Tuesday, 26 February 2008

Zëri shqiptar pushton mediat britanike

"Sky News", "Al-Jazeera", CNN dhe "BBC News 24", çdo ditë, analiza dhe komente për Kosovën


Nga Londra
Muhamed Veliu

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit në Serbi, janë shndërruar në lajmet kryesore për mediat audiovizive në Britaninë e Madhe, të cilat kanë ftuar analistë shqiptarë, përfshi dhe ambasadorin Zef Mazi, për t‘i komentuar ato. Si kurrë më parë, zëri i shqiptarëve ka pushtuar mediat britanike, në një çast shumë deciziv. Asnjë analist serb nuk ka pranuar që t‘i bëjë oponencë atyre, duke refuzuar ftesat e mediave britanike. Kështu, ditën e shpalljes së pavarësisë, për gati dy orë në një transmetim të drejtpërdrejtë prej disa orësh, stacioni prestigjioz "Sky News" kishte të ftuar Ralf Gjonin, drejtor i klubit londinez të lëvizjes "Mjaft!"."Al-Jazeera", i njohur si CNN-i i botës arabe, në studiot e saj në Londër, disa ditë më parë si dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ia kishte besuar analizën e zhvillimeve atje, gazetares shqiptare, tani me banim në Londër, Ilva Tare.Ndërsa gjigandi mediatik "BBC News 24", disa ditë më parë së dielës së 17 shkurtit 2008, kishte ftuar në studio për të komentuar zhvillimet e pritshme në Kosovë, njërin prej diplomatëve më të njohur shqiptarë, Zef Mazin, aktualisht ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Pasuar nga një tjetër dalje në CNN katër ditë pas shpalljes së Kosovës shtet.

"BBC News 24"

I veshur shik, për të dhënë një paraqitje dinjitoze, ambasadori Zef Mazi, pasditen e 15 shkurtit, ka shkelur për herë të parë në atë që quhet "BBC TV Center" në perëndim të Londrës. Një producent e priste për ta shoqëruar drejt studiove të "BBC News 24", stacionit të shpallur si televizioni i vitit 2007.Gjithçka gati. Vjen çasti kur nis transmetimi në formën e një dialogu mes gazetares në studio dhe Mazit, njeriu i cili për disa vite me radhë i shërbeu Shqipërisë në OSBE, në Vjenë.Me një anglishte të përkryer, të padallueshme, si gjuhë e dytë e tij, ambasadori Mazi është i menjëhershëm në deklaratën e tij, se shpallja pavarësisë do të jetë stabilitet për rajonin, duke e argumentuar me një sërë faktesh.Ai është ndalur më pas në çështjet teknike të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutës 1244 për Kosovën.Gjithçka do të përfundonte në mënyrën më të mirë të mundshme. Si për të prishur syrin e keq të paraqitjes së tij të parë në një media britanike, BBC kishte bërë një gabim teknik. E ndërsa Mazi fliste, në sfond, pas shpatullave të tij, projektohej një flamur shqiptar i kohës së komunizmit, me një yll të verdhë.Ambasadori Mazi thotë se ftesa nga "BBC News 24" nuk ishte aspak e rastësishme.Që në fillim të mandatit, disa muaj më parë, një prej prioriteteve që ai ka pasur, ishte ndërtimi i marrëdhënieve me mediat angleze. Kështu, këto përpjekje, me plot bindje mund të thuhet se i dhanë frytet në një çast delikat për Kosovën, duke sqaruar paqartësi të shumta publikut britanik, se ç‘do të ndodhte ditën e shpalljes së pavarësisë.Dalja e ambasadorit Mazi në "BBC News 24" nuk do të mbetej vetëm një rast i izoluar. Nëpërmjet njohjes së mëparshme me një prej editorëve të CNN në Londër, ai e shfrytëzoi atë për të bërë paraqitjen e radhës në gjigandin amerikan të lajmeve.Po aq i suksesshëm sa edhe në BBC, ai kësaj here e ka pasur më të lehtë analizën e tij për CNN. Pavarësia ishte shpallur dhe ai do të fliste në CNN rreth së ardhmes, marrëdhënieve politike-ekonomike të shtetit më të ri në botë me fqinjët dhe më gjerë.Me shaka e pyesim ambasadorin se cili do të jetë stacioni televiziv i radhës ku do ta shikojmë të flasim për Kosovën. Duke vënë buzën në gaz, ai jep një përgjigje prej diplomati - "Në atë televizion që ka audiencë më të madhe".Dalja e Mazit në dy gjigandë të medias, më shumë se një përpjekje diplomatike, mund të quhet si një fitore personale e tij si ambasador në këto pak muaj në Londër. Ai përçoi zërin zyrtar të vendit që përfaqëson, po ashtu analizën e një diplomati të ardhur në Londër, nga jeta diplomatike në OSBE. Me sa duket, në ato vite, Mazi ka mësuar edhe artin e shfrytëzimit të medias në çaste delikate, njësoj siç bënte bashkëkombësja e tij, Nënë Tereza për interesat e saj.Ftesa nga "BBC News 24" për ambasadorin Mazi ishte fillimi i mbarë i një "beteje" mediatike nga shqiptarët e Anglisë, për t‘u dëgjuar zëri i tyre në një ditë ku fare mirë serbët mund të shfrytëzonin mediat britanike për qëllime dizinformimi.

"SkyNews"

Ralf Gjoni, së bashku me klubin londinez të lëvizjes "Mjaft!" gjatë gjithë kohës që nga krijimi i tyre, kanë pasur prioritet të aktivitetit të tyre lobingun për Kosovën në qarqet politike apo mediatike. Por si mundi Ralf Gjoni të depërtonte deri në "Sky News" për të komentuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës?Në një intervistë për "Shqip", ai tregon se arsyeja kryesore për këtë ftesë nga "Sky News" ka të bëjë me reputacionin që dega e kësaj organizate në Londër, ka krijuar nëpërmjet punës në fushën e komunikimit. Sipas tij, një arsye tjetër është sepse ai nga ana personale akademike, e ka zhvilluar punën kërkimore mbi çështjen e Kosovës dhe mendon se kanali televiziv "Sky News", dëshironte një ekspertizë lokale të çështjeve në fjalë. "U ndjeva shumë i nderuar që m‘u la mikrofoni i lirë (LIVE) dhe që gjatë dy orëve të ceremonisë, teleshikuesit britanikë e ndoqën ngjarjen nëpërmjet ‘syzeve të këndvështrimit shqiptar, dhe jo atij serb‘. Për mua kjo ishte dhe fitorja e kësaj dite, që parë nga perspektiva mediatike, ishte një fushatë shumë e suksesshme dhe proshqiptare. Mos të harrojmë që "Sky News" ndiqet nga një audiencë disa milionëshe në shumë vende të botës dhe kjo të vendos para një përgjegjësie të jashtëzakonshme për mesazhin që ti komunikon tek audienca e caktuar", shprehet Gjoni.Kjo ditë e paharrueshme për Ralf Gjonin do të mbyllej me një tërheqje nga xhaketa prej një reporteri të "Sky News", për të cilën ai thotë: "Një reporter më tërheq në një prej studiove të produksionit për të më treguar pamjet që ekipi i ‘Sky News‘ në Mitrovicë kishte dërguar në studion në Londër. Në këtë videoklip, disa shqiptarë të ulur në një kafene të Mitrovicës, po ndiqnin deklaratën e pavarësisë drejtpërdrejt në ‘Sky News‘ gjatë kohës kur po komentoja. Pra pavarësia në Prishtinë, audienca në Mitrovicë dhe raportuesi, ‘Sky News‘ nga Londra. Fantastike si situatë, a nuk mendoni? Ndoshta prandaj edhe ekipi i ‘Sky News‘ e ndjeu që për vetë rëndësinë e ngjarjes, suksesi i mbulesës së tyre televizive ishte i dukshëm". Një personazh tjetër shqiptar të cilit iu besua komentimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte edhe gazetarja Ilva Tare, që prej më shumë se një viti jeton në Londër.

"Al-Jazeera"

Nëse Ralf Gjoni ishte i ftuar në "Sky News", ambasadori Mazi në "BBC News 24", Ilva Tare do të komentonte nga studiot londineze të "Al-Jazeera"-s, stacionit që njihet ndryshe si CNN-i i Arabisë Saudite.Ilva rrëfen se në "Al Jazeera" me studjo edhe ne Londer, është ftuar dy ditë përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të dielën e shpalljes së saj për të komentuar këtë ngjarje si njohëse e çështjeve të Ballkanit."Transmetimi i drejtpërdrejtë ishte përgjegjësi e madhe, duke paramenduar audiencën shumë milionëshe të televizionit panarab. Besoj se për mënyrën si e pritën producentët performancën, duhen pyetur vetë ata. Fakti që unë u ftova dy herë për shpalljen e pavarësisë në edicionet kryesore të lajmeve është një tregues domethënës.Emocion kisha vetëm në atë ditë historike dhe të papërsëritshme për shqiptarët e Kosovës dhe shtetin e tyre të ri. Dalja në ekran dhe komunikimi në anglisht ishte po aq i natyrshëm sa edhe përvojat e mia televizive të më shumë se një dekade në Shqipëri", tregon Tare, në një intervistë për "Shqip" ulur afër një kafeneje në "London School of Economics", ku ajo po bën një master. Ilva nuk ka qenë e vetmja shqiptare që ka dhënë ndihmesën e saj për "Al-Jazeera". Regjisori kosovar, Eki Rahmani, do të transmetonte në këtë kanal, i cili shihet në tërë botën një dokumentar për Kosovën me titull "Open Wound" ("Plagë e hapur")kushtuar të zhdukurve dhe të pagjeturve në luftën e Kosovës.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats