Friday, 25 January 2008

Akuza për ngacmim seksual shqiptarit viktima 11-vjeçare dëshmon duke qarë

Akuza për ngacmim seksual shqiptarit viktima 11-vjeçare dëshmon duke qarë

Prokuroria londineze: Vesel Murataj i tregoi organin gjenital të miturës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrant shqiptar në Londër është përballur dje në Gjykatën britanike të Krimeve të Rënda "Old Bailey", si i akuzuar për ngacmim seksual dhe përdorim dhune ndaj një të miture. Prokuroria londineze, në seancën e parë gjyqësore, ka akuzuar Vesel Muratajn për tregimin e organit gjenital dhe tentativën për të futur në makinë një vajzë 11-vjeçare. I akuzuari Murataj, që në momentin e arrestimit po ashtu edhe në gjykatë, ka mohuar të dyja akuzat e ngritura ndaj tij. Mësohet se Murataj kishte kërkuar azil politik në Britaninë e Madhe si një person që i përkiste komunitetit rom në Kosovë, të cilët persekutoheshin nga shqiptarët dhe ish-ushtarët e UÇK-së. Ministria e Brendshme britanike, "Home Office" i kishte garantuar leje-qëndrim përgjithmonë në Britani.
Ngjarja ka ndodhur më 10 shtator 2007 në zonën Eltham në Jug të Londrës, ndërkohë që shqiptari do të arrestohej 10 ditë më vonë, pasi minorenia e identifikoi gjatë një parade identifikimi. "Zoti Murataj ndali makinën tip "Benz" ngjyrë gri, fillimisht e pyeti vajzën për drejtimin e një rruge, ndërkohë që, sipas saj, ai kishte pantallonat e zbërthyera, duke mbajtur të shtrënguar me dorë organin gjenital", ka thënë prokurorja Bozi Sheffi. Më tej, duke lexuar aktakuzën, prokurorja i ka treguar gjykatës se shqiptari më pas është afruar te dera e pasagjerit dhe ka kapur prej krahu vajzën. Ajo, pas pak, duke përdorur forcën ka mundur të largohet, duke kërkuar ndihmë te një kalimtare. E gjithë ngjarja është parë nga shoferi i një autobusi, i quajtur Xhozef Kemp, i cili përmes radios ia komunikoi incidentin zyrës së kontrollit të autobusëve. Ata më pas kanë njoftuar policinë për incidentin e raportuar nga punonjësi i tyre. Ai dëshmoi në gjykatë, duke rënduar pozitën e të akuzuarit Vesel Murataj.
Gjithçka që ka ndodhur atë mëngjes kur ajo po shkonte në shkollë, 11-vjeçarja e ka rrëfyer në gjykatë përmes një video-konference, në mënyrë që mos të shikonte Muratajn. Fillimisht gjykata pa përmes monitorëve një intervistë të vajzës dhënë disa orë pas incidentit, e cila ishte regjistruar me figurë në stacionin e policisë. E mitura tregon me detaje çfarë kishte përjetuar. Me qetësi ajo u përgjigjej pyetjeve të dy oficerëve të policisë nga operacioni "SAFARE", që merret me hetimin e të tilla krimeve me natyrë seksuale. Më pas, gjykata ka proceduar me marrjen e vajzës në pyetje nga prokurorja Sheffi dhe avokatja mbrojtëse zonjusha Bonsu. Në një moment, gjatë dhënies së dëshmisë përmes një video-konference, duke qarë ajo tha se kur ai e tërhoqi nga dora ishte e frikësuar se po e fuste në makinë me qëllim rrëmbimi.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats