari i shoqatës "Edith Durham" u shpreh se kjo protestë hapi siparin e protestave të tjera që po organizohen nga mërgimtarët shqiptarë në SHBA, Evropë etj. Kryefjala e kësaj proteste ishte "Faleminderit". Faleminderit UK, Faleminderit z. Bler, Faleminderit Britani dhe përveç mirënjohjes që u dëshmua nga mërgimtarët e këtushëm, besojmë që Britania do të jetë një ndër shtetet e para që do të njohë pavarësinë e Kosovës".

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats