Thursday, 6 March 2008

Biznesmeni shqiptar mohon të jetë vrasës i kërkuar

Biznesmeni shqiptar mohon të jetë vrasës i kërkuar

Beteja 2-vjeçare për të ekstraduar nga Anglia të arratisurin nga burgu i Lezhës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Çështja e ekstradimit nga Anglia për në Shqipëri e një të arratisuri nga burgu i Lezhës është futur në një fazë interesante, pasi i kërkuari shqiptar pretendon se është një ngatërresë identiteti. Nga ana tjetër, prezenca e shqiptarit që kërkohet për vrasje në Shqipëri është përshkruar si shqetësim për komunitetin e zonës Mansfield nga gazeta lokale "Chud". Kjo gazetë pasqyron betejën e nisur nga shqiptari Selami Çokaj për të bllokuar ekstradimin. Shqiptari nga Tropoja gjendet në listën e Interpolit si një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë. Ai dyshohet se është arratisur nga burgu i Shënkollit në Lezhë, ku vuante 20 vite burg për grabitje me armë dhe vrasjen e Lekë Pepajt, ngjarje e ndodhur në vitin 1994. Gazeta në fjalë citon drejtorin e policisë së Shkodrës, Nikolin Bala, të ketë deklaruar se Selami Çokaj është një ndër personat më të kërkuar nga veriu Shqipërisë, si dhe se ai është një person i rrezikshëm që kërkohet nga Interpoli. Besohet se Çokaj ka mbërritur në Angli si azilant në vitin 1997, duke u regjistruar me emrin Valton Gashi. Më pas, Ministria e Brendshme britanike, "Home Office", i ka garantuar atij qëndrimin në Angli si azilant, paçka se është njëri prej personave më të kërkuar në Shqipëri. Skuadra e ekstradimeve në "Scotland Yard" ra në gjurmët e tij pas një informacioni dërguar nga zyra e Interpol-Tiranës. Kjo zyrë dërgoi një mandat arresti, ekzekutuar nga "Scotland Yard" në vitin 2006. Çokaj do të arrestohej në zonën Mansfield, ku jetonte që prej vitin 2003, pas një qëndrimi të mëparshëm 8-vjeçar në Londër. Që në daljen e parë para gjykatës së ekstradimeve në Londër, familja e tij i paraqiti gjykatës një garanci pasurore prej 100 mijë stërlinash (17 milionë lekë), duke i rikthyer gjykimin në liri. Dy vjet më pas, nga seanca e parë gjyqësore, gjykata e ekstradimeve në Londër pranoi kërkesën e qeverisë shqiptare për ta ekstraduar atë. Ndërkohë pritet vetëm firma e Ministrisë së Brendshme që ai të dërgohet për në Shqipëri. Por, personi që policia britanike e ka identifikuar si Selami Çokaj thotë gjatë një interviste për mediat lokale ku ai banon, se është bërë një ngatërresë në identitet. Shqiptari 34-vjeçar, që ka një biznes në zonën Mansfield, shprehet se ai nuk është Selami Çokaj dhe se tani, pas kësaj ngatërrese, ai frikësohet për jetën e tij dhe të dy fëmijëve. Biznesmeni shqiptar, që besohet të jetë Selami Çokaj, e ka quajtur të gjithë procesin gjyqësor si sajesë të disa shqiptarëve të tjerë xhelozë, të cilët nuk i admirojnë arritjet e tij që kur ka mbërritur në Angli 11 vite më parë nga Kosova. Ai ka deklaruar se e vetmja ngjashmëri mes tij dhe të shumëkërkuarit Selami Çokaj është ngjashmëria në datëlindje. "Unë nuk jam Selami Çokaj. Nëse më dërgojnë në Shqipëri, atëherë jeta ime ka marrë fund. Gjithçka për mua merr fund. Të shumtën e kohës e kaloj duke qarë. Bashkëkombësit e mi e kanë sajuar këtë, pasi ata janë xhelozë. Po jetoj në Mansfield prej më shumë se dy vjet dhe nuk kam pasur asnjë problem me policinë, e cila kur erdhi në shtëpi pa se çfarë biznesi kisha ndërtuar. Më është dashur të ndryshoj numrin e celularit disa herë, pasi mund të më gjenin. Jam shumë i frikësuar. Ata mund të bëjnë gjëra të këqija duke më marrë fëmijët, apo duke më vrarë gruan. Kur kthehem në shtëpi më duhet të bëj kujdes, pasi edhe mund të më vrasin. Këta njerëz mund të të vrasin për asgjë", është shprehur shqiptari që pretendon të mos jetë Selami Çokaj.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats