Wednesday, 6 February 2008

Londër, burg përjetë shqiptarit që vrau qiraxhiun

Londër, burg përjetë shqiptarit që vrau qiraxhiun

Luan Goci ishte në listën e 10 më të kërkuarve nga "Scotland Yard"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një shqiptar nga Kosova, i cili ishte futur në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga "Scotland Yard", është gjetur fajtor për vrasjen e një studenti francez gjashtë vjet më parë. Në fund të një procesi gjyqësor, që zgjati tre javë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, "Old Bailey", 33-vjeçari Luan Goci është gjetur fajtor duke u dënuar me burgim përjetë. Vrasja ndodhi më 15 tetor 2002, kur shqiptari në zënie e sipër i ngul thikën Pierre Carnus. Mësohet se shqiptari banonte në një shtëpi me Carnus dhe fillimisht janë grindur për pagesën e qerasë. 33-vjeçari është irrituar pas një sherri për shumën e qirasë që francezi duhet të paguante. Goditjet kanë qenë fatale për Pierre Carnus, i cili ka vdekur të nesërmen në mëngjes në spitalin "Royal London Hospital".

Arratia

Goci ka vazhduar të qëndrojë i fshehur në Angli edhe për disa muaj pas kryerjes së krimit. Për herë të fundit ai është parë në rrugët e Londrës në shkurt të 2003. Besohet se më pas ai është larguar drejt Amerikës, ku banonin disa pjesëtarë të familjes. Hetimet e policisë britanike për të lokalizuar vendndodhjen e tij kanë rezultuar të pasuksesshme. Goci do të provonte ftohtësinë e prangave të policisë kosovare në mesin e vitit të shkuar për llogari të homologëve të tyre britanikë në Prishtinë. Megjithëse Britania e Madhe nuk ka marrëdhënie ekstradimi me Kosovën, autoritetet e UNMIK-ut lejuan ekstradimin. Ekstradimi i Luan Gocit nga Kosova për Britani shënon rastin e parë të këtij lloji, pasi nuk ekziston një marrëveshje ekstradimi. Megjithatë policia në Kosovë ka rënë dakord që ai të ekstradohej drejt Londrës, pasi kanë shqyrtuar materialet e dosjes hetimore. Luan Goci fillimisht ka dalë përpara gjykatës magjistrale të Barkingut, i akuzuar si vrasës i Pierre Carnus. Seancat e tjera gjyqësore janë zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, "Old Bailey", në Londër.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats