Saturday, 1 March 2008

Aida Dumani, ylli kosovar i pasarelave britanike

Aida Dumani, ylli kosovar i pasarelave britanike

Nga Londra
Muhamed Veliu

Aida Dumani, një fotomodele shqiptare e cila jeton në Skoci, është ylli i ri i pasarelave britanike të modës. Që prej katër vitesh, kur për herë të parë në Glasgow u ngjit në pasarelë, 20-vjeçarja me origjinë nga Prishtina njeh vetëm sukses.E menaxhuar nga një agjenci modelesh në Glasgow, përveç interesit të kompanive të veshjeve, Aida ka ngjallur interes edhe në qarqet e kinematografisë angleze, duke iu besuar një rol në një film.E planifikuar disa javë më parë, intervista jonë nuk është aspak e lehtë. Preokupimet e shumta, përfshi shkollën, në mënyrë të veçantë pjesëmarrja në evenimentin më të rëndësishëm të modës në Londër, "London Fashion Week", janë disa nga arsyet për ta shtyrë intervistën disa herë.Gjëja e parë që të bën përshtypje te modelja Dumani është shqipja e pastër që ajo flet, pavarësisht se është larguar nga Kosova për në Skoci kur ishte vetëm 11 vjeçe.Megjithëse tashmë e njohur për mediat skoceze apo britanike, që kanë shkruar për yllin e ri shqiptar të modës, ajo është shumë pak e njohur si në vendlindje apo Shqipëri.Më shumë se sa për bukurinë, Aida flet se çfarë mund të bëjë me të. "Bukurinë time le ta vlerësojnë të tjerët", shprehet ajo në fillim të bisedës.Ajo, gjatë një rrëfimi të gjatë, tregon se dëshira për t‘u marrë me modë i ka lindur që kur ishte 12 vjeçe gjatë prezantimit të kulturës shqiptare në Glasgow. Ndërsa daljen e parë në një pasarelë do ta provonte kur ishte vetëm 16 vjeçe.Nuk ka qenë askush që mund të zbulonte talentin e saj për të reklamuar veshjet, por këmbëngulja e saj, të cilën Aida e ka ende të freskët."Së bashku me një shoqe shkova të bëj disa foto profesionale, të cilat ia dërgova një agjencie modelesh. Ata që në ditën e parë kur më intervistuan më ofruan një kontratë që të punoja ekskluzivisht për ta. U habita. Isha e lumtur, por që atë moment lindte përgjegjësia për të hedhur hapa të sigurt në botën e madhe të modelimit.Nuk u nxitova ta firmosja kontratën. M‘u desh të kontrolloja reputacionin e kësaj agjencie e pastaj të vendosja", kujton ajo.Nuk do të vononte që Dumanit t‘i besohej puna e parë si modele. Për fat ishte një fillim i mbarë, pasi ftesa për ta përdorur si modele vinte nga gazeta më e madhe skoceze, "The Herald". Për disa ditë me radhë duke reklamuar veshje të dizajnuesve të rinj nga Skocia, fotot e saj do të pushtonin këtë gazetë në seksionin e modës.Kjo ka shërbyer si reklama më e mirë për Aidën, e cila do të përzgjidhej për të marrë pjesë në evenimentin më të rëndësishëm të modës, "London Fashion Week", që është ëndërr e çdo modeleje.Për të tretin vit ajo prek këtë pasarelë, që është një arritje për të, duke hapur më shumë dyer për t‘u bërë një modele me famë.Në 2006, modelja shqiptare, që është 1,87 e gjatë, u përzgjodh nga kompania angleze "Olanik", për të paraqitur veshjet e saja. "Isha e emocionuar, pasi nuk kisha shumë eksperiencë në pasarelë. Por kur e pashë se bashkë me mua dhe vajzat e tjera ishte edhe supermodelja britanike Lily Cole, u ndjeva mirë. Ishte një inkurajim për mua. Gjithçka shkoi mirë", thotë Aida për pjesëmarrjen e saj të parë në "London Fashion Week".Këtë pjesëmarrje ajo e cilëson njësoj si të kishte fituar një bingo."Nuk kishte gëzim më të madh. Nuk e imagjinoja që do të shkelja në atë pasarelë ku kanë shkelur modelet më të mira në botë. Ishte një ëndërr".Në dy vitet e tjera emocionet ishin më të vogla. Stilistja Marie Vachvogel, e cila vesh Victoria Beckham apo Siena Miller në 2007, do të përzgjidhte Dumanin për paraqitjen e koleksionit të saj.Disa javë më parë në "London Fashion Week 2008" kompania "Chloe" bën të sajën modelen shqiptare, duke e veshur me një fustan klasik.Për të modelja më e preferuar është braziliania Giesel Bundchen.Ndërsa industrinë e modës në Britani e shikon si jashtëzakonisht të madhe, me hapësira ku mund të japësh maksimumin nëse ke përmasat e duhura trupore, të cilat për Aidën janë gjatësia 1,78 cm, flokët kafe dhe sy kafe të hapur.Organizimi i punëve deri te detajet më të vogla që mund të duken si të parëndësishme për të është e veçanta e pasarelave britanike të modës.E quan një punë të lehtë që zgjat dy ose tre orë dhe paguhet mirë.Me shaka e pyesim atë nëse tani pas gjithë këtyre eksperiencave ka filluar të paguhet mirë."Jo edhe aq shumë", përgjigjet ajo, duke shtuar se për momentin është e kënaqur nga pagesat që merr, por thekson se nuk është një personi i rendur pas pagesave të majme.Ofertat për të punuar si modele nuk i kanë munguar edhe nga një agjenci mode në Tokio, agjentët e të cilës udhëtuan deri në Glasgow për t‘u takuar me të. Aida e ka refuzuar ofertën e tyre për të cilën thotë:"Jam e lidhur ngushtë me familjen. Nuk mund të jetoj pa ta. Ndoshta më vonë do të konsideroja të punoja në New York apo Milano dhe vetëm nëse atje do të kisha dikë të afërt".Aida krahas të punuarit si modele është edhe një studente në një kolegj lokal për biznes dhe turizëm.Disa ditë më parë, në Edinburg, ajo do të ishte pjesëmarrëse në dy sfilata për kompaninë "Harvey Nichols". Dy emra të njohur të modës, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, si Cristian Dior dhe Fendi, do t‘ia besonin veshjet e tyre Dumanit.Tashmë ajo është bërë fytyrë e njohur te menaxherët e "Harvey Nichols", të cilët për çdo vit e ftojnë të jetë pjesëmarrëse në këtë aktivitet.Gjatë bisedës e pyesim Aidën se cila është arritja më e madhe për të si modele dhe ajo jep këtë përgjigje: "Do të quaja një arritje të madhe timen deri më tani zgjedhjen vitin e shkuar si modelja e vitit nga agjencia në të cilën unë punoj, e cila quhet ‘Superior Model Management‘.Po ashtu marrja pjesë në sfilatën e parë të Emporio Armanit në Skoci, ku pas një audicioni me vajza nga të gjitha agjencitë e modës në Glasgow, më zgjodhën vetëm mua".Po aq e suksesshme sa në pasarelat e modës, e reja shqiptare ka treguar të jetë edhe në kinematografi.Në vitin 2005 asaj iu besua një rol në serialin "Flash market Close", ku interpretonte një vajzë kosovare."Kur agjencia më dërgoi për provat e para në këtë film, nuk më treguan që roli ishte i një vajze nga Kosova, por një vajze nga Evropa Lindore. Producentët e filmit më treguan se për çfarë roli bëhej fjalë. Pas prove më thanë se do të më kontaktonin pas një jave. Më telefonuan dhe më treguan që më kishin pranuar. U gëzova pa masë. Besoj se më zgjodhën mua pasi përputhesha me rolin e një vajze emigrante që vritet nga një britanik racist", rrëfen ajo.Sipas saj, ishte një rastësi të luante në këtë film, pasi nuk i ka shkuar mendja kurrë të merrte pjesë në një projekt kinematografik. Kjo eksperiencë i ka pëlqyer, pohon ajo, por jo edhe aq shumë krahasuar me daljen në pasarelë si modele.Gjashtë muaj pas aktrimit në këtë film do të vinte oferta e radhës për të cilën Aida nuk do të pranonte. Po përse?"Më kërkuan të luaja në serialin ‘Taggard‘, por roli që më ofruan nuk më pëlqeu. Kërkuan nga unë të luaja rolin e një të burgosure, e cila do të përdhunohej dhe kishte disa skena ku unë dukesha nudo", tregon ajo arsyet e refuzimit të këtij roli.Ky refuzim ishte në vazhdën e një deklarate të sajës për një gazetë skoceze, e cila kur e pyeti nëse do të pozonte nudo për revistën "Playboy", iu përgjigj: "Kurrë".Ajo suksesin e deritanishëm e përshkruan jo vetëm në saj të këmbënguljes dhe dëshirës për t‘u bërë një supermodele kosovare, por edhe të prindërve.Sidomos të menaxheres së agjencisë, zonjës Kimberley.Nuk harron të falënderojë të gjithë shqiptarët në Glasgow, që e kanë mbështetur dhe inkurajuar.Pavarësisht se ajo është duke ngjitur me shpejtësi shkallët e suksesit si modele, pohon se është një vajzë e thjeshtë, që nuk dëshiron të shikohet nga shoqëria si një person VIP.Mezi pret që të marrë ftesën e parë për t‘u ngjitur në një pasarelë mode në Prishtinë apo Tiranë."Ka vite që e pres një ftesë të tillë, por që fatkeqësisht nuk ka ardhur ende tek unë. Shpresoj që ajo ditë të vijë shpejt, aq më tepër tani që Kosova është e pavarur.Më intrigon shumë fakti të di të shikoj, ta prek vetë se cili është ndryshimi mes sfilatave të këtushme me ato të atjeshmet", pohon ajo duke folur me shumë pasion për vendlindjen, të cilën gjatë këtyre 9 viteve në Skoci ka mundur ta vizitojë vetëm dy herë.Më shumë se suksesin e saj personal si modele, Aida për të ardhmen ka një synim akoma më të madh. Të njihet në të gjithë botën si supermodelja që vjen nga shteti i Kosovës. Në mendjen e saj tashmë e ardhmja është projektuar.Aida tregon se duke parë që në botë nuk janë shumë vajza nga Kosova që merren me modë, ajo e ka dëshirë të madhe të punojë për gjigandët e modës, duke ngritur lart emrin e Kosovës dhe mos të njihet si deri më tani, si një modele me vend origjine ish-Jugosllavinë.Ajo ka të drejtë. Momenti i duhur ka ardhur që shteti më i ri në botë të ketë princeshën e tij në botën e modës. Aida Dumani me këtë sukses të deritanishëm ka provuar që është e denjë ta realizojë një mision të tillë.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats