Sunday, 24 February 2008

Malta, çmim ndërkombëtar akademikes shqiptare ne Angli

Malta, çmim ndërkombëtar akademikes shqiptare ne Angli

Dr. Klejda Mulaj fiton çmimin "Personi i shquar i Vitit 2007" në kategorinë "Arritje Akademike" në Maltë.

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një shqiptare, e cila ka studiuar në Britaninë e Madhe dhe tani është punësuar si lektore në një prej universiteteve më me emër në Britani, është nderuar me një çmim ndërkombëtar në Maltë. Dr. Klejda Mulaj fitoi çmimin "Personi i shquar i Vitit 2007" në kategorinë "Arritje Akademike". Ky çmim u dha nga "Junior Chamber International" (JCI) në Maltë. JCI është një organizatë ndërkombëtare profesionale, e cila operon në 100 vende të botës.

Çmimi

Ky çmim u jepet individëve të shquar të grupmoshës 18-40 vjeç që kanë arritur suksese të dukshme në rrethana të vështira. Misioni i kësaj organizate është të kontribuojë në përparimin e komunitetit botëror, duke i krijuar mundësi brezit të ri të zhvillojë aftësi drejtuese dhe përgjegjësi shoqërore të nevojshme për transformimin pozitiv të shoqërisë. Fitues të mëparshëm të çmimeve të dhëna nga JCI përfshijnë personalitete të njohura botërore si Orson Wells, J.F.Kennedy dhe Henry Kissinger, të cilët fituan çmimet e tyre para moshës 40 vjeç dhe para se të fitonin famë ndërkombëtare. Në një intervistë për "Shqip" pas marrjes së çmimit disa ditë më parë, zonja Mulaj thotë se fitimi i tij në plan personal, për të, do të thotë që kontributi i saj në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe në veçanti në subjektin e studimit të konfliktit dhe paqes, është njohur në shkallë ndërkombëtare. "Ky çmim tregon se të gjitha ato vite punë këmbëngulëse, shpesh në rrethana të vështira kanë dhënë rezultate të dëshiruara dhe të shumëpritura. Në të njëjtën kohë, ky çmim është për mua edhe frymëzim dhe nxitje për arritje të tjera , shpresoj më të mëdha. Por kuptimi i këtij çmimi për mua është shumëdimensional, mbasi siç e thotë shprehja angleze "asnjë qenie njerëzore nuk është ishull i vetmuar". Në radhë të parë, arritjet e mia janë edhe arritje të familjes sime, mbasi ato nuk do të kishin qenë të mundura pa mbështetjen dhe inkurajimin e familjes. Po ashtu, nuk do të kisha mundur t‘ia dilja mbanë pa mbështetjen e një rrethi akademikësh dhe intelektualësh në Angli, Maltë, Amerikë, Dubai dhe sigurisht në Tiranë në përpjekjet e mia të para akademike. Arritjet e mia reflektojnë këtë përkrahje të çmuar. Së fundi, si shqiptare që jam, besoj se çmimi im është domethënës për të gjithë shqiptarët dhe në veçanti shpresoj të kem krijuar një shembull pozitiv për brezin e ri që synon dije dhe përparim" shprehet ajo.

Universiteti

Klejda Mulaj, aktualisht është lektore në Universitetin e Exeter në Britaninë e Madhe. Ky është Universiteti i Vitit 2007/2008 i përzgjedhur midis të gjithë të tjerëve të këtij vendi. Çmimi i dhënë Klejdës reflekton sfidat që i janë dashur të kapërcejë për të arritur suksesin aktual akademik në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, sidomos në shkaqet dhe pasojat e fenomenit të spastrimit etnik. Pas marrjes së çmimit në faqen e Universitetit Exeter ku akademikja shqiptare punon, asaj do t‘i dedikohej një shkrim i veçantë ku shkruhej: "Klejda u rrit në Shqipërinë e Veriut, rrethuar me varfëri, censurë komuniste dhe mungesë të lirisë së mendimit e shprehjes. Kurioziteti i saj mbi mënyrat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe lirinë në përgjithësi reflekton jetën e saj në afërsi të një zone konflikti siç është Kosova". Por ç‘do të thotë për një shqiptare puna në njërin prej universiteteve më me emër në Britaninë e Madhe? Klejda Mulaj i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke treguar fillimisht se Universiteti i Exeter ofron një ambient shumë komod pune. "Ky universitet ka një prej kampuseve më të bukura në Britaninë e Madhe. Por çfarë është edhe më e rëndësishme, Universiteti i Exeter ka një kolektiv akademik të mrekullueshëm", rrëfen ajo. Më tej ajo tregon se shumë akademikë të këtij universiteti kanë famë botërore. Kualiteti i Universitetit të Exeter reflektohet në faktin se ai u zgjodh Universiteti i vitit 2007/2008 ndër të gjithë të tjerët e Britanisë së Madhe. Ajo nuk e fsheh krenarinë legjitime të jetë pjesë e këtij institucioni, duke deklaruar: "Për mua është nder të jem pjesëtare e këtij kolektivi akademik". E pyesim Klejdën se si është pritur fitimi i këtij çmimi në Universitetin e Exeter. "Çmimi që m‘u dha është pritur shumë ngrohtë në Exeter", thotë ajo, duke vazhduar së treguari se ka marrë shumë urime dashamirëse, nga kolegët e saj akademikë, si dhe nga studentët e saj aktualë dhe të mëparshëm. Një artikull mbi çmimin dhe punën e saj është botuar në faqen kryesore të Internetit të Universitetit Exeter për disa ditë, si dhe në gazetën lokale "Express & Echo". Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale e Klejdës, por mbi të gjitha një shembull domethënës se në Britaninë e Madhe ka shqiptarë të cilët po shkëlqejnë në fusha të ndryshme ku punojnë dhe japin kontributin e tyre. Çmimi ka pasur publicitet edhe në të gjitha gazetat kombëtare në Maltë ku ai u dha, përfshirë dy prestigjiozet "The Times" dhe "Independent".

Suksesi akademik

Në Tiranë, Klejda studioi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (dega Fizikë Speciale) të Universitetit të Tiranës, ku përfundoi studimet më 1993. Në vitin 1994, Klejda filloi studimet pasuniversitare në Akademinë Diplomatike të Universitetit të Maltës. Ambienti i këtij institucioni inkurajon kritikën e hapur dhe diskutime midis akademikëve dhe politikanëve - një liri e panjohur më parë nga Klejda. Këto rrethana i përforcuan asaj interesin në shkencat politike dhe në veçanti Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Pas përfundimit të studimeve diplomatike në Maltë, Klejda Mulaj punoi disa vjet për qeverinë malteze dhe më pas u regjistrua në "London School of Economics and Political Science" (LSE) ku - në vitin 2004 - fitoi titullin Doktore Shkencash në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Studimet e saj në Londër kërkuan këmbëngulje dhe punë të palodhur në një ambient akademik që tërheq studentë shumë të përgatitur nga Perëndimi dhe mbarë bota. Aktualisht Klejda punon me Professor Gareth Stansfield në Qendrën e Studimeve Etniko-Politike në Universitetin Exeter në Angli, ku ajo drejton një projekt që studion influencën e aktorëve violentë joshtetëror në politikën botërore aktuale. Klejda është autore e disa artikujve akademikë të botuar në Angli, SHBA, Maltë dhe Tiranë. Libri i saj i parë - mbështetur në tezat e Doktoraturës - i titulluar "Politika e Spastrimit Etnik" - është në proces botimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai del në qarkullin në muajin mars.




You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats