Sunday, 9 March 2008

Londra lejon ekstradimin e mikut të Dritan Vilës

Edmond Kallmi kërkohet për një vrasje në Berat

Nga gjykata "City of Westminster Magistrate Court"
Muhamed Veliu

Gjykata britanike e ekstradimeve "City of Westminster Magistrate Court" ka vendosur në favor të shtetit shqiptar, për të ekstraduar një vrasës beratas, që fshihej si azilant politik në Londër. Përmes një vendimi të detajuar me 10 faqe, gjykatësja C.S.R Tubbs e ka quajtur të drejtë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për të ekstraduar Edmond Kallmin. Në vendimin e saj, gjykatësja ka shqyrtuar argumentin e vetëm që kishte ngritur pala mbrojtëse, e cila pretendonte se nëse Kallmi do të ekstradohet, atij nuk do t‘i zhvillohet rigjykimi siç e kërkon Akti Britanik i Ekstradimeve 2003. Miratimi i kërkesës së palës shqiptare është konsideruar me kujdes nga gjykatësja Tubbs, duke marrë parasysh edhe dy precedentë, atë të Vullnet Mucellit në vitin 2007 dhe Fatmir Bletës në 2005, ku Gjykata e Lartë angleze vërejti se në Shqipëri ka probleme me rigjykimin dhe nuk bindeshim se rigjykimi ishte aktiv. Fitimi i betejës së parë për t‘i argumentuar gjykatës se Edmond Kallmi duhet ekstraduar është për meritë të përfaqësuesit të shtetit shqiptar në këtë proces, juristit Ben Brandon. Në seancën e fundit gjyqësore për gati dy orë ai ka argumentuar se Shqipëria e aplikon me sukses rigjykimin dhe se dy precedentët "Muceli, Belta" nuk duhen parë si shembuj të veçuar, por duhen parë paralelisht me çështjen "Da An Chen me Qeveria Rumune". Ngjashmëritë e dokumentacionit, dërguar nga Rumania në çështjen "Da An Chen" dhe garancitë që jepte qeveria rumune, kanë qenë identike me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë shqiptare. Njëkohësisht, implementimi i njëjtë me Rumaninë, që Shqipëria i ka bërë Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, ka qenë një tjetër argument që juristi Brandon ka parashtruar në gjykatë, duke e shpëtuar shtetin shqiptar nga pozita aspak komode në këtë proces, përballë avokatit mbrojtës Seth Levine që argumentonte të kundërtën, duke përdorur në favor të tyre, precedentët "Mucelli, Bleta". Në faqen e fundit të vendimit, gjykatësja C.S.R Tubbs jep argumentet e saj përse Edmond Kallmi duhet të ekstradohet. "Në këtë çështje, duke marrë parasysh rastin e Da An Chen, e cila iu parashtrua gjykatës për ta marrë në konsideratë, kërkesa e Shqipërisë më ka bindur mua se Kallmi ka të drejtë të plotë dhe legjitime për t‘u rigjykuar, Nuk ka asnjë pengesë në seksionin S. 85 për ta ekstraduar atë. Kështu këtë çështje ia dërgoj sekretares së Shtetit, e cila do të vendosë nëse ai do të ekstradohet sipas aneksit ligjor 85 dhe 87 të aktit të ekstradimit 2003", deklarohet në vendim. Në përfundim të seancës, avokati Levine u shpreh se do ta apelonte vendimin në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, Edmond Kallmi do të vazhdojë qëndrimin në burg edhe pas përfundimit të dënimit me dy vite burg, dhënë nga një gjykatë angleze për kërcënim dhe rrahje. Kërkesa e qeverisë shqiptare për ekstradimin e tij iu dorëzua autoriteteve britanike më 18 janar 2007. Më 12 janar 2000, Kallmi është dënuar në mungesë nga Gjykata e Beratit me 15 vjet heqje lirie për vrasje. Kallmi, bashkë me njërin prej eksponentëve të njohur të krimit beratas, Dritan Vila, më 12 Shtator 1998 shkuan për të vrarë Hamit Bacin, duke lëshuar një breshëri automatiku nga jashtë shtëpisë së tij. Si pasojë mbeti e vrarë Arjana Baci. Bashkë me një bashkëpunëtor të tretë, ata largohen nga vendi ngjarjes duke hipur në një kodër e monitoruar lëvizjet e policisë. Në vitin 2000 Kallmi do të kërkonte azil në Britaninë e Madhe, duke dhënë të dhëna të rreme nën emrin Martin Buzi. Disa vite më pas u martua me një greko-britanike, me të cilën ka dy fëmijë. Në dhjetor 2006, ai u arrestua nga policia në veri të Londrës pas një sherri në një pub. Nga krahasimi i shenjave të gishtave, ai rezultoi se ishte person në kërkim nga zyra e Interpol Tiranës.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats