Saturday, 23 February 2008

Divorci, shqiptari kërkon 1 milion paund

Divorci, shqiptari kërkon 1 milion paund

Historia "angleze" e emigrantit shqiptar, Ardian Mulliqi. Ndarja bashkëshortore përfundon sërish në gjykatë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrant shqiptar, i cili është ndarë së fundmi nga bashkëshortja e tij, në Angli, po tenton të fitojë plot 1 milion paund, pas divorcit me të. Ardian Mulliqi, pas ndarjes në vitin 2005 me bashkëshorten Linda Berkeley, ka nisur tashmë një betejë ligjore për të fituar nga pasuria e ish-bashkëshortes, e cila kur u njoh me emigrantin shqiptar ishte një këngëtare xhazi. Menjëherë pas divorcit bashkëshortor, përmes avokatëve të tij mbrojtës, emigranti depozitoi në gjykatë një kërkesë për ndarje të barabartë të aseteve të përfituara gjatë martesës. Në një tjetër gjyq, zhvilluar disa muaj më parë në "Kingston Country Court", shqiptari fitoi betejën e parë. Atij iu njoh nga gjykata e drejta e përfitimit të një biznesi që kishte bashkëshortja në fushën e shitje-blerjeve të banesave me vlerë 1 milion paund.

Apelimi

Por ky vendim është apeluar nga 53-vjeçarja Linda Berkeley, ish-bashkëshortja e tij. Apelimi iu besua Gjykatës së Lartë britanike. "Linda e ka blerë shtëpinë e saj dhe e ka ndërtuar këtë biznes nga pasuria e trashëguar prej babait të saj, një inxhinier i njohur nafte, kur ishte vetëm 7 vjeçe. Gjatë martesës, Mulliqi nuk ka paguar asnjë kacidhe për kredinë e shtëpisë. Nuk ka arsye të forta që justifikojnë ndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë", ka pretenduar para trupit gjykues Xhejms Turner, avokati mbrojtës i zonjës Berkeley, e cila është 10 vjet më e madhe se ish-bashkëshorti i saj.

Akuzat

Linda Berkeley, e cila është vendosur së fundmi në qendër të këtij divorci, ka akuzuar ish-burrin e saj shqiptar se ka shpenzuar shumë nga pasuria e saj. "Ardiani nuk punonte. Ai shpenzoi të gjithë pasurinë time gjatë një martese të vështirë, që zgjati 10 vjet. Tashmë, e gjithë pasuria ime që trashëgova nga babai prej 514 mijë paund është katandisur vetëm në 86 mijë. Dhe e gjitha kjo pasi për shumë vitesh ndihmova atë dhe familjen e tij", është shprehur Berkeley, duke iu referuar ish-bashkëshortit. Madje, ajo shtoi se ndjehej e turpëruar që "ia lejova vetes të ndodhte një gjë e tillë".

Historia

Emigranti shqiptar do t‘ia fitonte menjëherë zemrën gruas së tij të ardhshme, me të cilën jetoi jo pak kohë. Bëhet fjalë për vitin 1998, kur ajo me bandën e saj po këndonin në një lokal londinez. Disa javë më pas, ata do të jetonin së bashku në një shtëpi. Një vit më vonë, çiftit i lindi një djalë. Vendimin e gjykatës për t‘i dhënë emigrantit shqiptar 1 milion paund nga asetet që disponon, Berkeley e ka apeluar, pasi, sipas saj, është i padrejtë. "Ish-bashkëshorti im po ngre një pretendim aspak të bazuar, pasi ai gjatë martesës nuk ka punuar fare e as ka kontribuar në familje", shprehet ajo. Megjithatë, pavarësisht këtyre pretendimeve dhe kundërshtimeve, përfundimi i "duelit bashkëshortor" mbetet për t‘u mësuar në ditët e ardhshme, kur Gjykata e Apelit të japë vendimin.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats