Monday, 21 January 2008

Ermonela Jaho korr sukses në operën mbretërore londineze

Talenti i sopranos shqiptares mahnit publikun. Ajo realizon një interpretim fantastik në rolit e Violetës në operën "La Traviata" të Verdit

Nga "Royal Opera House" Muhamed Veliu

Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, është duartrokitur gjatë nga publiku britanik në debutimin e saj të parë në "Royal Opera House" të Londrës. Ardhja e saj në këtë opera me famë botërore, për të interpretuar rolin e Violetës në "La Traviata" të Verdit, ka qenë tejet e rastësishme dhe e papritur për sopranon 33-vjeçare. Në dy netët e para të kësaj opere, roli i Violetës është interpretuar nga sopranoja Anna Netrebko. Por një sëmundje e saj me bronshit ka detyruar organizatorët e kësaj operea të zgjedhin shqiptaren Jaho për ta zëvendësuar. Ermonela Jaho, e ardhur me urgjencë nga New Yorku, ku jeton, në debutimin e saj të parë në Londër ka shpalosur një performancë jashtëzakonisht të lartë, duke interpretuar me nivel rolin e besuar. Për të ishte një sakrificë e jashtëzakonshme, pasi kishte shumë pak kohë për të bërë provat e duhura me aktorët e tjerë. Në fillim të operës audienca u duk pak e zhgënjyer, pasi nuk interpretonte sopranoja ruse, Anna Netrebko, siç ata e prisnin. Ermonela, nga njëri akt në tjetrin e rriti nivelin e interpretimit, duke fituar duartrokitjet e publikut. Në aktin e tretë dhe final, performanca e saj ishte e jashtëzakonshme, duke e mbyllur me sukses 3 orë e 12 minuta shfaqje. Njëri nga spektatorët do të deklaronte: "Interpretimi i saj ishte me të vërtetë fantastik". Zhgënjimin e tyre në fillim të operës e ka shuar me origjinalitet shqiptarja Jaho, e cila ka dhënë maksimumin, duke interpretuar me shpirt. Për sopranon shqiptare, e cila mbërriti në Londër pas një debutimi të suksesshëm në Berlin, interpretimi i Violetës është i njohur dhe njëkohësisht i dashur për të. Debutimin e parë në këtë rol në Tiranë ajo e ka pasur që kur ka qenë 17 vjeçe. Violetën ajo do ta interpretonte edhe në skena të tjera me famë botërore, si në operën shtetërore në Mynih, teatrin "San Carlo" të Napolit, teatrin "Xhuzepe Verdi" në Trieste, si dhe në opera të ndryshme në Amerikë. Jaho është vlerësuar nga kritikët britanikë si një soprano me zë dhe interpretim skenik të një lloji të veçantë. Pas Inva Mulës, me rolin e Violetës, Saimir Pirgut në operën Xhani Skici, Armonela Jaho bëhet e treta shqiptare e cila interpreton me sukses në Covent Garden, ku ndodhet "Royal Opera House".

Veprimtaria

Ishte ende fëmijë kur Ermonela prek për herë të parë artin muzikor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Tiranë, e më pas në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më 1993 seleksionohet nga sopranoja e njohur italiane, Katja Riçareli, në Tiranë, vlerësim ky që e çoi Ermonelën në konservatoret e Mantovës dhe në "Santa Çeçilia" të Romës. Debuton me partnerë të tillë si Paolo Montarselo, Juan Diego Flores, Jean Pierre Trevisani etj. Jep një koncert recital në teatrin "Cavour Imperial" në Romë, në vitin 1998. Interpreton në operën "Maddalena" të Prokofievit në teatrin e operës në "Santa Cecilia" të Romës, transmetuar direkt nga RAI 3 në vitin 1998. Në festivalin "Puçinian" këndon arie të G.G. Luporinit në Luça. Në shkurt 1999 këndon në rolin e Mimisë në operën "Boheme" të Puçinit në Bolonja. Merr pjesë në Festivalin e Stress, duke interpretuar "Srabat Meter" të Pergolezit me orkestrën "Giusepe Verdi" dhe në shtator të vitit 1999 merr pjesë në koncertin "Le voci di 2000" të zhvilluar në teatrin "Reggio di Parma" në Parma. Këndon në Venecia në vitin 2000 në rolin e Suzanës në operën "La nozze di Figaro" të Mozartit. Në shtator 2000 këndon në Torino operën "La Rosignol" të Stravinskit me orkestrën e Rai-t të Torinos e transmetuar nga RAI. Ftohet në Irlandë të marrë pjesë në "Oxford Festival", ku interpreton Violetën nga opera "Traviata". Ftohet të interpretojë në një koncert bamirësie në Kosovë në janar të vitit 2001. Në mars të 2001 zhvillon një recital në Bejrut në festivalin "Al Bustan". Në maj 2001 merr pjesë me trupën operistike të Tuluzës në Francë, ku këndon rolin e Suzanës nga opera "Dasma e Figaros". Në korrik 2001 ftohet në koncertin GALA, organizuar në Dublin. Në gusht 2001 merr pjesë në Festivalin Rosinian në Pesaro, duke kënduar "Srabat Mater" të Rosinit e transmetuar direkt nga RAI. Në tetor 2001 kthehet në Irlandë në festivalin e përvitshëm me zërat më të mirë, ku këndon operën "Kapuletët e Montegët" të Belinit në rolin e Xhuljetës, si dhe "Sapho" të Masnet në rolin e Irenës, dhënë drejtpërsëdrejti nga BBC e incizuar në CD. Në shtator-nëntor 2002 në Irlandë interpreton rolin e Xhildës nga opera "Rigoleto" e Verdit. Ermonela Jaho ka shkëlqyer në aktivitetet e fundit në operën "Karmen" me rolin Michaela-s, në teatrin "Verdi" në Trieste. Në maj 2007, sopranoja e talentuar Ermonela Jaho ka luajtur në TOB, Shqipëri, në rolin e Violetës te "Traviata". Dy vjet më parë, në 2006, asaj i është dhënë rasti që të punojë me maestro Massimo Ranierin në teatrin "Verdi" të Triestes. Ka interpretuar në teatrot "Aligheri", "Ravena", "Piçolo", "Scala"-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore, ku së fundmi në atë londineze, "Royal Opera House". Bashkëpunimet kanë qenë me televizionin italian RAI, "Mondovisione", BBC etj. Rezulton të jenë 10 CD me zërin e saj. Fiton çmimin special të kritikës në konkursin "G.Pucini" në Milano në vitin 1997. Fiton çmimin e parë në konkursin "Spuntini International" në Ankona të Italisë në vitin 1999. Çmimin e parë në Zandonai Competition, në Rovereto, Italy, 1999. "Best Singer" of the Wexford Festival, në Wexford Ireland 2000.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats