Friday, 14 March 2008

Antidroga angleze prangos 12 shqiptarë në Oxford

Shkatërrohet një organizatë kriminale shqiptare që shiste kokainë

Policia sekuestron dy laboratorë kokaine, përzjerës dhe mijëra paund cash

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas tre vjet survejimi antidroga angleze ka shkatërruar një organizatë kriminale shqiptare që shiste kokainë në qyetin e Oxfordit dhe Anglinë veriore.
Gjatë operacionit policor ku morën pjesë 200 policë u ekzekutuan 23 kontrolle shtëpishë në dy prej të cilave, shqiptarët kishin ndërtuar laboratorë për përzjerjen e saj.
Ftohtësinë e prangave angleze e kanë provuar 12 shqiptarë dhe dy britanikë.
Prokuroria ka dërguar në gjykatën “Oxford Crown Court” tetë shqiptarë dhe dy britanikën me akuzat për konspiracionin në shitjen e narkotikëve të klasit A.
Katër shqiptarët e tjerë po hetohen në gjëndje të lire.
Të arrestuarit janë Elton Celbeqiri 28 vjeç, Oltjon Nezha, 34 vjeç, Leon Cohadari 30 vjeç, Gentian Harizaj 26 vjeç, Elmond Koshaj, 34, vjeç, Ulijan Nelku, 29 vjeç, Klodian Kono 37 vjeç, Albert Kovaçi, 35 vjeç, si dhe dy britanikëve Rickson Gill, 24 vjeç, Stephen Munro, 29 vjeç.
Sipas “Thames Valley Police” që organizoi operacionin e shkatërrimit të këtij grupi kriminal, mësohet se gjatë kontrollit është sekuestruar një sasi e konsiderushme kokaine dhe disa mijëra paund në adresat e kontrolluara.
Në seancën e parë gjyqësore të caktimit të masës së arrestit në gjykatën e krimeve në Oxford, ata kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokurosia për konspiracion në tregëtimin e drogës së kategorisë A, ndërsa gjykatësi vendosi që ata të qëndorjnë në burg deri në seancën e radhës.

Aktiviteti

Ky grup kriminal shqiptarë e kishte nisur aktivitetin e tij që në vitin 2005. Në pak muaj falë lidhjeve të tyre me të tjera grupe shqiptare në tregtinë e drogës në Londër ata do të fuqizoheshin së tepërmi.
Policia angleze thotë se shqiptarët e sillnin drogën nga Italia dhe Hollanda për ta shpërndarë në lokalet e natës në qytetin e Oxfordit në të cilin jetojnë me mijëra të rinj që studjojnë në universitet e tij.
Disa prej të arrestuarve merreshin me transportimin e drogës nga Europa për në Angli disa të tjerë me përzierjen e saj me substanca të tjera. Pjesa tjetër e grupit shpërndahej në lokalet e natës ku e shiste atë duke fituar mijëra paund.
Aktiviteti tyre shumë shpejt do të binte në sy të oficerëve të antidrogës në zonën e Oxfordit të cilët do të ndërtonin një operacion të gjerë të fokusuar tek shqiptarët.
Në disa raste policë të maskuar si frekuentues të klubeve të natës kanë blerë drogë tek shqiptarët duke i filmuar ata.
Shtrirja e zonës së influencës do të rritej dukshëm gjatë mesit të vitit 2007 në zona të tjera jashtë Oksfordit si në qytezat Banbury, Didcot, Deddington, Reading, Cowley, Farnborough dhe Enfield në veri të Londrës.
Sipas burimeve policore mësohet se shkatërrimi strukturës kriminale të shqiptarëve në Oxford edhi pasi ata ishin fuqizuar së tepërmi.
Që prej disa muajsh ata ishin kthyer në furnizuesit kryesor të shitëve të drogës në këtë qytet dhe qytezat e tij. Nuk dihet ende se cila është koka drejtuese e këtij grupi i cili gjatë tre vjetëve kanë përfituar miliona paund.
Pikërisht forcimi pozitave në tregun e drogës në këtë zonë dhe të qënurit furnizues kryesor me kokainë si dhe provat e mjaftushme mbledhur nga policia çoi në arrestimet e tyre.

Arrestimet

Një zëdhës i “Thames Valley Police” tha për gazetën Shqip se oficerët e “Organised Crime Group” (Grupit të krimit të organizuar) ishin ata të cilët hetuan këtë grup kriminal. “Ka qënë një investigim i gjatë për këtë organizatë kriminale e përfshirë në tregrinë e drogës së kategorisë A. Oficerët tanë të “Thames Valley Police” të mbështetur nga tre forca të tjera policore kryen arrestimet” shtoi zëdhënësi.
Ndërsa kryehetusi David Poole që udhëhoqi investigimin e këtij grupi shqiptarësh tha: “Këto arrestime janë përfundimi një hetimi intensiv nga “Tames Valley Police”.
Ne jemi të vendosur të marrim çdo lloj mase për të ndaluar tregtinë e drogës”

Vëzhgim
Krimi shqiptarë në Angli, pas prostitucionit tani sytë nga droga

Gjatë dhjetë viteve të fundit është hera e parë që policia angleze arrestohen një numër kaq të madh shqiptarësh të përfshirë në tregtinë e drogës.
Krahas suksesit të kontrollit të prostitucionit në Londër si dhe qytete të tjera angleze përfshi Skocinë dhe Uellsin,trafiku drogës ka qënë një dëshirë e madhe për tu përfshirë nga Shqiptarët të cilët e kanë patur të vështirë të tregojnë muskujt e tyre në këtë biznez përballë, kurdëve që kotrollojnë Heroinën dhe britanikëve e kolumbianëve bosë të Kokainës.
Kjo vërtetohet më së miri nga ky operacion, i katër forcave policore angleze, që pas një survejimi tre vjeçar arrestuan 12 shqiptarë që kishin ngritur dy laboratorë përpunimi të kokainës në qytetin e Oksfordit.
Disa vite më parë po këtë qytet do të arrestohej një shqiptarë nga Burreli që njihej me pseudonimin “Buja”.
Ai u prangos momentin e marrjes në postë të një pakoje të dërguar nga Belgjika ku kishte disa kile heroinë. Ai do të dënohej dhjetë vjet burg.
Leonard Metani i kërkuar nga drejtësia Italiane për shfrytëzim prostitucioni fshihej në Londër është një tjetër shqiptarë që do të dënohej për tregti droge. Momentin e arrestimit në shtëpi ju gjët gjashtë kile heroinë e presuar gati për tu shitur.
Shqiptari nga Lushnja një dhomë të shtëpisë e kishte shndërruar në laborator droge.
Nga analizat rezultoi se vetëm 16 përqind e 6 kg drogë të sekuestruar ishte heroinë e pastër. Pjesa tjetër përzierës. Metani u dënua me 6 vite burg pasi pranoi akuzat.
Si pasojë e mospagesës së parave për një sasi prej 25 kg kanabis mes dy grupeve shqiptare nga Elbasani dhe Tirana në 14 Janar 2002 ata do të përlesheshin me armë.
I vdekur përjashta pabit “FOX” në lagjen Palmers Green do të mbetej Edmon Cullhai i cili kishte shkuar për të sqaruar çështjen mes dy grupeve. Hakmarrja e grupit tiranas, kishte vënë në shënjestër Izet Fejzullahun i burgosur nëntorin 2005 për trafik prostitucioni me 14 vite burg dhe Ilir Krasniqin.
Për këtë vrasje drejtësia shqiptare do të dënonte
Ermal Sinanin dhe Florian Metallën ish eksponetë të njohur të krimit shqiptarë në zonën Hounslow.
Në Janar të 2008 Scotland Yard do të arrestonte katër shqiptarë.
Ata ishin shpëndarës Kokaine në Veri të Londrës. Një agjent i infiltruar hyn në pazar me ta duke blerë fillimisht 120 gram dhe bërë një porosi për 1 kg në javët në vazhdim. Momentin që shqiptarët Bardhi Lleshi, Skënder Mustafa, Andi Hekuri dhe Besmir Limaj shkuan të dorzonin kilen e Kokainës në lokalin bullgar “Plovdiv” në veri të Londrës, do të prangoseshin. Të katër që në seancën e parë gjyqësore pranuan akuzat për konspiracion në shitjen e drogës kategoria A. Gjykatësi R.D. Harris do të lezojë masën e dënimit për ata më 28 Mars 2008.
Arrestimet për trafik droge në Londër të katër shqiptarëve në Janar 2008 përfshi ato të 12 shqiptarëve në Oxford janë tregues i qartë se grupet kriminale shqiptare në Angli pas prostitucionit tani sytë i kanë hedhur droga për tu bërë lojtarë serioz njësoj si Kurdët e heroinës apo Britanikët dhe Kolumbianët e Kokainës.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats