Tuesday, 11 March 2008

Londër, gjykata lejon ekstradimin në Shqipëri të dy "pedofilëve" britanikë

Londër, gjykata lejon ekstradimin në Shqipëri të dy "pedofilëve" britanikë

Christodolou dhe Arnold akuzohen për abuzime me jetimët shqiptarë

Nga "City of Westminster Magistrate Court"
Muhamed Veliu

Gjykata e ekstradimeve "City of Westminster Magistrate Court" në Londër e ka quajtur të drejtë kërkesën e drejtësisë shqiptare për të ekstraduar nga Anglia dy shtetas britanikë, të akuzuar se kanë abuzuar seksualisht me të mitur. Gjykatësi Anthony Evans, në vendimin e tij prej 10 faqesh, ka hedhur poshtë pretendimet e avokatëve mbrojtës, që deklaronin se Dino Christodolou, 44 vjeç, dhe Robin Arnold, 55 vjeç, nuk janë shpallur qartësisht si persona të kërkuar nga Prokuroria shqiptare. Edhe pretendimi i avokatëve, Ben Cooper dhe Rachel Scott, se gjatë procesit gjyqësor mund të ketë abuzime ndaj klientëve të tyre, nuk është gjetur i bazuar nga gjykatësi Evans. Të njëjtin fat ka pasur edhe një raport në favor të mbrojtjes, i hartuar nga ekspertja e çështjeve ligjore, Arta Vorpsi, të cilin gjykatësi e cilësoi si një raport aspak të ngjashëm me formatin e të tilla raporteve të pranueshme për një gjykatë britanike.

Mbrojtja

Ben Cooper, avokati i Christodolout, gjatë seancave të mëparshme është shprehur se klienti i tij nuk mund të ekstradohet, pasi krimi që akuzohet ka ndodhur shumë kohë më parë, duke përdorur termin "Passage of Time" dhe kjo e bën të pajustifikuar juridikisht ekstradimin. "Krimi ka ndodhur në vitin 2004, por dëshmia e fëmijëve të "abuzuar" është marrë në vitin 2006, bashkë me provat e ekzaminimeve të mjekëve ligjorë. Shumë prova shkencore me rëndësi në këtë krim nuk janë siguruar, që mund të më ndihmonin me mbrojtjen time", ka thënë avokati Cooper. Në përgjigje të këtij pretendimi, gjykatësi Evans thotë se "nuk ka asnjë lloj indikacioni që të na jetë paraqitur ne. Akuza të kësaj natyre shpeshherë kryhen shumë vite pasi të ketë ndodhur krimi, ku provat shkencore apo mjekësore mungojnë, pasi është e pamundur të mblidhen. Në këtë çështje, Prokuroria shqiptare ka siguruar prova të tilla, të cilat mund të testohen nga mbrojtja gjatë procesit".

Vendimi

Në përfundim të vendimit, gjykatësi konsideroi se nuk ka asnjë shkelje nëse ata do të ekstradohen siç e kërkon drejtësia shqiptare. "Jam i kënaqur nga kërkesa e palës shqiptare, se Cristodolou dhe Arnold janë persona të akuzuar dhe se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se ata do të ballafaqohen në Shqipëri me një proces të parregullt. Ia dërgoj çështjen për ta konsideruar sekretares së Shtetit", shprehet në fund të vendimit gjykatësi britanik, Anthony Evans, i cili për shtatë seanca e shqyrtoi këtë proces ekstradimi.
Çështja e ekstradimit të dy britanikëve nuk merr fund këtu. Avokatët mbrojtës kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Lartë, ku sipas të gjitha gjasave, ata do ta apelojnë vendimin, pasi sekretarja e Shtetit të ketë firmosur certifikatën e ekstradimit brenda afatit kohor të tetë javëve. Të dy britanikët e kanë pritur me qetësi vendimin. Ata akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për abuzime me të mitur të moshës 4 deri 14 vjeç në vitin 2004 në jetimoren "Fëmijët e Tij". Për këtë krim janë arrestuar edhe themeluesit e kësaj jetimoreje, skocezi David Broun dhe shqiptari Janaq Papleka, ku ky i fundit ka pranuar akuzat për moskallëzim krimi. Cristodolou, disa muaj më parë është shprehur se nëse vendimi do të ishte për t‘u ekstraduar, ai do të hynte në grevë urie në burgun londinez, ku që prej gati një viti ndodhet i izoluar.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats