Monday, 24 March 2008

“Daily Telegraph” vizitoni Shqipërinë

“Daily Telegraph” vizitoni Shqipërinë


Në suplementin “Udhëtimet”, prestigjiozja “Daily Telegraph”, nëpërmjet një shkrimi me autor gazetarin Jeremy Seal, inkurajon lexuesit që të vizitojnë Shqipërinë, sidomos në zonat e trashëgimisë antike


Nga Londra
Muhamed Veliu


Përmes një artikulli të gjatë dhe të detajuar, gazeta britanike “Daily Telegraph” në suplementin e saj javor “Travel” (Udhëtimet) u sugjeron lexuesve të saj një Shqipëri që ia vlen për ta vizituar falë pasurive të saj të mëdha arkeologjike. Që në fillim të artikullit, gazetari Jeremy Seal shkruan se Shqipëria është një vend i pasur me trashëgimi arkeologjike, gjë e cila mund të rrisë prosperitetin e këtij vendi, me një industri turistike ku çmimet janë shumë të lira.
Me detaje autori i shkrimit përshkruan bukuritë natyrore përgjatë bregut të lumit Vjosë, duke mbërritur në qytetin antik të Bylisit. Ai e quan të mrekullueshme eksplorimin e qytetit të ndërtuar nga romakët, por vëren se një mozaik ku një bari është duke mjelë një dhi, ndodhet i mbuluar me rërë, pasi nuk ka fonde për ta ekspozuar. “Kjo na shqetësoi ne vizitorëve britanikë për arsye se një mozaik aq i rrallë qëndron i paekspozuar për mospasje fondesh”, thekson gazetari Seal. Në artikull nuk mbetet pa u përmendur ndjesia e të ngrënit të një darke në cep të qytetit të Bylisit në një lokal aty pranë.
Autori i shkrimit rrëfen se gjatë drekës me mish të pjekur dhe verë të prodhuar në fshat, ulur në një tavolinë me pamje nga qyteti antik, i dukej se i tërë peizazhi që të ofrohet ishte i tyre. “Daily Telegraph” shkruan se arkeologjia shqiptare ka tërhequr vizitorë britanikë që në kohën e Lordit Bajron dhe Eduard Learit, të cilët në shekullin e 19-të zbuluan këtë pjesë plot me atmosferë në Ballkan. “Zbulimi i tyre nuk mbeti me kaq”, vijon kjo gazetë britanike duke treguar se në vitet 1980 kur Shqipëria ishte tërësisht e izoluar ajo ngjallte kureshtje të britanikëve që vizitonin ishullin grek të Korfuzit dhe pas një vizite 1-ditore në Butrint ktheheshin të mahnitur”.
Jeremy Seal vëren se tani, 10 vjet pas rënies së skemave piramidale, monumentet që ka Shqipëria si ato të kohës greko-romane, bizantine, otomane e veneciane janë ushqimi kryesor për syrin e çdo turisti. “Përmirësimi infrastrukturës rrugore do ta ulë akoma më shumë kohën e udhëtimit prej 140 miljesh nga Tirana në Sarandë që mund ta bësh për shtatë orë.
Megjithatë, të eksplorosh Shqipërinë është diçka që arrihet në mënyrë koherente dhe të rehatshme”, nënvizon Jeremy Seal. Ai nuk lë pa harruar rolin e një operatori turistik britanik i specializuar për vizitat në vende arkeologjike që ka futur në hartën e saj edhe Shqipërinë ku përmes një turi të larmishëm të ofrohet vizita në Butrint.
Për nëntë ditë vizitë në vendet arkeologjike shqiptare, duke përfshirë ushqimin dhe fjetjet, kjo agjenci ofron paketa turistike me vlerë 1,850 sterlina.
Më tej artikulli i “Daily Telegraph” vazhdon duke i sjellë lexuesit britanik se çfarë mund të shikojnë në qytetin muze të Beratit, duke theksuar se nuk duhen lënë pa parë pikturat e Onufrit në kishën e Shën Marisë, ku ndodhen disa punime të mjeshtrit të madh.
Apo qytetin e Gjirokastrës për të cilin autori thotë se megjithëse është nën trashëgiminë e UNESCO-s si trashëgimi botërore, shikon neglizhencën për t’i mirëmbajtur çatitë me gurë që po zëvendësohen me tjegulla të kuqe. Për ta ilustruar atë që po ndodh në këtë qytet shkrimi shoqërohet pikërisht me një foto, ku shumica e shtëpive janë me çati prej guri, ndërsa disa të tjera me tjegulla të kuqe.
Ky artikull tejet pozitiv për vendin tonë mbyllet duke përshkruar gëzimin e një vajze gjirokastrite, e cila gëzohet kur shikon se nga disa autobusë poshtë rrugës po zbrisnin shumë turistë për të vizituar qytetin e saj ku lindi diktatori Enver Hoxha, njeriu që izoloi Shqipërinë për 50 vjet.
Nëse bën një kërkim të shpejtë në suplementin “Travel” të kësaj gazete të dalin disa shkrime të botuara gjatë dhjetë viteve të fundit. Shkrimi i parafundit është botuar në nëntorin e vitit 2006 kur kompania britanike “British Airways” nisi fluturimet direkte nga Londra për në Tiranë. Po t’i bësh një krahasim këtij shkrimi me atë më të fundit të shkruar në mars 2008 vëren shumë optimizëm se falë trashëgimive arkeologjike.
Nëse në artikullin dy vjet më parë gazetari James Owen e nis shkrimin me citimin e një taksixhiu ku thoshte se “Ne jemi popull pa shpresë”, kolegu i tij, Jeremy Seal, sjell këtë vit një Shqipëri shumë optimiste aspak false, por që preket, kur shkruan se vajza
gjirokastrite është e lumtur kur shikon autobusë me turistë që mësynë në qytetin e saj. Megjithatë, numri i vizitorëve britanikë drejt Shqipërisë nuk varet nga shkrimet pozitive që fatmirësisht ka përcjellë kohët e fundit media britanike.
Gjatë dimrit, të udhëtosh nga Londra drejt Tiranës vajtjeardhje të kushton jo më shumë se
145 sterlina. Ndërsa gjatë muajve të verës ky çmim dyfishohet duke i kaluar 300 sterlina për një biletë.
Ky do të jetë një problem madhor edhe gjatë kësaj vere si për mijëra emigrantë shqiptarë që udhëtojnë për në vendlindje aq më shumë për britanikët, të cilët duan të vizitojnë vendin tonë. Një logjikë e thjeshtë të bën të mendosh se përse ata duhet të paguajnë vetëm për udhëtimin 300 apo 350 sterlina kur me 400 sterlina u ofrohen paketa javore turistike drejt Spanjës apo ishujve të fqinjit tonë, Greqisë, ku përfshihet udhëtimi, hoteli dhe mëngjesi.
Kjo rritje drastike e çmimit të biletave Londër-Tiranë vjen si arsye e blerjes së tyre në avancë nga një kompani e specializuar për shitje biletash të linjës direkte Londër-Tiranë, të cilat gjatë verës i shet me dyfishin e çmimit. Në gjuhën e industrisë së aviacionit kjo njihet si “Fixing price” (paracaktim i çmimit) që do të thotë se një kompani ajrore bën marrëveshje me një apo disa operatorë shitjesh biletash duke ua shitur në avancë atyre.
Një formulë e tillë ka dy vjet që realizohet në kurriz të emigrantëve shqiptarë. Nëse një fenomen i tillë do të ndodhë edhe gjatë verës 2008, është e sigurt se në fund të sezonit turistik, dikasteri që drejton Z. Pango do të raportojë më pak britanikë që vizituan Shqipërinë.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats