Monday, 4 February 2008

Dënohen dy shqiptarë në Londër, grabisnin prostitutat tajlandeze

U merrnin paratë, varëset dhe unazat e floririt, duke i kërcënuar me thika

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e Krimeve "Southwark Crown Court" në Londër ka dënuar me 16 vjet burg në total dy shqiptarë, të cilët terrorizonin duke u vënë thikën në grykë prostitutave tajlandeze për t‘i grabitur. Geni Burhani, gjatë periudhës nëntor 2006-janar 2007 kishte grabitur tre prostituta nga Tajlanda në apartamentet e tyre në lagjen "Bayswater", ku ato ushtronin prostitucion. Në grabitjen e 8 nëntorit 2006, 24-vjeçari Burhani përdhunoi një prostitutë, e cila në gjykatë kur dha dëshmi, u njoh si "dëshmitarja Pinki". Në këtë grabitje mori pjesë edhe Artur Krasniqi, duke bërë roje poshtë apartamentit ku po grabiste Burhani. Si bashkëpunëtor në krim kjo do t‘i kushtonte rëndë.Gjykatësi, duke lexuar masën e dënimit ndaj dy shqiptarëve, i cilësoi krimet e tyre si të paramenduara, duke traumatizuar këto vajza, të cilat si mjet jetese kishin zgjedhur prostitucionin. Përdorimi i thikave për të frikësuar viktimat ka qenë një tjetër aspekt që gjykatësi ka analizuar e që do të reflektonte më pas në masën e dënimit. Duke i cilësuar shqiptarët si të rrezikshëm për publikun britanik, në fund të dënimit ai rekomandoi dëbimin e tyre. Për tre grabitje dhe një përdhunim, Geni Burhani u dënua me 10 vjet burg. Artur Krasniqi, 27 vjeç, i dënuar më parë për rrahje, do të vuajë në burgjet britanike 6 vjet burg. Ai kishte fituar leje qëndrimi përgjithmonë në Angli në 3 shtator 2001. Burhani jetonte ilegalisht, pasi "Home Office" i kishte refuzuar kërkesën për azil dhe kishte humbur të dyja gjyqet e apelit në gjykatat e emigracionit. Të dyja viktimat kanë dhënë dëshmi në gjykatë kundër shqiptarëve, ndërkohë që policia ka ofruar prova ADN-je që i përkisnin dy grabitësve. Burhani i ka mohuar akuzat, ndërsa Krasniqi ka thënë se ai ishte përdorues i rregullt prostitutash dhe kurrë nuk ishte përfshirë në grabitje.Nga hetimi policor i disa grabitjeve të ngjashme në zonën Bayswater, e njohur si një lagje londineze me shumë shtëpi publike, rezultoi se dëshmitë e dy viktimave jepnin tipare të ngjashme të grabitësve. Ai shkonte si klient, duke lënë takim me agjencitë e prostitutave përmes telefonit, pastaj kryente grabitjen. Më 8 nëntor 2006, Geni Burhani do të grabiste prostitutën Phornip Nguathaisoung, duke i marrë 550 paund, 2 varëse floriri dhe një byzylyk. Pasi është siguruar se nuk do të dilte duarbosh nga apartamenti i saj, ai e ka përdhunuar. Në grabitjen e dytë, regjistruar më 13 dhjetor 2006, është identifikuar nga policia si autor përsëri Burhani. Viktima e radhës ishte Lin Kewdongjel, të cilës i mori vetëm celularin dhe një unazë. Për të dytën herë, Burhani do të organizonte grabitjen e Phornip Nguathaisoung. Kësaj here, ai nuk ishte vetëm. Mbrëmjen e 12 janarit 2007, me të kishte ardhur në grabitje Artur Krasniqi, i cili do të bënte roje poshtë shtëpisë. Viktima e ka njohur Burhanin nga grabitja e parë. Ai e ka kërcënuar me thikë se do ta vriste po të bërtiste dhe është hedhur nga kati i tretë i apartamentit, duke u kapur pas një shtylle elektrike. Nga kjo grabitje shqiptarët do të përfitonin 375 paund dhe dy celularë. Një kalimtar telefonoi përmes numrit të emergjencës kur pa tajlandezen e varur, e mbërthyer pas shtyllës që kërkonte ndihmë.Nuk është hera e parë që drejtësia britanike dënon shtetas shqiptarë për krimin e grabitjes së prostitutave tajlandeze. Vitin e shkuar, "St Albans Crown Court" dënoi me dhjetë vjet burg 22-vjeçarin Ardi Hila, ndërsa bashkëpunëtori e tij, Viltjer Zekaj, u dënua me 5 vjet burg. Zekaj është gjetur fajtor në tri grabitje të shtëpive publike në zonën Herts. Më 15 shtator 2005, Zekaj dhe Hila hynë në saunën e masazhit që ndodhet në rrugën St Albans Road në Watford. Pasi kanë nxjerrë thikat, duke kërcënuar prostitutat atje, ata kontrolluan saunën, morën paratë dhe dy telefona celularë. Një javë më pas, më 26 shtator 2005 përsëri do të hynin në një tjetër sauna në rrugën Wood Lane End në zonën Hemel Hempstead. Përsëri kanë nxjerrë thikat, duke kërcënuar tri gra që ishin atje. Kësaj here Hila në krimin e tij do të shkonte më tej, duke përdhunuar njërën. Ata do të largoheshin me një sasi parash, disa bizhuteri, karta krediti dhe një telefon celular. Arrestimi i tyre do të realizohej një vit më pas nga ndodhja e këtyre grabitjeve.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats