Thursday, 10 January 2008

Angli, shqiptarja i përdredh kokën burrit

Policia e Mançesterit gjen të vdekur Elez Dautin. Akuzohet bashkëshortja, Emona

Nga Londra
Muhamed Veliu


Gruaja vret burrin. Personazhet janë shqiptarë, por skena ku luhet tragjedia ndodhet shumë larg prej vendlidjes se tyre, në Angli. Krimi në familje nuk ka kursyer të godasë rëndë një çift emigrantësh shqiptarë në veri të Anglisë. Një emigrant shqiptar, në qytetin e Mançesterit, është vrarë nga bashkëshortja. Elez Dauti është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në zonën Prestviç. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka arrestuar bashkëshorten e tij, Emona Dauti. Një zëdhënëse e policisë së Mançesterit tha për "Shqip" se nuk dihen ende motivet që e kanë shtyrë 26-vjeçaren Dauti të ndërmarrë një akt të tillë. Zëdhënësja ka sqaruar se shkaku i vdekjes ka qenë përdredhja e kokës. Emona Dauti, nënë e dy fëmijëve, ka dalë të martën në mesditë përpara Gjykatës së Krimeve në Mançester, e akuzuar për vrasje.
Ky është rasti i dytë, kur krimi godet një familje shqiptare në Angli. Vitin e shkuar, për motive xhelozie, 38-vjeçari Sadik Duba nga Bulqiza goditi disa herë për vdekje në gjoks me thikë bashkëshorten Alida Duba. Kjo tragjedi në këtë familje, krahas një viktime, ka prodhuar një tjetër dramë, akoma më të rëndë, atë të katër fëmijëve të tyre, të cilët do të rriten jetimë me nënën e vdekur dhe babanë në burg. Ndërkohë, problemet brenda familjeve shqiptare në Angli, në mesin e vitit 2007, do të prodhonte një tjetër viktimë. Emigranti Vullnet Kastrati, 33 vjeç, nga Shkodra, u gjet i varur në shtëpinë e tij pas një sërë problemesh familjare. Frekuentimi i shumtë i lokaleve të basteve po kthehet në një problem të mprehtë për emigrantët shqiptarë të Anglisë. Shumë çifte po ndahen, ndërsa shumë të tjerë të zhytur në spiralen e basteve të pashpresë dhe kanë vite që nuk telefonojnë familjet. Ndërkohë, dhuna që bashkëshortët ushtrojnë ndaj grave është një tjetër problem me të cilin po përballen organizatat shqiptare, të cilat japin këshillime falas për to. Në disa raste është dashur ndërhyrja e policisë dhe më pas këshillimi burrave shqiptarë nga uniformat blu, që kjo dhunë të ndalojë. Shumë gra shqiptare në Angli po u drejtohen gjykatave, duke hapur procese divorci pafund ndaj bashkëshortëve. Vrasja e Elez Dautit e çon në 20 numrin e emigrantëve shqiptarë të vrarë në Britaninë e Madhe këto dhjetë vitet e fundit.
Dhuna dhe vrasjet kanë mundur "të kalojnë" edhe përtej Atlantikut, bashkë me familjet shqiptare, që kanë emigruar në të ashtuquajturën Tokë e Premtuar. Dy ditë më parë, një krim i pashembullt me protagonistë shqiptarë, ndodhi në Çikago të shtetit Illinois në SHBA. Një çift shqiptarësh të moshuar janë gjetur të vdekur dhe policia lokale dyshon se ata janë vrarë nga djali i tyre. Syrja Shehu, 66 vjeç, dhe Safo Shehu, 67 vjeç, u gjetën të vrarë me armë në shtëpinë e tyre. Mediat në Çikago, duke iu referuar hetimeve të policisë, raportuan se i dyshuari i parë për këtë ngjarje makabre është 33-vjeçari Artur Shehu, i cili ka telefonuar për të raportuar ngjarjen dhe është larguar nga shtëpia. Shkak mendohet se kanë qenë problemet financiare të djalit, që punonte si taksist.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats