Saturday, 23 February 2008

Përkthyesit e Alibeajt "nuk e kalojnë" klasën

Përkthyesit e Alibeajt "nuk e kalojnë" klasën

Avokatët i përdorin gafat për të bllokuar ekstradimet nga Anglia

Nga Londra

Muhamed Veliu

Avokati mbrojtës i një shqiptari, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare, ka përdorur një sërë gabimesh në përkthimin nga gjuha shqipe në atë angleze, për të bllokuar ekstradimin e klientit të marrë në mbrojtje. Gabimet në korrespondencën e dokumentacionit, dërguar Gjykatës së Ekstradimeve në Londër, janë zbuluar gjatë procesit të ekstradimit të Armand Bogdanit. Ai është dënuar me 13 vjet burg në mungesë, për transportimin e 1720 kg kanabis nga Shqipëria në Greqi, më 4 korrik 2002. Gjykata e ka pasur të vështirë të procedojë me dokumentacionin e përkthyer nga përkthyesit e Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, pasi janë vërejtur një sërë paqartësish, që humbitnin kuptimin e materialit në dosje. Një situatë e tillë nuk i ka shpëtuar pa e shfrytëzuar avokatit të Bogdanit, i cili ka nënvizuar para gjykatës mungesën e korrektësisë së palës shqiptare.

Korrespondenca

Sipas avokatit, nuk bëhej fjalë për një gabim të vetëm, por disa të tilla, që kanë vënë në pozitë të vështirë juristen britanike, Rashel Skot (Rachael Scott), e cila përfaqëson shtetin shqiptar në këtë proces. Nga një zhvillim i tillë aspak i këndshëm, në një proces të rëndësishëm ekstradimi, vihet re se korrespondenca e palës shqiptare përkthehet fjalë më fjalë, siç janë dokumentet në shqip, pa u përshtatur në anglisht apo pa i kaluar në procesin e njohur si "Proof Reading" (editim përkthimi). Të tilla gabime në përkthime, në dukje të vogla, në gjykatë shkaktojnë shpeshherë konfuzion apo humor, duke krijuar idenë se institucionet e drejtësisë shqiptare janë primitive. Serioziteti i kësaj çështjeje thellohet akoma më tej, pasi të tilla dokumente, mbushur me gabime në përkthim në fund firmosen edhe nga vetë titullari i Ministrisë së Drejtësisë, në këtë rast Enkeleid Alibeaj. Ky është telashi më i fundit që i shtohet drejtësisë shqiptare me çështjen e ekstradimeve të personave të kërkuar prej saj në Britaninë e Madhe, pas kundërshtimeve të panumërta nga avokatët britanikë në lidhje me procesin e rigjykimit të të ekstraduarve kur ata mbërrijnë në Shqipëri.

Përsëritja e gabimeve

Gabimet e vërejtura në rastin e procesit gjyqësor ndaj Armand Bogdanit nuk janë raste të izoluara, si pasojë e përkthimit nga ndonjë përkthyes, që sapo ka dalë nga bankat e shkollës. E njëjta situatë është përsëritur dy vjet më parë në gjyqin e Gëzim Çalës, i dyshuar për një vrasje të trefishtë. Dokumentacioni i dërguar nga Tirana rezultoi me probleme të shumta në përkthim. Bogdani, me nënshtetësi britanike, pasi është i martuar me një shtetase të këtij vendi, do ta mësojë vendimin e gjykatës më 6 mars 2008, pas një procesi maratonë seancash gjyqësore, filluar më 5 korrik 2007, kur ai u arrestua në qytetin Nottingham. Skuadra e Ekstradimeve në "Scotland Yard" e prangosi atë, pas një informacioni dërguar nga zyra e Interpol Tiranës për vendndodhjen e tij. Bogdani 27 vjeç, i ka zhvilluar seancat gjyqësore të ekstradimit në gjendje të lirë, pasi vjehrri tij nga Uellsi la si garanci pasurore 55 mijë sterlina, shumë që ka çuditur edhe gjykatësin e çështjes.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats