Saturday, 1 March 2008

Në pikëpyetje ekstradimi i dy "pedofilëve" britanik

Në pikëpyetje ekstradimi i dy "pedofilëve" britanik

Juristja shqiptare dëshmon në favor të palës mbrojtëse. Avokatët: Shqipëria po u bën gjyq ilegal

Nga Londra
Muhamed Veliu

Seanca e fundit e ekstradimit të dy shtetasve britanikë, të cilët kërkohen nga drejtësia shqiptare si të akuzuar për abuzime seksuale me fëmijë, është veshur akoma më me shumë mister. Mbetet në pikëpyetje, nëse ata do të ekstradohen drejt Tiranës. Avokatët mbrojtës të Dino Christodoulou dhe Robin Arnold, në përfundim të procesit gjyqësor janë shprehur optimistë, se ekstradimi i tyre nuk do të lejohet nga gjykatësi Nicholas Evans. Pika e fortë e avokatit mbrojtës të 44-vjeçarit Christodoulou ishte se në Shqipëri gjykatësi i çështjes ka filluar procesin gjyqësor në mungesë. Mbrojtja ka shkuar më tej, duke i deklaruar gjykatësit Evans se gjykata shqiptare po zhvillon procesin në mungesë, duke shqyrtuar akt-akuzën e Prokurorisë së Tiranës.
Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe, pasi që në muajin tetor të vitit të shkuar, gjykatësi i çështjes ka ndërprerë zhvillimin e procesit, pasi pritet vendimi i Gjykatës së Londrës lidhur me ekstradimin e Dino Christodoulou dhe Robin Arnold. Avokati Ben Cooper, që përfaqëson Christodoloun, dhe Rachel Scott, avokate e Arnold e kanë deklaruar se, nëse ata ekstradohen në Shqipëri kjo do të jetë juridikisht e pajustifikuar, pasi autoritetet shqiptare, në mënyrë ilegale janë duke i gjykuar ata. Avokatja Scott deklaroi se, një eksperte shqiptare ka dërguar një dëshmi, në të cilën thuhet se ajo ka folur me gjykatësin e çështjes në Tiranë dhe në kundërshtim me atë që thotë qeveria shqiptare, saktëson se procedurat gjyqësore vazhdojnë në mungesë. Po ashtu, ekspertja shqiptare, e kontraktuar nga pala mbrojtëse, ka hartuar një raport në lidhje me gjendjen aktuale të sistemit të drejtësisë shqiptare. Emri i saj është bërë publik në gjykatë si Dr. Arta Vorpsi. Raporti përfshin një dëshmi me firmën e saj se çfarë po ndodh në Tiranë me këtë proces dhe pikërisht ky raport është përdorur me efikasitet nga mbrojtja, për të bllokuar ekstradimin.
Deklarata e avokates Scott është kundërshtuar ashpër nga kolegia e saj, Clair Dobbin, përfaqësuese e Shqipërisë në këtë proces. "Gjyqi për këta dy të akuzuar nuk ka filluar, por janë zhvilluar disa seanca paralele që njihen si seanca preliminare", shpjegoi ajo. Pohimet e avokatëve mbrojtës, përfshirë reagimin e përfaqësueses së shtetit shqiptar në këtë proces nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e ia kanë shtuar misterin këtij procësi, që ka 8 muaj që po zhvillohet. Enigma e ekstradimit apo jo të dy britanikëve drejt Tiranës do të mësohet më 10 Mars, kur gjykatësi do të japë vendimin përfundimtar, që është i apelueshëm nga të dyja palët, nëse dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Është hera e parë që drejtësia shqiptare kërkon nga Britania e Madhe ekstradimin e dy shtetasve të saj, të dyshuar për abuzime seksuale me të mitur.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats