Tuesday, 29 January 2008

Britanikët e duan Ermonelën

Britanikët e duan Ermonelën

Rrëfimi i sopranos që mahniti mijëra spektatorë në Operën Mbretërore të Londrës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Për publikun britanik deri një javë më parë sopranoja Ermonela Jaho ishte një emër i panjohur. Kur Piter Catona drejtor i "Royal Opera House" në Londër doli përpara 2500 spektatorëve duke anonçuar se rolin e Violetës në "La Traviatën" e Verdit nuk do ta interpretonte siç pritej, sopranoja Anna Netrebko për arsye shëndetësore, por një shqiptare, një lajm i tillë do t‘i befasonte të gjithë. Emri zëvendësues i ruses, Netrebko, ishte Ermonela Jaho e cila kishte udhëtuar nga Nju Jorku duke mbërritur në këtë opera vetëm dy orë përpara shfaqjes. Kaq u desh që në sallë të nisnin pëshpërimat, mërzitja deri diku zhgënjimi të cilat shqiptarja do t‘i shuante shumë shpejt. E ndërsa publiku ishte vënë në siklet pasi vallë a do të mundte sopranoja shqiptare të zëvendësonte me dinjitet sopranon Netrebko me një pamje shumë të bukur dhe flokë bionde, prapa perdes ku priste Jaho i dukej vetja sikur bota po i lëvizte nën këmbë. Kishte të drejtë. Ishte përballë një prove jashtëzakonisht të madhe nga e cila deri diku varej edhe karriera e saj e ardhshme të paktën nëse synonte rikthimin në "Royal Opera House". Se çfarë ndodhi atë natë ku pa asnjë lloj prove, pa njohur aktorët e tjerë ajo u ngjit në skenën e kësaj opere mbretërore për herë të parë ekskluzivisht për "Shqip" Ermonela Jaho e rrëfehen me detaje. Ka disa momente që ka mbaruar shfaqja e radhës. Me shpejtësi ajo fshin nga fytyra grimin, ndërkohë një nga producentët i tregon se jashtë operës te hyrja e artistëve një turmë njerëzish presin të marrin autografe prej saj. Pasi ka mbaruar rituali i dhënies së autografeve, madje edhe fotografimit me disa prej adhuruesve të saj të rinj, ulemi për një kafe në Somerset House buzë lumit Tamiz. E lodhur, por e gëzuar nga një tjetër sukses sopranoja 33-vjeçare thotë se në Londër e planifikonte të vinte më vonë. Por kjo ardhje ishte tejet e papritur. "Royal Opera House" është një nga operat më të rëndësishme në botë. Të interpretoja/ këtu ishte një ndër arritjet e mia. E kisha parashikuar pak më vonë jo kaq shpejt. Fati që nuk parashikohet asnjëherë më dha këtë mundësi. Emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme, pasi erdha në mënyrë shumë të papritur, pa prova, pasi mendoja se deri në momentin e fundit do të këndonte kolegia ruse. Lajmin që do të këndoja ma dhanë sapo shkela në aeroportin "Gatwick", nis të rrëfejë Jaho. Sipas saj, kur ka mbërritur në "Royal Opera House" i dukej vetja si një robot, e mpirë nga emocionet. Gjithçka do të ndryshonte kur drejtori i kësaj opere ka përmendur origjinën e sopranos Jaho, e cila kishte zëvendësuar "yllin" e asaj nate sopranon Netrebko. Rreth këtij momenti Ermonela thotë: "Nisa të dridhem. Më dukej sikur kisha harruar fjalët. Nuk më kujtohet asgjë. Ku jam duke shkuar, si e mora këtë guxim, kurajë…. por nuk kishte kthim prapa. Ankthin tim e shtuan edhe pëshpëritjet e publikut që kishin ardhur të dëgjonin Anna Netrebkon, e cila është e famshme në Londër. Kur hyra në skenë e ndieja ftohtësinë e publikut, madje deri atje sa kostumi që kisha veshur për këtë rol më dukej 10-fish më i rëndë se pesha normale. Mezi merrja frymë. Salla më dukej shumë e madhe, nuk po orientohesha të gjeja të dashurin e Violetës që është Alfredo, një nga rolet kryesore të "La Traviatës". Kështu fillova të interpretoja frazë pas fraze, duke parë publikun që pas ç‘do dueti duartrokisnin". Kaq është dashur për Jahon, e cila më pas ka dashur t‘i injektojë atij publiku që e priti me zhgënjim pasionin, gjaknxehtësinë që ka shqiptari që në art është një thesar i vërtetë duke përcjellë emocion. Më pas, gjithçka për Jahon ka qenë një normalitet me alternimin në mënyrë perfekte me aktorët e tjerë për tri aktet e operës që ka zgjatur më shumë se tri orë. Në fund lot, jo lot të detyrueshëm nga vdekja Violetës siç e kërkon skenari, por lot gëzimi. Ermonela Jaho ia kishte dalë mbanë provës më të rëndësishme në karrierën e saj të interpretimit tejet spontan në "Covent Garden" ku ndodhet kjo operë duke shkrirë ftohtësinë e akullt të publikut anglez. Ishte pikërisht ky publik që do të ngrihej i tëri në këmbë duke e rikthyer Jahon disa herë në skenë për t‘i përshëndetur ata si pasojë e duartrokitjeve të pafundme. E njëjta skenë do të përsëritej për tre net me radhë në atë skenë ku kanë kënduar e duartrokitur emrat më të mëdhenj të operës botërore, tashmë mes tyre një shqiptare që linte gjurmët e saj sikurse dy bashkëkombësit e saj, Inva Mula dhe Sajmir Pirgu, po në të njëjtën skenë. Përballë njerëzve që duartrokisnin derdhnin lot apo bërtisnin "bravo bravo", Ermonela Jaho thotë se nuk e besonte që ia kishte dalë mbanë kësaj sfide apo aventure pak rëndësi ka emri. "Isha krenare që unë si shqiptare arrita diçka në këtë skenë, pasi është diçka që nuk ndodh përdit", thotë Ermonela. Ajo ka më se të drejtë, por nuk fsheh pezmatimin që në atë shfaqje të kishte shqiptarë disa, prej tyre ku edhe ambasadorit Zef Mazi ajo i kishte nisur bileta falas për ta parë bashkëkombësen e tyre. Pas të gjithë këtij rrëfimi emocionues pyetja se çfarë dyersh të tjera hapi ky sukses për të në Londër është më se i natyrshëm. Tashmë emri i shqiptares Jaho u bë i njohur, bëri zhurmë, kritikët shkruan disa shkrime për interpretimin e saj që pa dyshim është një arritje më vete. Ky sukses do të përkthej me fitimin e disa kontratave të tjera për të ardhur përsëri në Londër. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Drejtori "Royal Opera House" pas gjithë atij suksesi të shqiptares së imët me zë brilant do të bënte vetëm një pyetje. Ermonela kur do të vish përsëri në operën tonë. Përgjigjja e saj ka qenë shumë sinjifikative. "Me kënaqësi, më lër të shikoj ditarin". Jaho do të rikthehet gjatë vitit në vazhdim në Londër me operën "Carmen". Ndërkohë, ekskluzivisht për lexuesit e "Shqip" ajo tregon një lajm me të vërtetë të veçantë. Së bashku me Sajmir Pirgun në vitin 2010 do të interpretojnë "La Traviatën" ku ajo do të luajë Violetën, ndërsa Pirgu Alfredon. Pra, dy rolet kryesore në duart e dy shqiptarëve të talentuar për të cilën ajo mezi pret. "Të arrish në "Royal Opera House" me dy rolet kryesore të "La Traviatës" siç jemi ne dy shqiptarë pavarësisht se emrat tanë janë Ermonela apo Sajmir, unë si shqiptare do të ndihesha sikur fluturoja. Do të na duket vetja si puna e diellit që shkëlqen mbi këtë Londrën shpeshherë gri", thotë ajo duke buzëqeshur. Po të shikosh veprimtarinë artistike të Ermonela Jahos, çdo soprano në moshën e saj do ta kishte zili. Por fatkeqësisht, ajo nuk është shumë e njohur në vendlindje ku që në moshën 17-vjeçare u duartrokit si një Violetë e vogël në "La Traviata". "Mbase nuk jam shumë interesante për mediat atje që më kanë mbyllur shpeshherë derën kur kam pasur ndonjë koncert apo arritje në skenat botërore", përgjigjet Ermonela. Ajo sqaron se në Shqipëri i është dukur vetja e parëndësishme, madje edhe në një interpretim të sajën tre vjet më parë në Tiranë kur po interpretonte në skenë i dërguan një letër anonime ku i thoshin se ajo ishte askushi dhe nuk e meritonte të interpretonte në atë skenë. Natyrisht që ka ndier keqardhje siç edhe e pranon, por karriera e saj brilante nga viti në vit në skenat botërore, ishte përgjigjja më e mirë për këtë letër. Për herë të parë gjatë intervistës në "Shqip" sopranoja Ermonela Jaho rrëfen edhe anën tjetër të saj, Ermonelën jo artiste në jetën e përditshme. Ajo është e martuar me një bashkëshort me background artisti të cilin e dashuroi që në bankat e shkollës në Tiranë. "Jeta private mbetet private. Jam martuar me një shokun e klasës shqiptar dhe jetojmë bashkë shumë të lumtur në Amerikë. Ai ka studiuar për Muzikologji në Tiranë, por emigroi në Amerikë pas fitimit të Green Card duke e filluar nga e para. Ai u specializua për Elektronikë dhe tani punon për IBM duke mos e lënë pasionin për artin të cilin e ndajmë bashkë. Bashkëshorti është një ndihmë e madhe, pasi më të shumtën e kohës jam nëpër botë me koncerte dhe ai për mua është një mbështetje e rëndësishme. Ervini më bën të ndihem me këmbë në tokë", tregon Jaho për jetën e saj private. Suksesi i saj në Londër theu akullin e publikut britanik, duke i bërë që ata ta duan këtë soprano. Kjo vërehet jo nga dëshira e ne shqiptarëve për ta pasur Ermonelën përsëri në Londër e shërbyer si një ambasadore në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Angli. Mjafton të lexosh komentin e një operalogu britanik, i cili në faqen e tij në internet shkruan. "Bravo Ermonela Jaho, Anna Netrebko tani mund të shkoni në shtëpi". Nuk ka dyshim se nga tani e tutje emri Ermonela Jahos do të mbahet mend gjatë. Për një arsye të vetme. Ajo i suprizoi të gjithë duke bërë që emri i ruses Anna Netrebko të mbetej vetëm si kujtim në broshurat apo posterat e shfaqjes.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats