Friday, 18 January 2008

Britani e Madhe, mbrojtja e dy "pedofilëve" vonon ekstradimin

Juristja shqiptare përpilon raportin për bllokimin e ekstradimit të anglezëve

Nga gjykata "City of Westminster Magistrate Court"
Muhamed Veliu

Një gjykatës britanik ka kritikuar ashpër avokatët mbrojtës, në procesin e ekstradimit të Kristo Kristodolou dhe Robin Arnold, të cilët kërkohen nga drejtësia shqiptare si të akuzuar për pedofili. Në gjykatën e ekstradimeve "City of Westminster Magistrate Court", gjykatësi Quentin Purdy nuk ka qenë i kënaqur me përgatitjet e avokatëve mbrojtës, të cilët po tentojnë bllokimin e ekstradimit të klientëve të tyre. Vitin e shkuar, në seancën e fundit ata kanë kërkuar kohë për përgatitjen e dy raporteve nga një eksperte shqiptare e kontraktuar në lidhje me legjislacionin penal shqiptar, si dhe me gjendjen e burgjeve. Seanca e djeshme parashikonte që pala mbrojtëse të raportonte progresin në këto dy raporte. Por, sipas avokatit mbrojtës të Arnold, është përfunduar një draft paraprak i është dërguar CPS (organit të akuzës britanike), por jo ai përfundimtari. Ky lajm nuk është pritur aspak mirë nga gjykatësi, i cili është shprehur se nëse dorëzimi i raportit nuk kryhet në kohë dhe i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë shqiptare për të kthyer përgjigje atëherë rrezikohet seanca e ardhshme, ku pritet nisja e gjyqit për të dy të arrestuarit. Gjykatësi Purdy, po ashtu ka kërkuar të njihet me kualifikimet e hartuese të raportit. "Ajo mund të jetë cilido. Mbase edhe një studente në vitin e parë për Drejtësi", ka ironizuar gjykatësi. Pas një pushimi të shkurtër, avokatët mbrojtës kanë mbledhur të dhëna se cilat ishin zhvillimet e fundit në lidhje me raportin. Më pas, ata i kanë raportuar gjykatës se ky raport përmban 9 pika ku analizohet mënyra e marrjes në intervistë e fëmijëve të abuzuar nga prokuroria shqiptare në këtë çështje. Po ashtu është mësuar se personi që po harton këtë raport është një juriste grua dhe se raporti do të jetë gati pas një jave. Në mbarim të seancës gjyqësore, të dy avokatët mbrojtës kanë refuzuar të tregojnë emrin e juristes, megjithëse e kishin në dosje. Ajo është kontaktuar të formojë raportin, "një armë" tjetër në duart e mbrojtjes për të bllokuar ekstradimin. Më 12 Shkurt është vendosur për fillimin e shqyrtimit të kërkesës shqiptare për ekstradimin.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats