Saturday, 8 December 2007

Vllaznia dhe Dandi hetohen nga UEFA

Vllaznia dhe Dandi hetohen nga UEFA

Katër vjet më parë u tentua vënia e një basti prej gjysmë milion sterlinash për ndeshjen

Nga Londra
Muhamed Veliu


Dy baste "të majme" për fitoren e Dandit kundër Vllaznisë në vitin 2003, i ka përfshirë këto ekipe në listën e hetimeve të UEFA-s. Tashmë, në dosjen e UEFA-s janë arkivuar tentativat për të vënë 500 mijë stërlina dhe 22 mijë stërlina për fitoren e Dandit në pjesën e parë dhe të dytë të takimit për eliminatoret e kupës UEFA katër vjet më parë. Sipas gazetës më të madhe skoceze, "Daily Record", këto janë të dhënat e para, që kanë filluar hetimet. Megjithëse kanë kaluar katër vjet nga koha kur është luajtur kjo ndeshje për eliminatoret e kupës UEFA 2003, ajo është përfshirë në hetim. Investiguesit e UEFA-s kanë zbuluar se të dyja këto baste janë tentuar të vendosen në Britaninë e Madhe. Kompanitë e basteve atë kohë deklaruan për mediat britanike se shumë baste u vunë nga shqiptarë me banim në Londër, apo nga bastexhinj në Shqipëri përmes internetit.Ndërsa BBC Scotland, gjatë edicionit të lajmeve në mbrëmjen e djeshme, ka cituar një zëdhënës të UEFA-s. Ai ka konfirmuar hetimin, duke u shprehur se investigimi ka filluar dhe në të janë përfshirë ndeshje që janë luajtur disa vite më parë. Gazeta "Daily Record" ka dalë në mbrojtje të ekipit të Dandit, duke thënë se nuk ka ndonjë sugjerim që lojtarët e këtij ekipi të jenë përfshirë në fiksimin e rezultatit të ndeshjes kundër Vllaznisë, dhe se të gjitha kompanitë e basteve pezulluan pranimin e basteve me shuma të mëdha për fitoren e Dandit. Të dy këto baste nuk janë pranuar, por kanë mjaftuar për të ngjallur dyshime tek UEFA. Fillimisht lajmi për përfshirjen e ekipit skocez të Dandi në listën e 16 ndeshjeve nën hetim nga UEFA është raportuar në mediat italiane e më pas ato skoceze. Burime brenda këtij ekipi janë shprehur se një gjë e tillë ka ardhur si një surprizë e vërtetë për të gjithë ekipin, i cili në vitin 2003 mundi 0-2 dhe 4-0 Vllazninë.

Alarmi

Gazeta britanike e basteve, "Racing Post", të nesërmen e fitores së Dandit në Shkodër, 2-0 më 15 gusht 2003, shkruante se në sportelet e basteve në Britaninë e Madhe u vu re një interesim i paparë ndonjëherë për kuotimin e Dandit si fitues. Kjo alarmoi kompanitë e basteve, të cilat pezulluan pranimin e tyre për ndeshjen në fjalë. Kompania e parë që ndaloi pranimin e basteve ditën e ndeshjes ishte "Super Soccer", e cila e mori këtë vendim gjatë kohës së drekës. Për këtë veprim drejtori i kësaj kompanie Toni Hollister do të deklaronte: "Pamë që po qarkullonin shuma të mëdha parash për fitoren e Dandit dhe ne besojmë se shumë prej tyre po viheshin nga shqiptarët". Ndërsa një prej kompanive më të mëdha të basteve, "William Hill", ndaloi pranimin e basteve përmes telefonit dhe internetit në orën 15:20 të asaj dite. Graham Sharp, zëdhënës i "William Hill" do të deklaronte. "Nuk pranuam një bast prej 22 mijë stërlinash për Dandin. Që në atë moment menduam se diçka nuk ishte në rregull. Dukej që kjo ndeshje ‘vinte erë‘". "William Hill" ditën e ndeshjes e kuotonte fitoren e Dandit 11/10, të cilën pas orës 12:00 do ta ndryshonte në 6/4 dhe pas orës 15:00 do të ndërpriste pranimin e basteve për këtë ndeshje, pasi numri i basteve, sidomos në Londër, sa vinte e rritej në favor të Dandit. Po e njëjta gjë ndodhte me bastet përmes internetit që viheshin nga Shqipëria.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats