Monday, 4 February 2008

Supergrabitja 53 milion paund, burgosen dy "robinhudët" shqiptarë

Nga gjykata e krimeve te renda Old Bailey,Londer
Muhamed Veliu

Dy shqiptarë, të cilët kishin rol të rëndësishëm në grabitjen më të madhe në historinë e Britanisë së Madhe, pasi janë gjetur fajtorë për konspiracion në grabitje të armatosur dhe pengmarrje, dje kanë mësuar masën e dënimit. Ermir Hyesenaj, 28 vjeç, i cili punonte brenda në depon ku u vodhën 53 milionë paund, u dënua me dhjetë vjet burg. Ndërsa Jetmir Buçpapa, 26 vjeç, i njohur me pseudonimin "The Snoop", përcolli informacionin e mbledhur nga Hysenaj miqve të tij britanikë. Dënimi që i riu me origjinë nga Tropoja do të vuajë në burgjet britanike është 15 vjet. Ai u konsiderua nga prokuroria pjesëtar aktiv i grupit të grabitësve dhe i përfshirë në pengmarrjen menaxherit të depos, Kolin Dixon. Në parkingun e hotelit "Ashford International" policia gjeti një makinë të parkuar, në cilën zbuloi një valixhe me 825.500 paund. Në dorezën e saj u gjet ADN-ja e Jetmir Buçpapës. Nga hetimi u zbulua se ai kishte kryer 693 telefonata me pjesën tjetër të grupit të grabitësve. Gjatë kontrollit të shtëpisë policia gjeti një antenë të lidhur me pajisje përgjuese në frekuencën e policisë së zonës Kent. Ndërsa në shtëpinë e Lea Rusha, një tjetër pjesëmarrës në grabitje dhe mik i ngushtë i Buçpapës, policia gjeti një jelek fluroshen me inicialet JB, me AND-në e shqiptarit. Mekanizmi i supergrabitjesMegjithëse janë kryer me mijëra orë hetime nga më shumë se 100 detektivë nga policia e zonës së Kentit përfshirë dhe një proces gjyqësor që zgjati plot shtatë muaj, ende nuk është mësuar se e kush ishte ai kokëkrisur që ideoi supergrabitjen. Nga procesi gjyqësor është mësuar se grabitësit, të cilët ishin më shumë se 7 veta u morën me përgatitjen e vjedhjes për gati një vit, duke parashikuar me kujdes çdo detaj. Ata ishin: Emir Hysenaj, 28 vjeç, Lea Rusha, 35 vjeç, Jetmir Buçpapa, 26 vjeç, Stuart Royle, 49 vjeç dhe Roger Coutts, 30 vjeç. Hysenaj, një ish-përkthyes i ardhur në Angli në 1999, u largua në mënyrë vullnetare nga Anglia në 2004, për t‘u rikthyer më pas me një vizë martese. Konsiderohet si njeriu kyç në këtë grabitje. Sipas prokurorisë, me një mikrokamera, ai filmoi hyrje-daljet e depos dhe skicoi të gjithë depon ku ndodhej dhoma e numërimit të parave. Informacionin ia kalonte Buçpapës. Pas disa ditë survejimi të menaxherit të depos, orarit se kur ai e linte punën, grabitësit ishin vetëm disa ditë larg ekzekutimit të planit. Si për koincidencë, e tërë biseda e takimi të fundit mes tyre është regjistruar pa dashje nga celulari i njërit prej bashkëbiseduesve që kishte shtypur butonin e incizimit. Telefoni do të sekuestrohej nga policia dhe shërbeu si një provë e pakundërshtueshme e këtij konspiracioni historik.

Hipoteza
Historia e parrëfyer e parukieres që "gozhdoi" të pestët

Hetimi, kush e propozoi grabitjen Burime të ndryshme hetimore supozojnë se ideatori i grabitjes ishte 27-vjeçari nga Tropoja, Jetmir Buçpapa. Tejet popullor në zonën e Kentit në komunitetin shqiptar, ai kishte njohje të shumta me njerëz të botës së krimit, sidomos me Lea Rusha, kampionin e arteve marciale, të cilin Jetmiri e adhuronte. Buçpapa, një djalë i gjatë, muskuloz, mbi të gjitha i pashëm, bënte një jetë të shtrenjtë. Ata që e njohin Jetmirin pohojnë se jetesën e siguronte nga një lavazh makinash, nga i cili nxirrte shumë para. Sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë, Buçpapa nuk do t‘i shpëtonte "virusit" të etheve të ruletës elektronike, ku linte shumë para. "Ishte përdorues i rregullt i lokaleve të basteve", pohon një i njohur i tij. Por lavazhin do ta shiste për 60 mijë sterlina, që do t‘i humbte në ruletën elektronike brenda dy ditëve. Më pas, jetesa do të varej nga rroga e Rebekës, bashkëshortes të cilën e njohu në një palestër, disa vite më parë. Në vitin 2001, ai do të martohej me të. Ajo punonte si konsulente shitjeje në një sallon makinash. I mbetur pa të ardhura, duket se ky ka qenë momenti që ka detyruar Buçpapën të hedh sytë nga depoja e parave, vetëm disa qindra metra larg shtëpisë ku banonte me Rebekën. Më tej, gjithçka mbetet enigmë se si Buçpapaj do të lidhej me Ermir Hysenajn, i cili nisi punë në depo më 13 dhjetor 2005. Ndërkaq, Mishell Hogg, 33 vjeçe, e cila përgatiti maskat e grabitësve ishte që me dëshminë e saj vuri me shpatulla pas murit si autorë të grabitjes 5 të akuzuarit. Fillimisht, ajo do të arrestohej, duke u ndeshur me po të njëjtat akuza si të pestët. Por disa ditë pas fillimit të procesit gjyqësor, avokatët e saj arritën një marrëveshje të artë mes tyre dhe prokurorisë. Në këmbim të dhënies së dëshmisë në favor të prokurorisë, kjo e fundit do të rrëzonte akuzat ndaj saj. Kështu ndodhi. Hogg, për të shpëtuar veten, tradhtoi ata që e punësuan për të bërë maska. Në gjykatë, ajo përmendi emrat e Emir Hysenajt, Lea Rushës, Jetmir Buçpapës, Stuart Royle dhe Roger Coutts. Gazetari Ngjarja, libër ose filmTë tilla grabitje janë materiali më mirë për botim librash apo skenarë filmi. Edhe kjo grabitje, si shumë të tjera, ka ngjallur interesin e botuesve britanikë, të cilët kanë nënshkruar një kontratë që vlen dy milionë paund me një gazetar britanik. Emri tij është Hauard Sones. Ai është autor i gjashtë librave. Për shtatë muaj me radhë, ditë pas dite, ai ka ndjekur procesin gjyqësor duke mbajtur shënime. Ka mundur të intervistojë në burg të pestët apo të mbledhë dëshmi nga të afërmit e tyre. Gjithçka mund të jetë gati në javët e ardhshme për t‘u publikuar në një libër ose film. Sones pohon se edhe një botues në Shqipëri ka ngjallur interes ta blejë të drejtën e botimit. Po sipas Sones, padyshim roli Ermir Hysenajt në këtë grabitje do të ketë një kapitull të veçantë. Gjatë ditëve të fundit të procesit gjyqësor, në korridoret e Gjykatës Qendrore të Krimeve është parë edhe një producent i Hollivudit, i cili ka shfaqur interes për këtë çështje.


Kronologjia Minutë pas minute me grabitjen më të madhe në Angli

Ora 18:40 minuta, data 21 shkurt 2006: Menaxheri 52-vjeçar Kolin Dixos lë depon e parave me makinën e tij. Pas katër miljeve rrugë, ndalohet nga një makinë "policie". Dy policë i komunikojnë arrestimin për ecje me shpejtësi 19:45: Mbërrijnë në një fermë, që ishte baza e përgatitjes së grabitjes. Në plan për t‘u marrë peng ishte edhe e shoqja e menaxherit, 47-vjeçarja Lynne Dixon, së bashku me djalin e saj 7-vjeç. Dy "oficerë policie" trokasin në derën e shtëpisë së menaxherit të depos, Kolin Dixon, duke i thënë gruas së tij se duhet të shkonte me ta, pasi bashkëshorti kishte pësuar aksident Rreth orës 1:28 minuta të mëngjesit të datës 22 Shkurt, pasi kanë marrë kodet e hapjes së depos, ata së bashku me menaxherin, gruandhe djalin nisen për në zonën Tonbridge, ku është e lokalizuar edhe sot depoja e parave, pronë e "Bank of England". Fillimisht në depo hyn menaxheri, nën shoqërinë e një "polici". Rojet hapin derën. Grabitësit e tjerë të armatosur do të hynin një e nga një.Katërmbëdhjetë punonjës, të terrorizuar nga vizitorët e armatosur në depo, do të lidheshin, duke u mbajtur peng derisa u mbush plot me para një kamion. Ata do të linin depon në ora 3:15 minuta. E gjithë grabitja zgjati 66 minuta. U grabitën 53 milionë paund dhe u lanë në depo 154 milionë paund të tjerë, pasi nuk kishte vend në kamion. Menaxheri Dixon ka mundur të prekë butonin e alarmit, por policia nuk mundi të kapë grabitësit

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats